
Fatime Fregja, 53-vjeçarja e akuzuar për plagosjen e ish-avokatit të Nehat Kullës, Dino Leli, rikonfirmoi dje në Gjykatën e Tiranës alibinë e saj se ishte ngacmuar seksualisht nga avokati.Por, sipas saj, ajo nuk kishe pasur qëllim ta vriste Lelin, por vetëm që ta trembte. Pretendimet e 53-vjeçares nuk janë vlerësuar bindëse për gjykatën, e cila në përfundim të seancës pranoi kërkesën e prokurorisë për lënien e Fregjës në masën e sigurisë “arrest me burg”, pa afat. Ajo akuzohet për kryerjen e veprave penale të “kundërshtim dhe goditjes së gjyqtarit” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Në seancë 53-vjeçarja nuk kishte marrë avokat dhe as pranoi të përfaqësohej me një avokat kryesisht, të mundësuar nga shteti. Para kryesuesit të seancës, gjyqtarit Neritan Cena, e dyshuara Fregja pohoi se shkak i ngjarjes ishte ngacmimi seksual që ka pasur nga avokati Leli. “Me zor e largova nga vetja teksa më prekte në makinë”, është rrëfyer Fregja. Sipas saj, ngacmimi kishte ardhur pak pasi ajo kishte bërë “pazar” me avokatin në lidhje me përfaqësimin e djalit të saj në një gjyq. “Më vonë, me pistoletën që e kisha në shtëpi, desha vetëm ta trembja”, ka pohuar Fregja për ngjarjen.
DYSHIMET
Sipas prokurorisë, plagosja e avokatit Leli dy javë më parë është një çështje komplekse dhe se nuk përjashtohen dyshimet se në ngjarje mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë. Sipas përfaqësuesit të akuzës, nga akt-ekspertimet e kryera gjatë hetimeve paraprake ka rezultuar se gëzhoja e gjetur dhe e sekuestruar në vendin e ngjarjes nuk është qitur nga arma pistoletë të cilën e dyshuara Fregja ka dorëzuar në polici. Njëkohësisht, prokuroria nuk zotëron ende një akt përfundimtar mjekoligjor për përcaktimin e plagës në kokë të avokatit, nëse ajo është shkaktuar nga një predhë plumbi, apo nga qyta e pistoletës.
Avokati nuk kallëzoi
I pyetur nga gazeta pak ditë pas ngjarjes, avokati Dino Leli mohoi ta njihte të dyshuarën si “atentatoren” e tij. Njëkohësisht, burime pranë Prokurorisë pohuan se hetimet për këtë ngjarje kanë nisur kryesisht, pasi nga ana e avokatit Leli nuk është bërë ndonjë kallëzim në organet kompetente.
Akuza e Fregjës: Abuzoi për 20 mijë lekët e gjyqit

Gazeta mundi të sigurojë një deklaratë me shkrim të shkruar nga vetë e dyshuara Fregja: “Fatime Hajdar Fregja, jam e pafajshme, pasi avokati Dino Lejla tentoi të abuzonte seksualisht për 20 000 lekë që kisha për t’i dhënë për leximin e një çështjeje të djalit tim, të cilit i është bërë gjyqi në mënyrë të mistershme. Unë avokatin e kam qëlluar me qytën e një pistolete pas koke vetëm që ta trembja, që ta di”, pohonte Fregja.
Armand Bajrami
© Panorama.al











