“21 janari”, tre deputetët e PS në dorë të Ina Ramës

Jul 10, 2012 | 14:59
Nga demonstrata e 21 janarit

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar procesin e pyetjes së rreth 30 personave të konsideruar si dëshmitarë në dosjen e hapur për organizatorët e veprimeve të dhunshme të 21 janarit 2011. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme kanë bërë të ditur se pak ditë më parë, në këtë institucion është relatuar përfundimi i procesit të marrjes në pyetje të dëshmitarëve në çështjen penale të hapur ndaj tre deputetëve të PS, Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Baraj. Në datën 20 janar 2012, Prokuroria e Përgjithshme iu drejtua Kuvendit të Shqipërisë me kërkesën për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë, ndërsa pas heqjes së mbrojtjes parlamentare ndaj tyre filloi hetimi. Prokuroria e Përgjithshme ngarkoi Prokurorinë e Tiranës për kryerjen e disa veprimeve hetimore, siç ishte pyetja e rreth 30 personave, pjesëmarrës në protestën e 21 janarit, të cilët ishin evidentuar si pjesëmarrës në aktet e dhunës, sulm ndaj Kryeministrisë, goditje ndaj policëve e gardistëve apo djegie të automjeteve pranë vendngjarjes. Në mars të këtij viti, Prokuroria e Tiranës filloi marrjen në pyetje të personave të skeduar, proces që vazhdoi për disa muaj. Nga 30 personat që u morën në pyetje, rreth 20 prej tyre janë shtetas të dënuar nga Gjykata e Tiranës për akuzat e kundërshtimit me dhunë të punonjësve të Policisë, tubim të paligjshëm apo shkatërrim prone në lidhje me ngjarjet e 21 janarit. Në përfundim të procesit të marrjes në pyetje të personave pjesëmarrës në aktet e dhunës, Prokuroria e Tiranës ia ka kthyer dosjen Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo e fundit është kompetente për hetimin e personave me imunitet, përfshi edhe tre deputetët. Fashikulli hetimor ndodhet tashmë në Prokurorinë e Përgjithshme ende pa një vendimmarrje.
Ina Rama
Pas përfundimit të veprimeve hetimore me dosjen e organizatorëve të dhunës së 21 janarit, dosja ndodhet tashmë në zyrën e prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Vendimmarrja në lidhje me këtë dosje do t’i takojë kryeprokurores, nëse do të vendosë dërgimin e saj në gjyq apo pushimin e akuzës. Më 23 janar 2102, në një deklaratë të përbashkët me ambasadorin e SHBA në Tiranë, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi:  “Organi i Prokurorisë, në kuadër të një hetimi gjithëpërfshirës dhe të gjithanshëm të çështjes, çmon se duhet të vazhdojnë hetimet për të arritur në një konkluzion përfundimtar nëse veprimet e dhunshme në protestën e datës 21 janar kanë qenë të organizuara dhe, nëse po, cilët janë personat organizatorë”. Sipas prokurores së Përgjithshme, në funksion të këtij qëllimi, ishte e nevojshme kryerja e disa veprimeve hetimore ndaj disa deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët për shkak të një roli aktiv gjatë zhvillimit të protestës së datës 21 janar 2011 dhe të indicieve e të dhënave të grumbulluara, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se, me veprimet e kryera gjatë zhvillimit të kësaj proteste, kanë konsumuar veprën penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”, parashikuar nga neni 262 i Kodit Penal. Ina Rama tha se për të sqaruar plotësisht pozicionin e deputetëve Besnik Baraj, Tom Doshi dhe Taulant Balla në raport me ngjarjet e datës 21.01.2011, për veprën penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, ka lindur e domosdoshme kryerja e disa veprimeve hetimore ndaj tyre. Për këto arsye, Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për procedim të këtyre deputetëve. Autorizimi u dha nga Kuvendi, por kur kanë kaluar mbi 5 muaj nga heqja e imunitetit, dosja ndodhet ende pa një vendimmarrje në Prokurorinë e Përgjithshme.                      tr.so

“Gafa e Policisë” në korrik 2011
Duke shfrytëzuar një gafë të Policisë së Tiranës të ndodhur një vit më parë, Prokuroria e paraqiti veten si iniciatore dhe këmbëngulëse të hetimit në lidhje me organizatorët e dhunës më 21 janar. Kështu, prokurorja e Përgjithshme përmendi një relacion të Policisë së Tiranës dërguar në Prokurori më korrik 2011, ku thuhej se nuk ishin gjetur prova për organizatorët e dhunës dhe thirrje për akte dhune më 21 janar. Prokuroria deklaroi se pavarësisht këtij relacioni të bërë nga Policia, organi i akuzës ka kërkuar vazhdimin e hetimeve duke mos i pushuar ato.

© Panorama.al

Te lidhura