“21 janari”, Prokuroria: Prendi qëlloi kur u hap porta e Kryeministrisë

May 3, 2012 | 15:25

Ish-komandanti i Gardes, Ndrea Prendi ne gjykate

Prokuroria zbardh skemën e vrasjes së Ziver Veizit, Myrtajt e Dedës.

Dosja për 21 janarin: Demonstruesit shpartalluan derën. Prokuroria quan person civil Drejtorin e Policisë Bashkiake.

Të shtënat me armë zjarri në demonstratën e 21 janarit kanë ardhur në një moment kur “gardhi” mbrojtës i Gardës së Republikës ishte çarë si pasojë e goditjeve me pllaka, mjete të forta dhe bomba molotov nga ana e protestuesve. Personat që kanë qëlluar të parët me armë zjarri, kanë qenë komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe shefi i Shtabit të Njësisë Speciale Agim Llupo, me sa duket në një moment paniku, pasi porta Nr.1 e Kryeministrisë ishte hapur dhe kordoni i gardistëve ishte hapur si pasojë e goditjeve me mjete të forta nga demonstruesit.
Sipas akuzës disa persona nga turma u përpoqën të qetësojnë demonstruesit, mes tyre përmendet Zyhdi Dajti, drejtor i Policisë Bashkiake në atë kohë, i cili quhet person civil. Prokuroria bëri publike dje kërkesën për gjykim ndaj Ndrea Prendit, e Agim Llupos të akuzuar për vrasjen e Faik Myrtajt, Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës, dhe Margarit Kumes, i akuzuar për pengim në zbulimin e të vërtetës. Sipas Prokurorisë, nga ekspertimi në rrobat e viktimave, është konstatuar se nuk ka pasur faktorë plotësues (barut), çka tregon se vrasja e tyre nuk është bërë nga afër. Po kështu, në kërkesën e Prokurorisë zbardhet edhe fakti se zbulimi i armëve të Ndrea Prendit dhe shoferit të tij ka ndodhur pikërisht nga prania e faktorëve plotësues në to.
Kërkesa e prokurorisë
Pasi përshkruan ngjarjen dhe vendosjen e efektivave të Gardës, Prokuroria thekson se rreth orës 14:20-14:30, komandanti i Njësisë Speciale, shtetasi Alfred Ahmetcenaj, ka urdhëruar efektivat e njësisë së tij të planizuar në atë sektor, që të kalonin në pozicionet e përcaktuara sipas planit të masave. Pas këtij momenti, sulmi i demonstruesve është shtuar dhe janë hedhur drejt efektivave të Gardës sende të forta, si gurë, pllaka trotuari, pllaka mermeri, bomba “Molotov”, si dhe u është vënë zjarri pemëve që ndodheshin në pjesën përpara Kryeministrisë, nga ana perëndimore. Gjatë kësaj kohe, nga ana e shërbimeve në ruajtje të objektit është hedhur gaz, i cili për shkak të disa rrethanave përveçse largoi paksa turmën e protestuesve, ka ndikuar negativisht dhe në kondicionin fizik të trupave policorë të ndodhur aty, të cilët janë shpërndarë duke u larguar nga pozicionet e përcaktuara sipas planit të hartuar. Ndërkohë që  një pjesë e protestuesve kishin hipur në kangjellat e murit rrethues të Kryeministrisë, por pa tentuar që të futeshin brenda objektit. Me ndërhyrjen e disa personave civilë pjesëmarrës në demonstratë, si Zyhdi Dajti etj., nga thirrjet me megafon të komandantit të Njësisë së Dytë Dashamir Shehu, thirrjet me zë të lartë nga efektivat e Gardës në terren, të cilët u kërkonin largimin nga objekti demonstruesve dhe pas kalimit të automjeteve shihedhëse, një pjesë e demonstruesve janë larguar nga sheshi para Kryeministrisë për të kaluar nga ana e “Piramidës”. Të hipur në lartësi, ata kanë filluar të godasin me pllaka guri, pllaka trotuari, gurë e bomba “Molotov”, jo vetëm efektivat e Gardës që ndodheshin në sektorin verior, por edhe objektin e Kryeministrisë ku tek “Porta Nr.1” nuk kishte efektiva policie, por gjithsesi ajo ishte e mbyllur dhe e padëmtuar.
