“Anëtarët e KQZ të jenë gjyqtarë”

Jul 3, 2012 | 13:02
Eksperti i Komisionit të Venecias, Nikolai Vulchanov

Konsulenti i Komisionit të Venecias, Nikolai Vulchanov, deklaroi dje se anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk duhet të jenë të emëruar të partive politike, por administratorë të ligjit në procesin zgjedhor.
Gjatë seminarit të organizuar dje në Tiranë, me temë: “Trashëgimia zgjedhore europiane. Kodi i praktikave të sjelljes së mirë, lidhur me çështjet elektorale”, eksperti i Komisionit të Venecias kritikoi anëtarët e KQZ-së, duke thënë se këta të fundit ndihen si politikanë pasi në tryezën e KQZ-së zhvillojnë dhe fjalime politike. “Anëtarët e KQZ-së nuk duhet të jenë politikë, ata janë administruesit e ligjit. Dhe nëse ata fillojnë ta perceptojnë veten si politikanë dhe të fillojnë të mbajnë fjalime më KQZ, atëherë rezultati behët shumë i qartë për mua që këtu se me çfarë KQZ-je kemi të bëjmë”, tha dje Vulchanov. Një tjetër pikë së cilës eksperti i vuri theksin ishte dhe vendimmarrja e KQZ-së që në rastet kur anëtarët e saj do të ishin të zgjedhur politikë, atëherë vendimi në çdo rast të kishte të paktën një votë nga opozita.
Përbërja e KQZ
Konsulenti i Komisionit të Venecias theksoi se një variant i rikompozimit të KQZ-së është dhe zgjedhja e anëtarëve nga radhët e Gjyqësorit. Por, edhe ky variant sipas ekspertit bullgar është i rrezikuar nga presioni i madh i politikës gjatë zhvillimit të zgjedhjeve. Vulchanov gjatë fjalës së tij përmendi një rast vendimmarrjeje të një KQZ-je të përbërë nga gjyqtarët, që në dy zgjedhje të zhvilluara kishte marrë vlerësime të ndryshme nga raportet e OSBE/ODIHR. “Ka formate të ndryshme për KQZ-në. Ajo mund të behët nga gjyqtarë që nuk kanë konflikt interesi. Nëse KQZ-ja do të përfshijë gjyqtarë, atëherë duhet të jetë e qartë që këtyre gjyqtarëve nuk u lejohet që të shqyrtojnë çështje që kanë të bëjnë më zgjedhjet. Një shembull i një KQZ-je që kam parë unë përbëhet nga 10 gjyqtarë, dhe ata administrojnë 2 palë zgjedhje në 4 vjet. Dhe një rast një palë zgjedhje me një tension të madh politik, dhe veprimtaria e tyre reflektoi negativisht në vendimmarrje. Ndërsa në rastin e dytë, që nuk kishte influencë të madhe politike, po të njëjtët gjyqtarë treguan se mund ta bënin punën e tyre në mënyrë profesionale”, theksoi Vulchanov.  Këshilltari i Komisionit të Venecias deklaroi dje se teknologjitë e reja në procesin zgjedhor, jo gjithnjë japin rezultat, nëse s’ka vullnet politik. Për Nikolai Vulchanov, nëse palët kanë vullnet për zgjedhje të lira, ato mund të bëhen sipas tij vetëm me laps dhe letër.
Qëndrimi Ristanit
Gjatë seminarit të djeshëm, kryetari aktual i KQZ-së, Arben Ristani, fajësoi klasën politike për mosarritjen e një rezultati zgjedhor të pakundërshtuar nga palët. Zgjedhjet e 8 majit, Ristani i ka quajtur si një mallkim për këdo KQZ që do t’i binte për pjesë të administronte një rezultat të tillë të ngushtë midis dy kandidatëve. “Ajo që na ndodhi në Tiranë është një fat i keq, të cilin besoj se do e kishte mallkuar çdo KQZ në të gjithë botën. Ky ishte fati jonë i keq, na u desh të përballeshim me një rast të tillë që s’ka ndodhur më parë. Si pasojë e kësaj lufte të fortë politike, KQZ-ja doli e plagosur nga kjo beteje, sepse raporti i OSBE/ODIHR-it përmendi që klasa politike mund të shikojë dhe rrugën për të ndryshuar formulën e përbërjes së KQZ-së”, tha Ristani.

Rekomandimet
–    Në rast se kemi të bëjmë me një KQZ politike, atëherë vendimmarrja nuk duhet bërë pa marrë të paktën një votë nga opozita.
–    Formate të ndryshme për KQZ-në, mund të bëhët nga gjyqtarë që nuk kanë konflikt interesi. Nëse KQZ do të përfshijë gjyqtarë, atëherë duhet të jetë e qartë që këtyre gjyqtarëve nuk u lejohet që të shqyrtojnë çështje që kanë të bëjnë më zgjedhjet.
–    Anëtarët e KQZ-së nuk duhet të jenë politikë, ata janë administruesit e ligjit. Dhe nëse ata fillojnë ta perceptojnë veten si politikanë dhe të fillojnë të mbajnë fjalime më KQZ, atëherë rezultati behët shumë i qartë për mua që këtu se me çfarë KQZ-je kemi të bëjmë.
–    Anëtarët e KQZ-së e konsiderojnë vetën më shumë si politikanë, sesa administratorë. Harrojnë që duhet t’i hartojnë vetë aktet, dhe ia kërkojnë nëpunësve civilë që t’i bëjnë këto akte për ta.
–    Vëzhguesit duhet të lejohen në çdo rast që të ndjekin mbledhjet e KQZ-së apo komisioneve të tjera.
–    Futja e teknologjisë në zgjedhje jo detyrimisht do të sjellë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse ka vullnet politik, zgjedhjet e mira mund të bëhen vetëm me një laps dhe një letër.
–    Kundër votimit elektronik. Lë shkas për dekonspirimin e fshehtësisë së votës.
–    Kundër zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare dhe vendore në një datë.

Kreu i KQZ: Puna që bëj është ajo që pëlqej
Ristani: Nëse me propozojnë, gati të pranoj mandatin e dytë
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, theksoi dje se do të pranonte një mandat të dytë në krye të institucionit zgjedhor, nëse maxhoranca do ta propozonte sërish. Ristani iu përgjigj dhe deklaratës së kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ditë më parë vendosi si kusht për zgjedhjet e 2013-s largimin e Ristanit nga KQZ-ja. Por, vlerësimet e punës së tij në krye të KQZ-së, sipas Ristanit nuk mund të bëhen nga PS, por institucionet e specializuara si OSBE/ODIHR-i. “ Kriteri i vlerësimit të punës sime apo KQZ-së është shteti ligjor dhe jo konferenca e radhës për shtyp e kujtdo partie politike në këtë vend. Kriter vlerësimi është shteti ligjor dhe gjykatat kanë folur në mënyrë të vazhdueshme për punën e KQZ-së. Ashtu sikurse ka folur dhe arbitri ndërkombëtar, OSBE-ja dhe ODIHR-i. Përsa u përket zgjedhjeve për vitin e ardhshëm, mandati i KQZ-së mbaron në shkurt të 2013. Puna që bëj është puna që dua dhe që pëlqej”, tha Ristani.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura