Një projekt filmik që mbështetet mbi temën e emigracionit, ka fituar mbështetjen financiare të “Eurimages”.Titullohet “Agon” dhe është me skenar dhe regji të Robert Budinës. Sipas një njoftimi nga Qendra Kombëtare Kinematografike (QKK), mësojmë se në takimin e radhës së “Eurimages”, që u zhvillua në Helsinki, nga 6-10 qershor, nga 47 projekte filmash me metrazh të gjatë, nga vende të ndryshme të Europës, të paraqitura për të përfituar mbështetje financiare nga ky organizëm, u përzgjodhën 19 fitues. Midis tyre u radhit dhe projekti shqiptar me titull “Agon”, me skenar dhe regji të Robert Budines, prezantuar nga shtëpia filmike “Erafilm”, me producente Sabina Kodra. Shqyrtimi i dosjeve zgjati 3 ditë. Sipas QKK-së, projekti shqiptar u shpall fitues me 30 pikë, duke fituar një fond prej 140 000 eurosh.
Filmi
“Agon” është një histori mërgimi dhe integrimi. Ai trajton historinë e dy vëllezërve shqiptarë që jetojnë e punojnë në vendin fqinj, Greqi, ku njëri përpiqet të integrohet atje me punë të ndershme, ndërsa tjetri, për shkak të moshës së re, mashtrohet prej fitimit të shpejtë, duke u futur në një rrugë pa krye, me trafiqe të paligjshme e përballje të rrezikshme. Ngatërresë kjo e cila nuk mund të mos përfshijë edhe vëllain e madh, i cili nuk mund të qëndrojë indiferent, teksa i vëllai bie në humnerë. Filmit nuk do t’i mungojë edhe një linjë dashurie mes një shqiptari (vëllait të madh) dhe një grekeje, një lidhje e paragjykuar, e cila do të hasë jo pak vështirësi. E duket se ky skenar, i cili nuk mbetet vetëm brenda kuadrit shqiptar, ka tërhequr jurinë e “Eurimages”. Por edhe pa fituar mbështetjen e Forumit Europian të Kinematografisë, Budina i kishte vënë ca punë në vijë. Teksa ka gjetur bashkëproducentët (Lilette Botassi nga “Inkas Film”, Greqi, Dan Burlac nga “Elefant Film”, Rumani, Guillame De Seille “Arizona Film”, Francë), ka realizuar gjysmën e punës për kastin e aktorëve. Tanimë është zgjidhur pala greke. Bëhet fjalë për aktoren Isabella Kogevina dhe Andonis Kafetzopulos. Sa i takon palës shqiptare, audicionet janë ende të hapura. Ato kanë nisur qysh në datën 30 maj në ambientet e Akademisë së Arteve (ora 14:00-17:00), ku stafi realizues po zhvillon kinoprova me të rinj nga 17-30 vjeç. Pas plotësimit të kastit, pritet që xhirimet të nisin në tetor.
Konkurrimi
Projekti i filmit “AGON” ka kaluar më parë përmes përzgjedhjes së Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Në qershor të vitit 2010, Këshilli i Miratimit të Projekteve pranë QKK e ka shpallur atë një nga projektet fituese, duke i dhënë të drejtën e mbështetjes financiare. Pas mbështetjes së QKK, ky projekt ka gjetur partnerë bashkëprodhues në Greqi, Rumani dhe Francë. Kështu që, përpara jurisë së “Eurimages” projekti u mbrojt nga përfaqësuesi shqiptar në “Eurimages”, kryetari i QKK, Artan Minarolli, si dhe përfaqësuesit grekë, rumunë dhe ai francez. Financimi për realizimin e filmit shqiptar nga “Eurimages” konsiderohet nga QKK si një tjetër sukses i kinemasë shqiptare. “Me mbështetjen e këtij projekti nga organizmi i rëndësishëm europian, konfirmohet edhe një herë niveli shumë i mirë i kinemasë shqiptare dhe i këtij projekti në veçanti”, thuhet në komunikatën për shtyp.
Mbështetja e dytë
“Eurimages” është Fondi Europian për mbështetjen e bashkëprodhimeve dhe shpërndarjes së veprave krijuese kinematografike dhe audiovizuale. Shqipëria është bërë anëtare në “Eurimages” në shtator të vitit 2009. “AGON” është projekti i dytë shqiptar që fiton në “Eurimages”, mbas filmit “Amnistia”, i cili deri më tani ka marrë pjesë në disa festivale prestigjioze, si ai i Berlinit, ku ka fituar edhe çmim, si dhe është shfaqur edhe në kinematë shqiptare.
ALMA MILE
© Panorama.al