Nga sulmet masive me mjete të forta si gurë, pllaka trotuari, pllaka mermeri, bomba “Molotov” etj., pjesa më e madhe e efektivave të Gardës me shërbim në sektorin verior e perëndimor të objektit, kanë pësuar dëmtime fizike, kryesisht në ekstremitete. Goditjet me mjete të forta ndaj efektivave të Gardës kanë vijuar si nga “Porta Nr.1”, ashtu edhe nga “Piramida”, ku intensiteti i goditjeve ka ardhur duke u shtuar. Një pjesë e demonstruesve, duke përfituar nga fakti që forcat policore ishin larguar nga vendi i tyre i shërbimit, kanë vepruar me forcë për të hapur “Portën Nr.1” dhe, pasi porta u hap duke u shqyer dryni i zinxhirit lidhës, një grup prej tyre ka tentuar të futet brenda në objekt.
Në këtë moment, komandanti i Njësisë së Dytë, Dashamir Shehu, për disa minuta rresht u ka bërë thirrje me megafon demonstruesve, duke u thënë: “…qytetarë, ju po shkelni rregullat, ju po shkelni ligjet, keni hyrë në zonat e sigurisë, ndaj jush do të veprohet sipas ligjit!…”. Por pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të efektivave të Gardës në terren, turma e protestuesve nuk është larguar, por përkundrazi ka vijuar të qëllojë me mjete e sende të forta ndaj tyre. Ne kundërpërgjigje të këtyre veprimeve të dhunshme ka filluar hapja e zjarrit në ajër me fishekë manovre, nga një pjesë e efektivave të Njësisë së Dytë me komandant kap. Çelnik Hasa, kurse pjesa tjetër e efektivave të seksionit qëllonte me fishekë luftarakë në ajër.
Në këtë moment, grupi i Njësisë Speciale, me drejtues Sokol Sulën dhe seksioni i dytë i Njësisë së Dytë me drejtues Rexhep Qirën, të pajisur me mjetet teknike të posaçme, në zbatim të planit të masave, janë afruar nga mesi i rrugës për tek “Porta Nr.1”, kanë ndërhyrë forcërisht me shkopinj gome e mburoja, duke arritur që të nxjerrin jashtë portës grupin e personave, që kishin mundur të futeshin pak metra brenda rrethimit të objektit të Kryeministrisë, por pa arritur të mbyllnin “Portën Nr.1”. Për  shkak të goditjeve që kishin pësuar nga sulmi i protestuesve me mjete të forta e shishet me lëndë djegëse, efektivat e seksionit të dytë të Njësisë së Dytë dhe ato të Njësisë Speciale, në këtë kohë nuk kanë qenë të pozicionuara në vendet e tyre të shërbimit sipas planit të masave, duke krijuar në këtë mënyrë një hapësirë boshe (korridor) midis protestuesve që ndodheshin jashtë rrethimit të objektit nga njëra anë dhe efektivave të Njësisë Speciale, pjesë e “Grupit të Zjarrit”, konkretisht shtetasit Agron Malaj, Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli, Sadik Çela dhe të pandehurit Agim Llupo nga ana tjetër.
Pranë kësaj zone, e cila ka rezultuar zona më e nxehtë e konfliktit, ka qenë dhe vetë i pandehuri Ndrea Prendi, me cilësinë e komandantit të Gardës së Republikës, i armatosur me armën e tij personale, pistoletën “Beretta” me numër P52796 Z-, me uniformë dhe skafandër në kokë, i shoqëruar nga shtetasi Ilir Duraku, i planizuar si “bodyguard” i tij ditën e ngjarjes, i  pandehuri Margarit, si dhe shtetasi Renis Tahiri, të gjithë këta të pozicionuar natyrisht në mënyrë fikse në pjesën e sektorit ku ishin edhe efektivat e “Grupit të Zjarrit”. Rreth orës 16:00-16:10, nga Ndrea Prendi dhe të pandehurit Agim Llupo është qëlluar në mënyrë të njëkohshme në drejtim të protestuesve, veprim ky i cili është pasuar dhe nga qitje të tjera të realizuara nga efektivat e “Grupit te Zjarrit”, si Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli, Sadik Çela, si dhe shtetasit Ilir Duraku e Renis Tahiri. Si pasojë e këtyre qitjeve kanë humbur jetën shtetasit Ziver Veizaj, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, si dhe kishin pësuar dëmtime të ndryshme të shkaktuara me armë zjarri 7 shtetas të quajtur Fatos Mahmutaj, Erald Bisha, Sokrat Gode, Artes Dybeli, Ilia Qesko, Ilia Papa, si dhe Aleks (Aleksandër) Nika, i cili pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak është dërguar për kurim të mëtejshëm ne Turqi, ku dhe ka vdekur pas disa ditësh.

