“21 janari”, dy protestues në gjyq

Jun 13, 2011 | 10:06

Dy të rinj që kanë qëlluar mbi efektivat e policisë pranë Piramidës më 21 janar dërgohen në gjyq, ndonëse motivi i konfrontimit të tyre me forcat e rendit nuk ka pasur të bëjë me protestën e Partisë Socialiste.Më 9 qershor, prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet ndaj shtetasve Ervis Domi dhe Olti Topi dhe dorëzoi në Gjykatë dosjen penale ndaj tyre. Dy të akuzuarit në këtë çështje u arrestuan më 26 janar 2011, pas një urdhër-ndalimi të lëshuar nga prokuroria e Tiranës. Ata më pas u lanë të lirë nga gjykata, ndonëse hetimi ndaj tyre vazhdoi për akuzën e goditjes për shkak të detyrës ndaj forcave të policisë. Dy të rinjtë, sipas Prokurorisë, e kanë kryer veprën penale në dëm të efektivave të policisë së komisariateve Nr.2 dhe 3 që ishin vendosur në pjesën anësore dhe të pasme të Kryeministrisë nga drejtimi i Piramidës dhe Ministrisë së Integrimit. Deri tani, të paktën dhjetë persona janë dërguar në gjyq nga prokuroria e Tiranës, me akuzën e kundërshtimit dhe goditjes së efektivave të policisë, që ruajtën institucionet më 21 janar.
Hakmarrja më 21 janar
Shtetasi Olti Suri Topi, 29 vjeç nga Dibra dhe banues në Tiranë, së bashku me Ervis Ismail Domin, 29 vjeç, lindur në Kukës dhe banues ne Valias, u arrestuan nga policia e Tiranës më 26 janar. Identifikimi i tyre u bë nga pamjet filmike dhe dëshmitë e efektivave të rendit që ruanin Kryeministrinë gjatë ngjarjeve të 21 janarit. Disa policë të Komisariatit Nr.2 dhe 3 identifikuan pikërisht shtetasin Olti Topi si autor të dhunës ndaj forcave të rendit. Në agresionin për të cilin akuzohet, ai kishte pasur megjithatë një motiv pa lidhje me 21 janarin. Sipas Prokurorisë, 3-4 ditë para 21 janarit, Olti Topi ishte ndaluar në komisariatin e policisë, nën dyshimin për kryerjen e një vjedhjeje. Pasi është marrë në pyetje për disa orë, i riu nuk e ka pranuar akuzën, ndërsa polici që po kryente veprimet ka nisur të ushtrojë dhunë fizike në përpjekje për të detyruar të riun që të pranonte vjedhjen. Olti Topi gjithsesi nuk e ka pranuar krimin dhe pas 48 orëve është lënë i lirë. Ai është ndodhur në Tiranë së bashku me 3 shokë të tij më 21 janar dhe kurioziteti i ka shtyrë të ecin drejt bulevardit e më pas drejt Piramidës, ku u mbajt protesta e PS. Pikërisht rreth orës 14:20 të 21 janarit, ndërsa po ndiqte nga afër ngjarjet e dhunshme, Olti Topi ka parë një të njohur në rreshtin anash Kryeministrisë mes efektivave të policisë. Ishte pikërisht oficeri i policisë që kishte rrahur të riun në komisariat. Për shkak të rrëmujës që po ndodhte, por edhe i nxitur nga prania e shokëve, Olti Topi u ka thënë miqve se ai polic e kishte rrahur gjatë shoqërimit. Të rinjtë kanë qëlluar më pas me gurë dhe me sende të forta për disa minuta ndaj forcave të policisë.

Gjykata: 6 muaj burg protestuesit Jetmir Prenga

Gjykata e Tiranës deklaroi “fajtor” pak ditë më parë dhe dënoi me burg një nga protestuesit e demonstratës së 21 janarit 2011. Jetmir Prenga u dënua pak ditë më parë me 10 muaj burgim, për akuzën e “kundërshtimit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi uljen e një të tretës së masës së dënimit. Përfundimisht, ai u dënua me 6 muaj e 20 ditë burgim. Gjykata deklaroi se 22-vjeçari Prenga u cilësua i fajshëm dhe u dënua me burg, por më pas u urdhërua lirimi i tij i menjëhershëm. Kjo për shkak se koha e dënimit është konsumuar gjatë paraburgimit, pasi Jetmir Prenga u arrestua më 24 janar të këtij viti.

Prokuroria: Hetimi, në dorë të amerikanëve

TIRANE – Hetimi i prokurorisë shqiptare ka dështuar deri tani për zbardhjen e vrasjes së tre personave më 21 janar. Ndërkohë që një efektiv i gardës, Agim Llupo, akuzohet me prova konkrete për ekzekutimin e Ziver Veizit, për tre shtetasit e tjerë të vrarë më 21 janar asgjë nuk është verifikuar. Ekspertizat kanë nxjerrë mospërputhje ose pamundësi identifikimi për predhat që vranë shtetasit Aleks Nika dhe Faik Myrtaj. Ndërkohë, për viktimën tjetër Hekuran Deda, nuk ka pasur fare predha për ekzaminim shkencor, pasi plaga e tij ka qenë tejshpuese dhe, për pasojë, plumbi ka dalë nga organizmi dhe ka humbur. Në Prokurori, kanë mbërritur ndërkohë përgjigjet edhe për dy viktimat, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj. Për të riun nga Lezha, Aleks Nika, policia shkencore ka theksuar se predha ka pësuar dëmtime të tilla fizike, saqë është bërë e pakrahasueshme dhe e paeksportueshme. Po kështu, predha e gjetur në trupin e Faik Myrtaj nuk është përputhur me armët e Gardës. E vetmja vrasje e zbardhur zyrtarisht mbetet ajo e Ziver Veizit, për të cilën mbahet në arrest gardisti Agim Llupo. Prokuroria shqiptare ka kërkuar që predhat e Aleks Nikës e Faik Myrtajt të ekspertohen nga pala amerikane para mbylljes së hetimit.

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura