“Ata që s’duan censusin, nuk e meritojnë mandatin”

Aug 19, 2011 | 10:54

Kryeministri Sali Berisha del sërish në mbrojtje të procesit të regjistrimit të popullsisë dhe sulmon zërat që kanë dalë kundër këtij vendimi të qeverisë. Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku u miratua akti për të shtuar një fond për INSTAT-in, për këtë çështje, kreu i qeverisë tha se i vetmi shqetësim për këtë grupim është mbarimi i mandatit, për të cilin tha se nuk e kanë merituar. “Ne të gjithë jemi krenarë me besimin tonë fetar e origjinën tonë etnike. E vetmja gjë që qëndron se ky grup apatridësh – sepse këta që vishen faq e zi janë apatridë – nuk kanë asnjë preokupim tjetër, vetëm mandatkëputjet e tyre, çka tregon se i kanë pasur tërësisht të pamerituara, të turpshme dhe nxjerrin nga labirintet e skëterrës psikologjike të njeriut formulime e dokrra, për të intimiduar pakicat”, u shpreh kreu i Ekzekutivit. Sipas tij, regjistrimi i popullsisë do të japë një situatë reale të Shqipërisë së vitit 2011. “Ky është një interes madhor kombëtar, sepse në regjistrat dhe në database-t e këtij vendi duhet të ekzistojë realiteti shqiptar i vitit 2011. Ky realitet, natyrisht, është i kundërt me atë që e nxijnë çdo ditë, kollagjerë dhe çakej që shfrytëzojnë lirinë për qëndrime nga më absurdet. E kundërshtojnë këtë, sepse ky regjistrim do të nxjerrë të gjitha pasuritë e patundshme që krijuan shqiptarët, duke derdhur lumenj djerse në këto 20 vite”, u shpreh Berisha. “Regjistrimi është një akt madhor i Shqipërisë së kësaj kohe. Të gjitha komentet që bëhen kundër këtij akti janë shprehje e një primitivizmi njerëzor të shkallës më të lartë. Sharlatanë të vërtetë, mjeranë politikë, haxhiqamilër me njëqind flamuj duan t’i trembin shqiptarët me identitetin e tyre, sepse për shkak të mandateve që u bien, besojnë se në këtë mënyrë do të mund të kacavirren në kurriz të tyre. Po të dëgjosh këta kollagjerë në Shqipëri, turizmi trefishohet, por të ardhurat bien brenda tre viteve. Këta vazhdojnë me matematikën e Ramiz Alisë”, theksoi kreu i Ekzekutivit.

© Panorama.al

Te lidhura