“Anuloni tenderin për blerjen e GIS”

Jul 23, 2012 | 11:06
Eduard Shalsi

Deputeti i PS-së, ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, i ka shkruar një letër kryebashkiakut Lulzim Basha, ku i kërkon anulimin e tenderit për blerjen e sistemit GIS. “E gjykova të arsyeshme që në prani të mediave të mbledh specialistë të fushës (shqiptarë dhe të huaj) dhe përfaqësues nga shoqëria civile për të bërë një prezantim të historikut të ngritjes së sistemit GIS në Bashkinë e Tiranës përgjatë viteve 2004–2008, duke provuar me fakte se ai ekziston, madje dhe i publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë. Shqetësimi im i madh ka qenë dhe mbetet fakti se përse duhet të shpenzohen kaq shumë para për një sistem që ekziston?”, shkruan Shalsi në letrën e tij. Sipas deputetit socialist, përcaktimet e bëra në ligjin e ri të planifikimit të territorit nuk kanë të bëjnë me të dhënat, por me tipin e standardeve të të dhënave. Përcaktimet e bëra janë bazuar në programin GIS “opensource”, pra të zhvilluar me vullnetarë të fushës së GIS-it. Të dhënat që gjenden në Bashkinë e Tiranës janë lehtësisht të transferueshme në këtë format “opensource”, mjafton që specialisti të bëjë jo më shumë se 5 klikime dhe ai do ta eksportojë këtë të dhënë në formatin e kërkuar. “Do t’ju kërkoja të anulonit sa më parë tenderin e shpallur për blerjen e sistemit GIS dhe të rishqyrtoni edhe një herë specifikimet teknike të tenderit, në mënyrë që të arrihet në një produkt, i cili të plotësojë sa më mirë nevojat e kohës, gjithmonë duke marr në konsideratë mundin dhe paratë e shpenzuara në të kaluarën”, shprehet në fund të letrës deputeti i PS-së.

© Panorama.al

Te lidhura