“Arsimi i detyruar për raste të veçanta deri në 17 vjeç”

May 30, 2012 | 15:10

Nenet që përcaktojnë moshën për arsimin e detyruar dhe ai për futjen e shërbimit psikosocial në shkolla kanë qenë i vetmi që ka ngjallur diskutime dje në Komisionin Parlamentar të Medias dhe Edukimit. Mbledhja e djeshme mund të cilësohet ndër më të qetat gjatë këtyre javëve të debateve për ligjin e ri për arsimin parauniversitar. Përfaqësuesit e opozitës kërkuan, përveç shkurtimeve të nenit 20 të projektligjit, edhe sqarime për dy pika të tij që lidhen me moshën e lejuar për ndjekjen e arsimit bazë. Deputeti i PD-së, Ismail Hoxha, njëkohësisht edhe relator i ligjit, kërkoi që duke qenë se në shumë vende europiane kufiri i moshës për ndjekjen e arsimit të detyruar është 18 vjeç, të shihet mundësia që për raste të veçanta të lihet kjo hapësirë. Kjo kërkesë u kundërshtua nga zv.ministri i Arsimit, Halit Shamata. “Sa i përket shkurtimit të nenit, jemi dakord, mund të rishitet. Ndërsa për moshën do të theksoja se kufiri 17 vjeç për raste të veçanta është më i përshtatshmi, pasi përbën problem të madh që të lëmë një 18-vjeçar në klasë me fëmijë 14 vjeç që ndjekin arsimin bazë”, tha Shamata. Kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj, në përfundim të sqarimeve e cilësoi me vend variantin e Ministrisë, duke shtuar se duhet ndarë detyrimi ligjor me të drejtën ligjore. “Detyrimi ligjor për ndjekjen e arsimit të detyruar është mosha 16 vjeç, ndërsa e drejta ligjore është mosha 17 vjeç”, tha Leskaj. Neni 20 përcakton se nxënësi është i detyruar të ndjekë shkollën me kohë të plotë të arsimit bazë derisa mbush moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç. Ndërsa sa i përket futjes së shërbimit psikosocial në shkolla, në mbledhjen e djeshme u diskutua ndarja e rolit të shërbimit psikologjik me atë social, pasi nëse deri tani në shkolla janë punësuar edhe punonjës socialë, këta të fundit nuk mund të ofrojnë shërbim të specializuar psikologjik për nxënësit, i cili është profil i psikologëve.

Rastet e veçanta
Sipas ligjit të ri për arsimin parauniversitar, lejohet që nxënësi ta ndjekë arsimin bazë deri në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç. Nxënësi që ka mbushur moshën shtatëmbëdhjetë vjeç dhe nuk ka përfunduar arsimin bazë, lejohet ta përfundojë klasën vetëm kur është në klasën e nëntë. Nxënësve që kanë mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe nuk e kanë përfunduar arsimin bazë, u ofrohet ndjekja e shkollave të arsimit bazë me kohë të pjesshme ose me korrespondencë”, thuhet në nenin 20 të projektligjit.

© Panorama.al

Te lidhura