“Kasaj fshiu pamjet e kamerës që pa vrasjet”

Ish-shefi i IT ne Kryeministri, Armando Kasaj (majtas) nga ngjarjet e 21 janarit 2011

Prokuroria: Kamera nr. 2 regjistroi një nga vrasjet, filmimet u zhdukën

Dëshmia e ish-shefit të IT në Kryeministri: Pamjet e kopjuara i lashë në zyrë, s’di kush i ka marrë
Prokuroria e Përgjithshme publikoi dje kërkesën për gjykimin e ish-shefit të IT-së të Kryeministrisë, Armando Kasaj, i akuzuar për pengim në zbulimin e së vërtetës në dosjen “21 janari”. Sipas Prokurorisë, pas vrasjes së katër personave në demonstratë, prokurori i Tiranës kishte urdhëruar verbalisht administratën e Kryeministrisë të ruanin pamjet.
Kërkesa e Prokurorisë
Më pas, me kërkesën e datës 26 janar 2011, është kërkuar nga Prokuroria materiali filmik i kamerave, por më 15 shkurt 2011, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë ka kthyer përgjigje ku ka dërguar vetëm regjistrimet e një kamere lëvizëse për të cilën shpjegohej se ndodhej në tarracën e Kryeministrisë ditën e ngjarjes. Prokuroria e ka përsëritur kërkesën më 15 shkurt 2011 dhe dy ditë më vonë ka marrë përgjigje se kamerat e përmendura në shkresën e Prokurorisë i përkasin sistemit kryesor, i cili është jashtë funksionit që prej fundit të vitit 2009. Më 4 mars 2011, është sekuestruar hard-disku i serverit të Kryeministrisë dhe po në këtë datë, Këshilli i Ministrave ka dërguar edhe një informacion shtesë në lidhje me sistemin e vëzhgimit të Kryeministrisë, duke përcjellë edhe regjistrimet e një kamere tjetër nga një kamera lëvizëse që ishin dërguar pamjet më parë. Pas sekuestrimit, hard-disku është dërguar për ekspertizë, ku ka dalë se pajisja nuk ka qenë e programuar për të kryer formatim automatik. Nga data 01.01.2011 deri më datë 04.03.2011, kësaj pajisjeje i është bërë formatim i hard-diskut, përkatësisht më datë 21.01.2011, ora 12:14:14, më datë 22.01.2011, ora 00:51:52 dhe më datë 28.02.2011, ora 12:10:21. Më datë 21.01.2011, ora 19:24:00 deri në orën 19:36:31, është  realizuar kopjimi i të dhënave të regjistruara, duke i regjistruar ato në një pajisje të jashtme (hard-disk, USB, DVD-R, CD-R).
Pajisja ka qenë në punë deri më datë 04.03.2011. Pajisja ishte konfiguruar që të fshinte automatikisht regjistrimet më të vjetra së shtatë ditë (pra regjistrimet e datës 21.01.2011 fshiheshin automatikisht më datë 28.01.2011. Pas kësaj ekspertize në Tiranë, Prokuroria kërkoi ekspertizë në SHBA, ku u konfirmuan ndërhyrjet në pajisjen në fjalë.
Në një analizë të të dhënave duket qartë se në këtë pajisje është ndërhyrë menjëherë pas ngjarjeve të datës 21.01.2011 (në orën 19:24), duke kopjuar të gjitha regjistrimet e kamerave të sigurisë. Këto regjistrime nuk i janë vënë në dispozicion organit të Prokurorisë, por përkundrazi, është informuar ky organ se nuk kishte regjistrime, pasi sistemi i kamerave nuk punonte që prej fundit të vitit 2009. Regjistrimet rezultojnë të jenë kopjuar dhe më pas fshirë duke mbajtur të fshehtë përmbajtjen e tyre dhe nuk janë vënë në dispozicion të hetimit. Sipas aktit të ekspertimit të kryer nga autoritetet amerikane të Drejtësisë rezulton se kanë qenë më datë 21.01.2011 në gjendje pune gjithsej 11 kamera, përkatësisht kamerat nr. 1, 3, 5, 7, 13, 14, 2, 6, 9, 10 dhe 11. Sipas aktit të ekspertimit, ato kanë qenë të vendosura për të kryer regjistrime në cilësinë më të lartë dhe kjo provon se këto kamera kanë filmuar dhe pamjet e tyre janë regjistruar nga DVR-sa, e cila ka rezultuar, sipas aktit të ekspertimit, në gjendje pune. Pas kopjimit të të dhënave, pajisjes i është bërë formatim në orën 00:51:52 të datës 22.01.2011, duke fshirë në këtë mënyrë të gjitha regjistrimet që ndodheshin në pajisje. Sipas informacionit të Këshillit të Ministrave, Armando Kasaj, në kohën e kryerjes së veprës penale, ka mbajtur detyrën e specialistit IT në Kryeministri. Më datë 21.01.2011, sipas akteve të ekspertimit teknik kompjuterik të Drejtorisë së Policisë Shkencore dhe Autoriteteve Amerikane të Drejtësisë, kanë qenë në gjendje pune përkatësisht kamerat me nr. 1, 2, 3, 5, 6, 7, 9, 10, 13 dhe 14, sipas rezolucionit të përshkruar në aktin e ekspertimit. Këshilli i Ministrave, më datë 23.02.2011 i ka kërkuar shoqërisë “Technology Integrated System” (TIS SOLUTION) të kryejë një raport vlerësimi për gjendjen funksionale të sistemit të survejimit të Këshillit të Ministrave. Kjo shoqëri është e njëjta që ka siguruar kundrejt pagesës dhe ka instaluar DVR-në (serverin) Panasonic, që përbënte pjesën kryesore të të gjithë sistemit të survejimit të Këshillit të Ministrave. Sipas raportit të vlerësimit të kësaj shoqërie, drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave më datë 02.03.2011, rezulton se: Më datë 21.01.2011, prej orës 19:24:00 deri në orën 19:36:31 është kryer Data Copy (kopjimi i të dhënave), i njëjti operacion është kryer dhe për një kamera tjetër në orën 19:38:19 deri në orën 21:34:37. Sa më sipër rezulton e provuar se prej orës 19:24:00 deri në orën 19:36:31 është bërë kopjimi i pamjeve të njërës prej kamerave të sistemit të survejimit të Këshillit të Ministrave dhe prej orës 19:38:19, deri në orën 21:34:19 është bërë kopjimi i një kamere tjetër. Sipas përgjigjeve dhe pamjeve të vëna në dispozicion nga Këshilli i Ministrave rezulton se kopjimi është bërë për kamerën nr.1 (që ndodhet në tarracën e KM) dhe të kamerës nr.2 (që ndodhet në portën e hyrjes së ministrave, në krahun e ish-Qendrës Kombëtare të Kulturës, Piramida), kamera që ka pasur si fushë pamje dhe të paktën një prej vrasjeve të ndodhura në datën 21.01.2011. I pyetur si person që tregon rrethana të dobishme për qëllimet e hetimit më datë 04.04.02011, i pandehuri Armando Kasaj, midis të tjerave, ka deklaruar se: “Në momentin kur kam futur USB-në në kompjuterin tim, kam vënë re se u shfaqën dy foldera me emërtime teknike të vetë sistemit. Këtu pashë se njëri kishte kapacitet më të madh dhe tjetri më të vogël. Unë zgjodha atë me kapacitetin më të madh dhe e hodha në një CD-DVD, të cilën ia dorëzova një punonjëseje të Gardës, femër, të cilën e thërrisnin Vina. Folderin me kapacitet më të vogël e hodha në një CD-DVD tjetër dhe e lashë në zyrë… më pas qëndrova dhe pak në punë dhe rreth orës 21:30-22:00.
I pyetur si person në hetim, më datë 09.03.2012 Armando Kasaj ka deklaruar midis të tjerave se: “Kam hequr USB-në dhe kam shkuar te zyra ime, te kompjuteri im i zyrës kam futur USB-në në portën përkatëse kam marrë një DVD nga të miat që ishte bosh, e kam futur në kompjuter dhe me auto play e USB-së janë shfaqur dy foldera, i pari ishte shumë i madh mbi 2 GB dhe një tjetër më i vogël, se sa, nuk e mbaj mend. Kam bërë procesin e kopjimit për folderin më të madh dhe e kam kopjuar në DVD që kisha futur në kompjuter. Pasi mbaroi procesi për rreth 20 minuta maksimumi, ia kam dorëzuar këtë DVD një punonjësi të Gardës që nuk e mbaj mend. Pas kësaj kam vazhduar me punë të tjera. Jam rikthyer në zyrë duke u marrë përsëri me gjëra rutinë dhe ndërkohë USB-ja qëndronte e hapur, dhe para se të largohesha në shtëpi mendova që pjesën tjetër ta hidhja në një CD. Me sa mbaj mend, e kam hedhur në një CD, jo dvd, pasi nuk kishte përmasa shumë të mëdha. E kam lënë në sirtar dhe rreh orës 23:00, nuk e mbaj mend orën fiks pasi kam komunikuar të më sillnin makinën, jam larguar në shtëpi…;
Sa më sipër rezulton e provuar se i pandehuri  Armando Kasaj ka qenë personi që ka kryer kopjimin e të dy kamerave, përkatësisht të kamerës nr.1 dhe kamerës nr.2 në intervalet kohore të përshkruara më sipër. I pandehuri, si ka dhënë dhe deklarimet para oficerit të Policisë Gjyqësore, ka kopjuar pamjet në dy CD-DVD, të cilat kanë një kapacitet prej 4 GB dhe duke kryer veprime për asgjësimin e pamjeve të kamerës nr.2, ka vënë në dispozicion të eprorëve të tij për kamerën nr.2 pamje filmike jo më në një CD-DVD, por në një CD-R që ka një kapacitet prej 700 MB, ose rreh 6 herë më të vogël se kapaciteti i një CD-DVD-je. Nga konstatimi i pamjeve të administruara në fashikullin e hetimit rezulton se pamjet e kamerës nr.2 zgjasin vetëm pak minuta dhe përmbajnë pamje të kohës pas vrasjeve të ndodhura më datë 21.01.2011.
Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se i pandehuri Armando Kasaj ka qëndruar në ambientet e Këshillit të Ministrave deri pas orës 23:30 dhe ka qenë personi i vetëm që ka pasur dijeni për funksionimin e sistemit të survejimit të Këshillit të Ministrave. Ka qenë pikërisht Armando Kasaj që në orën 00:51:52 ka bërë formatimin e sistemit duke fshirë gjithë pamjet filmike të të gjitha kamerave që kanë qenë funksionale më datë 21.01.2011.
Vepra penale e kryer nga i pandehuri për vetë makinizmin e veprës penale, për ngjarjen e ndodhur, impaktin në shoqëri, faktin që në ngjarjet e datës 21.01.2011 kanë humbur jetën 4 shtetas dhe janë qëlluar me mjete të ndryshme forcat e Policisë, tregon për rrezikshmëri të madhe shoqërore të vetë veprës penale dhe të autorit të saj.

