“21 janari”, Gjykata kërkon dëshmitarë deputetët e PS

Jun 7, 2012 | 15:12
Ndrea Prendi gjatë seancës gjyqësore

Tre gjyqtarët e trupës gjykuese të dosjes “21 janari” në Gjykatën e Tiranës rrëzuan dje një pjesë të mirë të kërkesave paraprake të avokatëve të të pandehurve Ndrea Prendi dhe Agim Llupo. Në seancën gjyqësore që zgjati më pak se 30 minuta, Gjykata shprehu vendimin e ndërmjetëm në lidhje me kërkesat e palëve të bëra në seancën e së hënës. Gjykata pranoi provat e kërkuara nga ana e Prokurorisë. Të njëjtin fat nuk e patën kërkesat e avokatëve, disa prej të cilave u refuzuan. Gjykata refuzoi kërkesën për administrimin e fletores shëndetësore të të pandehurit Ndrea Prendi. Refuzim hasi edhe kërkesa për thirrjen e një eksperti që do të jepte shpjegime në lidhje me pistoletën e përdorur nga Ndrea Prendi më 21 janar 2011. U rrëzua kërkesa për eksperiment hetimor për vrasjen e Hekuran Dedës dhe të Ziver Veizit. U refuzua kërkesa për thirrjen e ekspertëve mjekoligjorë që kanë realizuar këqyrjen e kufomës së Ziver Veizit. Po ashtu, nuk u pranua kërkesa për kryerjen e një akti ekspertimi kimik të predhës që ka vrarë Ziver Veizin, si edhe thirrjen në gjykim të dy ekspertëve që kanë realizuar ekspertimin e parë. Në të njëjtin vendim të ndërmjetëm u pranua kërkesa e avokatit të të pandehurit Llupo për thirrjen e disa dëshmitarëve, mes të cilëve ishin edhe emrat e deputetëve Tom Doshi, Paulin Sterkaj, Arben Çuko dhe ish-shefi i Policisë Bashkiake, Zydi Dajti. Seanca e djeshme në ngarkim të ish-kreut të Gardës Prendi dhe gardistit Llupo, të akuzuar për “vrasje” në demonstratën e 21 janarit 2011 dhe të bashkëpandehurit të tyre Margarit Kume, të akuzuar për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ishte e treta në radhën e seancave të procesit. Të tre të pandehurit ishin prezentë në sallë.
DËSHMITARËT
Tre nga punonjësit e Gardës, të cilët janë në listën e dëshmitarëve të procesit, ishin dje të pranishëm në sallë. Pasi dëgjuan emrin ata u vunë në dispozicion të Gjykatës për të dhënë shpjegimet e tyre në lidhje me ngjarjen. Por, pyetja e tyre nuk u pranua nga ana e përfaqësuesve të Prokurorisë. “Nuk do ta nisim pyetjen e dëshmitarëve me punonjësit e Gardës”, u shprehën prokurorët. Sipas tyre, të parët në rendin e pyetjes së dëshmitarëve ishin personat civilë të pranishëm në demonstratën e 21 janarit 2011. Në vijim prokurorët lexuan pesë emrat e parë në listën e dëshmitarëve. Radha e dëshmitarëve të akuzës kryesohej nga Fatos Mahmutaj, gazetari i plagosur në ngjarje. Në pesëshen e parë të dëshmitarëve të kërkuar ishte edhe Artes Dybeli, po i plagosur në demonstratë. Për shkak se asnjë prej dëshmitarëve të kërkuar nuk ishin të pranishëm në ambientet e Gjykatës, trupa gjykuese vendosi ndërprerjen e seancës dhe njoftimin e tyre. Seanca e radhës u caktua më 13 qershor.

Prendi lëviz nëpër sallë
Në ndërprerjen disaminutëshe për shkak të tërheqjes së trupit gjykues për një vendim të ndërmjetëm, i pandehuri Ndrea Prendi lëvizi nga banka e të akuzuarve. Ai u ngrit më këmbë dhe u shtrëngoi dorën me radhë disa oficerëve të Gardës, të ardhur si publik në sallë. Veprimi i Prendit hasi në reagimin e përfaqësuesve të Prokurorisë në proces, të cilët i kërkuan togës së shoqërimit sjellje më korrekte të të pandehurit në sallën e gjyqit. Ende pa i takuar të gjithë mbështetësit, i pandehuri Prendi u ul pranë avokatit të tij.

Gjykata kthen padinë civile
Gjykata e ktheu pa veprime padinë civile për dëmshpërblim të familjarëve të viktimave Ziver Veizi dhe Hekuran Deda. Një seancë më parë, Gjykata u kërkoi avokatëve plotësimin e saj me shumën e dëmshpërblimit. Dje avokati Andi Kananaj u shpreh se vlerësimin e shumës duhet ta bëjë një ekspert, të cilit duhet t’i lihej detyrë nga Gjykata. Pasi u tërhoq, trupa gjykuese vendosi ta kthejë padinë civile pa veprime, duke e pretenduar si të paparaqitur në proces.

Akuzat
Në seancën e kaluar në një deklarim të lirë, i pandehuri Ndrea Prendi, ish-kreu i Gardës, i akuzuar për “vrasje”, lëshoi akuza të rënda mbi organin e akuzës. Sipas tij, Prokuroria ka kërcënuar dhe shantazhuar gardistët gjatë marrjes së deklarimeve për llogari të hetimit, ka fabrikuar prova, si edhe ka gabuar në formulimin e akuzës. Ai u shpreh para trupës gjykuese se nuk i pranonte akuzat e ngritura ndaj tij.

Regjistrimi
Avokati Genc Gjokutaj, mbrojtësi ligjor i të pandehurit Ndrea Prendi, i kërkoi dje gjykatës regjistrimin audio të seancave gjyqësore të procesit. Njëkohësisht, avokati Gjokutaj kërkoi që gjykata të shihte mundësinë e zhvillimit tri herë në javë të gjyqit. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Besnik Hoxha, u shpreh se trupa gjykuese do t’i ketë në konsideratë kërkesat e avokatit.

Prendi: Prokuroria, hetim tendencioz
TIRANE – Në seancën e parë të procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve për çështjen “21 janari”, ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, ka akuzuar Prokurorinë. Prendi ka thënë se organi i akuzës nuk ka bërë hetime, por e ka paragjykuar procesin. Sipas ish-kreut të Gardës, Prokuroria ka bërë presione ndaj tij dhe ndaj gardistëve të tjerë që të pohonin se ka pasur urdhër për të qëlluar me armë. Prendi theksoi se është marrë në pyetje natën në Prokurori pas ngjarjeve të 21 janarit. Ish-kreu i Gardës ka thënë se demonstruesit janë paraqitur në dosjen e Prokurorisë si spektatorë në një kohë kur të paktën një rast ka qenë kur veprimet e demonstruesve paraqisnin rrezik në momentin që një automjet theu portën e Kryeministrisë dhe tentoi futjen në oborr.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura