“21 janari”, eksperimenti zbardhi vrasjen e tretë

May 2, 2012 | 12:56
Hekuran Deda, i vrarë më 21 janar

Gjykata hedh sot shortin për caktimin e trupës gjykuese të Ndrea Prendit.

Hekuran Dedës s’iu gjet plumbi, 90 dëshmitarë për akuzat.

Prokuroria ka dorëzuar një listë prej 90 dëshmitarësh në Gjykatën e Tiranës bashkë me dosjen penale të “21 janarit”, e cila u finalizua me katër të akuzuar.
Këta dëshmitarë pritet të merren në pyetje në Gjykatë gjatë procesit në ngarkim të ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe ish-shefit të Shtabit të Njësisë Speciale të Gardës, Agim Llupo, të dy të akuzuar për vrasje në rrethana të cilësuara. Materialet e dosjes kanë mbërritur në Gjykatën e Tiranës të hënën, ndërsa sot pritet që rreth orës 12:30 të hidhet shorti për përcaktimin e trupit gjykues. Në përbërje të panelit që do të shqyrtojë dosjen, mësohet se do të jenë tre gjyqtarë për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe akuzave të ngritura. Në listën e dëshmitarëve Prokuroria ka përfshirë demonstrues, efektivë policie, gazetarë, gardistë dhe deputetë të PS që kanë qenë të pranishëm gjatë zhvillimit të ngjarjeve para Kryeministrisë më 21 janar. Të gjithë këta shtetas pritet që të merren në pyetje gjatë shqyrtimit të dosjes në Gjykatën e Tiranës. Veç dëshmitarëve, si prova kryesore Prokuroria ka paraqitur në Gjykatë edhe ekspertizat e armëve të zjarrit. Për Ndrea Prendin është paraqitur ekspertiza e realizuar në SHBA nga FBI-ja në datën 5 janar 2012, sipas së cilës, arma tip pistoletë që mbante me vete Ndrea Prendi më 21 janar, ka qëlluar 11 herë në vendin e ngjarjes, ndërsa një prej plumbave të saj ka vrarë edhe shtetasin Faik Myrtaj. Për të akuzuarin e dytë, Agim Llupo, Prokuroria ka paraqitur ekspertizat e armës dhe të predhave që tregojnë se arma e shefit të Shtabit të Njësisë Speciale të Gardës ka vrarë Ziver Veizin, ndërsa me dëshmitarë mbështetet akuza se Llupo ka vrarë edhe Hekuran Dedën. Zbardhja e vrasjes së Hekuran Dedës është bërë mbi bazën e deklarimeve, por edhe bazuar në eksperimentin hetimor. Prokuroria nuk ka pasur rrugë tjetër në përcaktimin e vrasësit të Dedës për shkak se ai ka marrë plagë tejshpuese dhe, për pasojë, predha nuk është gjetur për t’u ekspertuar për shkak se ka humbur pas daljes nga trupi i viktimës. Në dosje thuhet se sipas aktit të ekspertimit

Ndrea Prendi

tekniko-kimik të armëve e balistik të predhave me nr.975, datë 7 shkurt 2011, është arritur në konkluzionin se: “…predha e gjetur te viktima Ziver Veizi është qitur nga arma automatike me numër në shul 244 dhe numër të gërvishtur në pjesën plastike 244”. Veprimet hetimore të mëtejshme kanë vërtetuar se kjo armë është përdorur nga personi nën hetim, Agim Llupo, me detyrë shef i Shtabit (zv.komandant) të Njësisë Speciale të Gardës së Republikës. Menjëherë pas kësaj ekspertize, Prokuroria, më datë 7 shkurt 2011, ka lëshuar urdhrin e ndalimit për shtetasin Agim Llupo, i cili prej asaj kohe është mbajtur në burg dhe tashmë ndodhet në pritje të gjykimit. Të akuzuar në të njëjtin proces janë edhe Armando Kasaj, ish-shefi i IT-së në Kryeministri dhe Margarit Kume, ish-shoferi i komandantit të Gardës, Ndrea Prendi. Kasaj akuzohet se ka penguar zbulimin e së vërtetës duke fshirë filmimet e 21 janarit nga serveri i Kryeministrisë, kurse Kume akuzohet se ka penguar zbulimin e së vërtetës pasi tyta e armës së tij është ndërruar me pistoletën e Ndrea Prendit.

Gjykata: Pati dhunë në protestë
Gjatë shqyrtimit të masave të sigurisë për të pandehurit e dosjes “21 janari”, Gjykata e Tiranës ka theksuar në vendimet e saj se ka pasur dhunë nga protestuesit në drejtim të policisë. Ndonëse Prokuroria nuk e kishte theksuar me detaje në kërkesën e saj, Gjykata e Tiranës është shprehur: Në datën 21.01.2011, nga subjekti politik Partia Socialiste, është njoftuar zhvillimi i një demonstrate në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në orën 14:00, duke u marrë dhe leja përkatëse pranë organeve kompetente. Ky subjekt më parë kishte njoftuar për kalimin e stadit të “tubimit” nga “protestë” në “demonstratë”. Rezulton e provuar se gjatë zhvillimit të tubimit është ushtruar dhunë nga shumë pjesëmarrës me mjete të forta rrethanore të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e forcave të Policisë së Shtetit si dhe atyre të Gardës së Republikës, gjatë veprimeve që këto të fundit kryenin për ruajtjen e godinës së Kryeministrisë”.

Nga 121 demonstrues të ndaluar, vetëm nëntë u dënuan

Nga protesta e 21 janarit

TIRANE – Nga dhjetëra persona të vënë në pranga si “keqbërës” në demonstratën e 21 janarit 2011 në Tiranë, organi i akuzës arriti të provojë fajësinë vetëm për nëntë prej tyre. Referuar të dhënave nga Gjykata e Tiranës, togat e zeza të këtij institucioni kanë dhënë vetëm nëntë vendime fajësie për “palën” e demonstruesve të 21 janarit. Dënimet ndaj tyre kapin një total prej gati 6 vitesh burg dhe 200 mijë lekë gjobë. Të arrestuar me bujë nga Policia e Shtetit, demonstruesit u përballën me akuzat e “kundërshtim të punonjësit të Policisë së rendit publik”, “goditje për shkak të detyrës”, “shkatërrim të pronës me zjarr”, apo edhe atë të “armëmbajtjes pa leje”. Pas demonstratës së dhunshme, ku u vranë katër demonstrues, policia arrestoi plot 121 persona. Vetëm ditën e demonstratës u ndaluan 116 veta, ndërsa pjesa tjetër u arrestuan ditët në vijim, pas analizimit të pamjeve filmike të demonstratës. Por, pas hetimeve, vetëm një pjesë e vogël e tyre u dërguan deri në gjykatë. Për të tjerët hetimet u pushuan “gjatë rrugës”. Të gjithë demonstruesit e dërguar për gjykim i pranuan akuzat e ngritura ndaj tyre dhe kërkuan gjykim të shkurtuar. Kjo kërkesë iu pranua nga gjykata dhe prej saj përfituan uljen e një të tretës së dënimit. Në vendimet e shpallura më i rënë ishte ai ndaj Gjin Ndreut, i cili u dënua me 15 muaj burg. Me nga një vit burg u dënuan edhe protestuesit Lin Ndreu dhe Agron Troksi, i cili ishte personi që goditi me automjetin e tij “Mercedes Benz” portën e rrethimit të Kryeministrisë ditën e demonstratës. Më i lehtë vendimi i gjykatës ka qenë për demonstruesin Ervis Domi, i cili u dënua me 3 muaj, dënim që u pezullua më pas duke e lënë në liri me kusht. Në të gjitha vendimet gjykata arsyetonte se “si pasojë e veprimeve të dhunshme të protestuesve, rezulton se janë dëmtuar me mjete të ndryshme 36 punonjës policie”.         ar.ba

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura