
Akuza: Vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj të miturit.
Vrasësi i foshnjës nuk jep shpjegime në sallën e gjyqit.
Hysen Biba, 29-vjeçari që mbrëmjen e së hënës flaku nga dritarja e maternitetit foshnjën e tij 3-ditëshe, dukej i qetë dje në sallën e gjyqit. Në orën 11:40, ai u shfaq në kafazin e sallës nr.1 të Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij. I veshur me xhinse dhe një bluzë rozë me vija horizontale ngjyrë leja të errët, Biba artikuloi shumë pak fjalë me gojën e tij, gjatë seancës që zgjati veç pak minuta. I urdhëruar nga kryesuesi, gjyqtari Ilir Çeliku, ai u çua në këmbë dhe konfirmoi gjeneralitetet. Teksa i përgjigjej gjyqtarit, 29-vjeçari mbante duart lidhur, duke shtrënguar me dorën e djathë kyçin e së majtës. Mes përgjigjeve të tij, Biba tha se kishte 12 klasë arsim dhe se ishte i padënuar më parë. Më pas ai qëndroi i ulur dhe vëmendja iu tërhoq vetëm në përfundim të pretendimeve të palëve, kur gjyqtari e pyeti: Ju doni të jepni shpjegime? Pyetjes së gjykatës i pandehuri iu përgjigj pa zë, por vetëm me një lëvizje të kokës në shenjë mohuese. Në publikun e sallës shquhej lehtësisht interesi i madh i përfaqësuesve të medias, por nuk mungonin as familjarë të 29-vjeçarit.
“ARREST ME BURG”
Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Hysen Bibën, i cili akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj të miturit”. Kjo masë sigurie u pranua edhe nga mbrojtësi i të

pandehurit, i cili pretendoi se klienti i tij vuante nga çrregullime mendore. Përfaqësuesi i Prokurorisë në proces, Shpëtim Kurti, riprodhoi edhe një herë para gjyqtarit Çeliku ngjarjen për të cilën akuzohet Biba. Duke iu referuar deklarimeve të nënës së fëmijës, bashkëshortes së Bibës, prokurori tha se Hysen Biba ka shkuar disa herë në spital që prej lindjes së foshnjës. “Ditën e ngjarjes ai ka qëndruar për disa minuta në dhomë. Pa thënë asnjë fjalë, ai ka kapur foshnjën dhe e ka hedhur jashtë nga dritarja”, lexoi prokurori në akt-akuzë, pa dhënë ndonjë motiv për ngjarjen. Nga ana e tij, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Gëzim Allaraj, u shpreh se ishte dakord me izolimin e klientit të tij, por ai i kërkoi gjykatës që të hetohej gjendja mendore e 29-vjeçarit. “Rezulton se i pandehuri ka pasur çrregullime psikike”, tha avokati. I njëjti fakt u pohua prej tij dhe pas daljes nga seanca. Ai u shpreh se klienti i tij mjekohej prej kohësh për probleme mendore dhe se “në momentin e ngjarjes, disa turbullira të forta psikike kanë bërë të mundur moskontrollimin e veprimeve të tij dhe siç ka rezultuar, ka ardhur edhe pasoja e padëshirueshme”.
Daja: Është i sëmurë
Mehmet Toshi, daja i të pandehurit, tha dje pas përfundimit të seancës se nipi i tij ishte i sëmurë psikik. Sipas tij, Hysen Biba prej kohësh ishte i dhunshëm, jo vetëm me bashkëshorten, por edhe me familjarët e tjerë të tij. “Kërkuam ta shtrojmë”, tha ai. Toshi tha se në ceremoninë mortore, të organizuar prej tyre, nuk kishin marrë pjesë familjarë të bashkëshortes së Bibës. Ai i cilësoi të pabaza akuzat e nipit të tij ndaj familjes së bashkëshortes. “Akuzat që u janë bërë atyre, janë bërë nga një i sëmurë mendor”, tha Toshi.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











