![piro-ahmetaj[1]](https://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2012/02/piro-ahmetaj1-300x240.jpg)
“Dje komunikoi për herë të parë në telefon me familjarët, për Fetiun s’i kemi treguar”
“Aleksandri tashmë është qartësisht jashtë rrezikut për jetën dhe shëndeti i tij sa vjen e përmirësohet ndjeshëm. Spitali ku mjekohet ka ekspertizën dhe pajisjet më të mira në botë për këto raste”. Ky është lajmi më i fundit që mësojmë nga kontakti me kolonel Piro Ahmetin, përfaqësues ushtarak kombëtar në Komandën Supreme të NATO-s në Europë (SHAPE), i cili ka qenë pranë tij që në çastet e mbërritjes në Spitalin Ushtarak amerikan në Landstuhl të Gjermanisë. Sakaq, ushtaraku i lartë konfirmoi se Aleksandri ditën e djeshme ka mundur të çohet e të komunikojë në telefon me Kryeministrin Berisha dhe familjarët e tij…
Zoti Piro! Ju keni qenë pranë Aleksandër Pecit qysh në çastet e mbërritjes në Spitalin Ushtarak amerikan në Landstuhl të Gjermanisë. Cila ishte gjendja e tij?
Kanë qenë momente shumë emocionante ato të kontaktit të parë me Aleksandrin pas mbërritjes në spital. Kjo jo vetëm për personelin shqiptar, por edhe për ushtarakët e kombësive të tjera. Ishin çaste kritike, duke pasur parasysh jehonën e shkaktuar nga lajmi për sulmin e 20 shkurtit në Kandahar, ku humbi jetën kapiten Feti Vogli dhe u plagos rëndë Aleksandri. Në momentet e para, pranë tij qëndronin vetëm mjekët që e kishin shoqëruar nga Afganistani dhe ata të spitalit pritës. Ne mundëm ta shikojmë nga afër kur ishte rivendosur në aparatura. Dukej i përgjumur. U desh një farë kohe të reagojë…
Deri në ato momente nuk ishte përmendur…
Në fakt, ai ishte përmendur që në spitalin e Afganistanit, por jo plotësisht. Aty madje edhe kishte reaguar, por plagët, ekzaminimi intensiv nuk e lejonin të shqiptonte lirshëm. Nga aq sa na shpjeguan mjekët që ishin kujdesur për të, mësuam rreziqet që ishin kapërcyer. Megjithatë, për ta gjendja mbetej serioze. Përkujdesja e tyre ishte e jashtëzakonshme.
Ju patët rastin të komunikonit i pari me Aleksandrin, çfarë ju tha?
Një moment teksa rrinim pranë shtratit të tij me kundëradmiral Gervenin, ai hapi sytë e si na dalloi, shqiptoi diçka që na tronditi. “Ku është komandant Fetiu… si është komandant Fetiu… atë e qëlluan më keq”. Zëri i tij paksa i ngjirur erdhi si një drithërimë. Një çast mbetëm si të shtangur. Aty për aty vështruam nga mjekët që interesoheshin për fjalët e Sandrit.
Shqiptimi i tyre për ta ishte mjaft domethënës. U munduam ta qetësojmë, kuptohet pa i thënë gjë për fatin e komandantit që ishte vrarë në Kandahar. Si e “siguruam” për këtë, u kujtua të na porositë që të mos i thoshim gjë familjes së tij. “Le ta marrin vesh kur të shërohem”, tha. Një kurajë e jashtëzakonshme kjo e Aleksandrit…
Si ndihet aty interesimi i autoriteteve shqiptare dhe atyre të NATO-s për shëndetin e Aleksandrit?
Është një interesim i jashtëzakonshëm dhe i gjithanshëm, ku do të veçoja ndjeshmërinë dhe angazhimin tërësisht prindëror të ministrit të Mbrojtjes, zotit Arben Imami dhe të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Xhemal Gjunkshi. Ndërkaq duhet të përmendet me mirënjohje mbështetja e madhe nga komandanti i Komandës Supreme te NATO-s në Europë, admiral James Stavridis, dhe komandanti i Operacionit në ISAF, gjeneral me 4 yje John R. Allen, personeli mjekësor në KAF, Kandahar, i spitalit Bargam, Kabul, dhe në mënyrë të veçantë Qendrën Spitalore Amerikane ne Ramstain, Gjermani…
Po sot (dje) si ka qenë gjendja e Aleksandrit?
Shëndeti i Aleksandrit është duke u konsoliduar në vazhdim. Sot (dje) për herë të parë është ngritur nga shtrati dhe ka lëvizur. Madje, ka mundur të komunikojë edhe në telefon. Bisedën e parë e ka bërë me Kryeministrin Berisha. Aty e mësoi që lajmi kishte mbërritur në Shqipëri. Emocionuese ishte biseda me familjarët, babain, nënën, motrën. Pra, fatmirësisht nuk ka me pikëpyetje për jetën, është plotësisht jashtë çdo rreziku. Sidoqoftë, për fatin e Fetiut, ende nuk di gjë. Në gjendjen shëndetësore që është mjekët këshillojnë për ta mbajtur larg ngjarjeve të tilla…
Telefonata
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një bisedë telefonime me nëntetarin Aleksandër Peci, i cili ndodhet për një trajtim më të specializuar në Spitalin Ushtarak amerikan në Landstuhl, në Gjermani. Berisha i shprehu Aleksandrit urimin e tij dhe të mbarë shqiptarëve për shërim të shpejtë e të plotë dhe kthimin shëndoshë e mirë në familje dhe në atdhe. Shefi i qeverisë shprehu mirënjohjen e thellë dhe krenarinë e tij për misionin fisnik të paqeruajtësit që Aleksandri dhe të gjithë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët e tjerë kryejnë në Afganistan, në kuadrin anëtarësimit në NATO, me burrëri, profesionalizëm dhe dinjitet të veçantë.Ambasadorët
I pranishëm në ceremoninë e djeshme mortore, ambasadori i KE-së në Tiranë, Etore Sekui, i dorëzoi një letër babait të kapiten Feti Voglit, ku shprehte ngushëllimet e tij për rënien e ushtarakut në detyrë. Sekui nënvizon në letër se gjatë gjashtë viteve të misionit të vet në Afganistan është takuar disa herë me ushtarakë shqiptarë duke vlerësuar punën e komandove shqiptarë. “Aty i kam admiruar ata për guximin e jashtëzakonshëm, përkushtimin ndaj detyrës, karakterin, profesionalizmin, humanizmin dhe shërbimin ndaj atdheut të tyre. E kam parë personalisht angazhimin e tyre dhe kam çmuar vlerat njerëzore dhe ato etike. Feti Vogli do të kujtohet gjithnjë në këtë mënyrë”, shkruan ambasadori Sekui
në letrën e tij.
AFRIM IMAJ
© Panorama.al











