
Festa e Pavarësisë së Kuvajtit, flet ambasadori në Tiranë.
Al-Bader: Kuvajti do vazhdojë të financojë projektin e sheshit.
Ka vetëm pak muaj që është hapur në Tiranë Ambasada e shtetit të Kuvajtit, por duket se synimi për të qenë një aktor aktiv në përafrimin ekonomik mes dy vendeve po ecën me ritme të shpejta. Në një intervistë për gazetën, ambasadori i Kuvajtit, Najeeb Al-Bader, shprehet se Ambasada e Kuvajtit do të shërbejë si një pikë kyçe për tërheqjen e investitorëve të këtij vendi për të investuar në Shqipëri. “Në kuadër të themelimit të ambasadës, në shtatorin e vitit të kaluar, shpresoj të kthehemi në një pikë kyçe në tërheqjen e investitorëve kuvajtianë, t’i njohim ata me mundësitë e investimeve potenciale në të gjitha fushat”, shprehet ambasadori. Ai jep vlerësimin e tij lidhur me afrimin politik mes dy vendeve gjatë tri viteve të fundit, duke theksuar mes të tjerash se njohja e historisë dhe kulturave do të shërbejë si ura komunikimi. Lidhur me financimin e projektit për sheshin në qendër të Tiranës, ambasadori konfirmon se Kuvajti do të vijojë me financimin e projektit.
Gjatë dy-tri viteve të fundit ka pasur një afrim të madh ekonomik dhe politik mes Shqipërisë dhe Kuvajtit, bashkëpunim i cili është konkretizuar edhe me kreditime të ndryshme. Pse mendoni se gjatë këtyre viteve, pas 1990, Shqipëria ka qenë larg Kuvajtit dhe është afruar vetëm tani?
Nga krerët e lartë të të dyja shteteve ka pasur një dëshirë për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat. Shteti i Kuvajtit njeh më së miri rëndësinë strategjike dhe dinamizmin e rajonit të Ballkanit në Europë. Në këtë kuadër do të risjell në kujtesë praninë e shtetit të Kuvajtit në Shqipëri që nga periudha e shembjes së regjimit komunist në vitin 1993, e konkretizuar kjo prezencë nëpërmjet zhvillimit të programeve dhe projekteve të sponsorizuara nga Fondi i Kuvajtit për Zhvillim Ekonomik, në aspektin e progresit social, fushën e transportit, ndërtimin dhe rehabilitimin e akseve rrugore, investimet në hoteleri-turizëm etj. Ky bashkëpunim u thellua më tej në vitin 2008 me nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për konsolidimin e bashkëpunimit në sektorin ekonomik, atë të turizmit, kulturës dhe investime të ndryshme. Në vazhdimësi shikoj përpjekjet e vazhdueshme të të dy vendeve për arritjen e qëllimeve dhe aspiratave të përbashkëta. Përfitoj nga rasti të përgëzoj rolin vendimtar të shtetit shqiptar në mbështetje të kauzës së drejtë të popullit të Kuvajtit gjatë pushtimit nga Iraku, në vitin 1990. Që prej asaj kohe nuk shikoj asnjë distancë në marrëdhëniet dypalëshe, por përkundrazi, ka një intensifikim të këtyre marrëdhënieve gjatë tri viteve të fundit.
A mendoni se është kriza ekonomike europiane që po e afron Shqipërinë me vendet e Gjirit, apo është thjesht një zhvillim politik i vonuar?
Duke iu referuar raporteve ekonomike ndërkombëtare, situata aktuale e ekonomisë botërore po përjeton një sërë problematikash, siç është kriza e borxhit europian, inflacioni, çekuilibrim në bilancet e jashtme dhe papunësia. Ekonomia botërore përjetoi recension gjatë vitit 2011 dhe të gjitha parashikimet janë që ky ngadalësim do të vazhdojë edhe gjatë viteve 2012-2013. Kjo situatë e krijuar ka diktuar marrjen e masave të rrepta të kursimit me pasojë recensionin ekonomik botëror, por shpresoj që zona e euros të pësojë rritje ekonomike për t’i dhënë frymë edhe ekonomisë globale. Mendoj se vendet në zhvillim janë ende të ndjeshme ndaj recensionit ekonomik në vendet e zhvilluara, por ka progres në drejtim të krijimit të vendeve të punës, edhe pse këto vuajnë nga probleme të tilla si pagat e ulëta apo nivele të ulëta të mbledhjes së kontributeve shoqërore. Për këtë arsye, mund të them se nuk ka shtet të imunizuar dhe të paprekur nga kriza në zonën e euros.
Gjatë gjithë viteve të tranzicionit, por tashmë edhe pas krizës ekonomike europiane ka pasur një pritshmëri të shfaqur popullore për një ndihmë që mund të vijë nga vendet arabe. Por realiteti është tjetër, në Shqipëri ka shumë pak investime kuvajtiane? Pse ndodh kjo?
Në kuadër të themelimit të Ambasadës ,në shtatorin e vitit të kaluar, shpresoj të kthehemi në një pikë kyçe në tërheqjen e investitorëve kuvajtianë, t’i njohim ata me mundësitë e investimeve potenciale në të gjitha fushat, pavarësisht investimeve aktuale kuvajtiane në sektorin privat të hoteleri-turizmit që nga viti 1993. Hapja e ambasadës do të ndikojë pozitivisht në forcimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat dhe përfitoj nga rasti të shpreh kënaqësinë time që jam rezident në Tiranë. Kjo reflekton më së miri rëndësinë që i jep shteti i Kuvajtit zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve bilaterale në të gjitha nivelet dhe veçanërisht në rritjen e investimeve, bashkëpunimit tregtar, shkëmbimit kulturor, eksperiencës dhe përvojave të ndryshme, ashtu si dhe hapja e Ambasadës Shqiptare në Kuvajt pasqyron më së miri interesin e përbashkët të të dyja vendeve. Prezenca në Shqipëri e përfaqësive të reja diplomatike e vendeve arabe, si ajo e shtetit të Kuvajtit, Katarit, që do të pasohet edhe me hapjen e Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe do të ndikojnë pozitivisht në konsolidimin dhe thellimin e marrëdhënieve me botën arabe.
Shqipëria ka deklaruar votën e saj në OKB kundër Palestinës? Mendoni se kjo lëvizje do të vështirësojë marrëdhëniet me Kuvajtin apo vendet e tjera arabe?
Ne vlerësojmë qëndrimet parimore dhe të guximshme të Shqipërisë në lidhje me kauzën arabe dhe do të bëjmë që qëndrimi i qeverisë dhe popullit shqiptar të jetë përkrah çështjeve të ligjshme arabe dhe në veçanti ajo që ka të bëjë me çështjen e paqes në Lindjen e Mesme. Nga një këndvështrim i drejtë i çështjes palestineze, të drejtës së popullit palestinez për liri dhe tërheqjes së plotë të trupave ushtarake nga tokat e pushtuara arabe që në vitin 1967, në përputhje dhe me rezolutat ndërkombëtare, ne kemi bindjen e plotë se paqja dhe drejtësia nuk do të plotësohen vetëm me krijimin e shtetit Palestinez të pavarur, me qëllim garantimin e sigurisë dhe paqes në botë. Pranimi i shtetit Palestinez si anëtar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, (UNESCO) do të kontribuojë në procesin e paqes, dhe ne kemi besimin që Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë qëndrimet arabe.
Shqipëria është vend me një shumicë myslimane, por e vendosur qartë gjeografikisht në Europë. A mendoni se politika shqiptare mund të shërbejë si një urë lidhëse mes Europës dhe vendeve arabe?
Pa diskutim që shqiptarët kanë njohje të plotë rreth çështjeve dhe problematikave arabe, përveçse ka dhe shumë elementë të përbashkët kulturorë dhe historikë, të cilët do të shërbejnë për ndërtimin e “urave të komunikimit” me Europën.
Shqipëria po privatizon Albpetrolin, Kuvajti është një vend i rëndësishëm në tregun e naftës. Vite më parë u privatizua edhe rafineria në Shqipëri. Pse nuk ka pasur vëmendje nga Kuvajti për këto?
Kuvajti mirëpret zhvillimin e çdo bashkëpunimi në këtë fushë, duke iu referuar dhe eksperiencës që posedon ky shtet në sektorin e naftës. Ne mundemi të forcojmë bashkëpunim dhe nëse do të ketë një kërkesë zyrtare për këtë çështje, sigurisht që do të merret në konsideratë të veçantë nga shteti i Kuvajtit.
Cilët janë disa nga sektorët që ju i shihni si potencialë për të investuar në vend? Energjia? Turizmi?
Unë mendoj se ka potencial për bashkëpunim si në fushën e turizmit edhe të energjisë, dhe është i nevojshëm stimulimi dhe aktivizimi i bashkëpunimit mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të të dyja vendeve, duke e konkretizuar me zhvillimin e seminareve të përbashkëta, për të prezantuar mundësitë e investimeve potenciale në të gjithë sektorët.
Çfarë po ndodh me sheshin? Ju dhatë disa milionë USD, ndërkohë që projekti fillestar u ndryshua. Vazhdon Kuvajti të financojë këtë projekt?
Rikonstruksioni i sheshit “Skënderbej” është një grand bujar i shkëlqesisë se tij, Amirit të Kuvajtit, Sabah Al Ahmed Al Xhabir Al Sabah dhe përfaqëson një nga aspektet e bashkëpunimit të përbashkët në rrafshin e zhvillimit të infrastrukturës dhe ne respektojmë vendimin e autoriteteve përgjegjëse në Shqipëri lidhur me këtë çështje. Shteti i Kuvajtit vazhdon të sponsorizojë projektin sipas mekanizmave të vendosur nga Fondi i Kuvajtit për Zhvillim Ekonomik dhe për të cilën është rënë dakord nga të dyja palët.
Cilat janë aspiratat e punës suaj në Tiranë?
E konsideroj mjaft të rëndësishme prezencën e investitorëve kuvajtianë në Shqipëri për aktivizimin e marrëdhënieve ekonomike nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve për promovimin e investimeve të përbashkëta. Në këtë kontekst, dua të theksoj rëndësinë që i japin krerët e lartë të të dyja vendeve mike, forcimit të marrëdhënieve bilaterale dhe vënien në dispozicion të strukturave përkatëse për investime të përbashkëta.
Cilat janë marrëveshjet më të rëndësishme bilaterale të nënshkruara me shtetin e Kuvajtit?
Ka një numër marrëveshjesh të rëndësishme bilaterale të nënshkruara me shtetin e Kuvajtit, që lidhen me forcimin e bashkëpunimit në rrafshin kulturor e teknik, gjithashtu konsolidimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe zhvillimin e turizmit. Shpresoj që do të hyjë në fuqi dhe shmangia e tatimit të dyfishtë, i cili do të kontribuojë në favor të rritjes së bashkëpunimit reciprok.
Më 25 shkurt ju festoni dhe Ditën e Pavarësisë së shtetit të Kuvajtit. Çfarë përfaqëson kjo ditë për ju dhe cilat janë përgatitjet që po bën Ambasada me rastin e kësaj feste?
Përfitoj nga rasti të përcjell urimet më të përzemërta për Amirin e Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Ahmed Al- Sabah dhe për të gjithë popullin e Kuvajtit me rastin e 51-vjetorit të Festës së Pavarësisë dhe 21-vjetorin e Festës së Çlirimit. Kjo ditë risjell në mendjen tonë përpjekjet dhe sakrificat e të parëve tanë në emër të lirisë, dinjitetit të popullit, pavarësisë, zhvillimit dhe prosperitetit të shtetit të Kuvajtit. Është një ditë e rëndësishme për të gjithë popullin e Kuvajtit, e cila përforcon ndjenjën e kombëtarisë dhe dashurisë për atdheun. Ambasada e shtetit të Kuvajtit në Tiranë po bën të gjitha përgatitjet për një festim solemn, ku janë të ftuar personalitetet më të larta të qeverisë shqiptare, përfaqësues të medias, përfaqësues të organizatave joqeveritare, miq etj.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