Kasaj, gjyq veçmas Prendit e Llupos
Përcaktohen me short 4 gjyqtarët e “21 janarit”

Gjykata e Tiranes

TIRANE – Gjykata e Tiranës përzgjodhi dje trupat gjykuese që do të shqyrtojnë akuzat e ngritura ndaj katër të pandehurve të dosjes “21 janari”. Dy ditë pasi u depozituan në kryesekretarinë e Gjykatës, dosjet u hodhën në short elektronik. Burime zyrtare konfirmuan se dosja me të pandehur gardistët Agim Llupo, Margarit Kume dhe ish-shefin e Gardës, Ndrea Prendi, do të gjykohet nga një treshe e kryesuar nga gjyqtari Besnik Hoxha. Po sipas burimeve, anëtarë të kësaj tresheje do të jenë gjyqtarët Ariana Caco dhe Ardiana Bera. Ndërkohë, në një dosje të veçuar do të gjykohet i katërti i vënë në akuzë në lidhje me ngjarjen e 21 janarit 2011, i pandehuri Armando Kasaj, ish-specialist i IT-së në Kryeministri. Kryesuesi i procesit në ngarkim të Prendit, Llupos dhe Kumes, gjyqtari Besnik Hoxha, ushtron funksionin si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës që prej prillit të vitit 2010. Në këtë kohë, një vendim i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e transferoi atë nga Gjykata e Shkodrës në kryeqytet. Pas hedhjes në short të dosjeve në ngarkim të Prendit, Llupos, Kumes e Kasajt, në ditët në vijim pritet caktimi i datës së parë të proceseve gjyqësore. Akuza zyrtare e Prokurorisë për Ndrea Prendin është ajo e “vrasjes me dashje, të kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, me pasojë vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj, si dhe plagosjen e disa shtetasve të tjerë. I pandehuri Agim Llupo do t’u përgjigjet akuzave për “vrasje me dashje të kryer në rrethana të tjera cilësuese, e kryer kundër dy ose më shumë personave” me pasojë vdekjen e shtetasve Hekuran Deda e Ziver Veizaj, si dhe plagosjen e tre të tjerëve. Ndërsa dy të pandehurit Margarit Kume dhe Armando Kasaj do të gjykohen për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.                                           ar.ba

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura