
Një udhërrëfyes që do t’u vijë në ndihmë prindërve me fëmijë autikë dhe mjekëve specialistë që merren me trajtimin e tyre. “Autizmi dhe fëmijët” është botimi më i fundit i fondacionit “Fëmijët shqiptarë”. Presidentja e këtij fondacioni, zonja Liri Berisha, u shpreh se ky libër synon të lehtësojë jetën e fëmijëve autikë, të udhëzojë prindërit se si duhet të sillen me ta. Sipas saj, të kesh një fëmijë me autizëm është një sfidë e madhe. Por, në sajë të profesionistëve, e ardhmja e këtij kontingjenti fëmijësh është shumë premtuese. “Botimi si përmbajtje përfshin informacion për prindërit mbi diagnozën dhe ç’duhet bërë për të mbërritur deri te diagnoza dhe vlerësimi i problemeve mjekësore që lidhen me këtë trajtim. Sjell një qasje të zgjeruar të analizës së aplikuar të sjelljes, AVA që përdoret sot nga terapistët për të modifikuar sjelljet e fëmijëve me autizëm. Shtron diskutimet për dinamikën shoqërore që përjeton familja, transformimet që pëson ajo përmes traumës së madhe, përballjeve dhe përshtatjes ndaj kësaj situate”, tha Liri Berisha. Në promovimin e këtij libri kanë marrë pjesë njerëz të njohur në fushën e shëndetësisë si dhe prindër, të cilët kanë shkëmbyer përvojat e tyre mes njëri-tjetrit. Ky libër vjen dy vjet pas botimit të librit të parë “Autizmi në klasën tuaj”, në vijimësi të punës dhe përpjekjeve të Fondacionit për trajtimin me profesionalizëm të fëmijëve me çrregullim të spektrit autik. Në çdo faqe të tij, ky libër synon të lehtësojë jetën e fëmijëve autikë, të udhëzojë prindër si të sillen e si të komunikojnë me ta, të lehtësojë përpjekjet që ata bëjnë për t’i siguruar fëmijëve të tyre një të ardhme më të mirë të mundshme dhe ta bëjë jetën familjare në përgjithësi më mirë të administrueshme. Botimi sjell dëshmi dhe përvoja të jetuara nga familje me fëmijë autikë, metoda sjelljesh të vyera, këshilla praktike, informacione të dobishme për t’u adresuar saktë mbi burimet që ofrojnë ndihmë dhe mbështetje profesionale të specializuar. “Sot, në sajë të përmirësimit të testeve, profesionistëve më të informuar dhe teknikave më të efektshme të mësimdhënies, e ardhmja e fëmijëve me autizëm është shumë më premtuese sesa në të kaluarën. Pjesa më e madhe e fëmijëve me autizëm do të kenë vazhdimisht nevojë për mbikëqyrje gjatë gjithë jetës”, tha Libri Berisha.
Botimi
Libri i doktorit klinicist në këtë fushë, Michael Pauers, përkthimi i të cilit është bërë në shqip nga Pranvera Xhelo dhe me redaktim nga Edmond Tupja, është financuar nga zyra e bashkëpunimit zviceran me një fond prej 2 milionë lekësh. Ai do të dhurohet falas për prindërit, profesionistët e studentët nga fondacioni “Fëmijët shqiptarë”.











