“21 janari”, avokati i Kasës: Nuk jam njohur me dosjen

Jun 13, 2012 | 15:42
Armando Kasaj, ish specialisti i IT në Kryeministri

Seanca e parë gjyqësore në ngarkim të Armando Kasajt, i akuzuar për fshirjen e pamjeve të demonstratës së 21 janarit nga serveri i Kryeministrisë, zgjati më pak se dhjetë minuta. Ish-specialisti i IT-së së Kryeministrisë gjykohet në një proces të veçuar nga tre të pandehurit e tjerë të dosjes “21 janari”, Ndrea Prendi, Agim Llupo e Margarit Kume. I veshur më një kostum të zi, Kasaj u paraqit në sallën e gjyqit përkrah mbrojtësit të tij ligjor, avokatit Ilir Murati. Pas verifikoi palët në proces dhe gjeneralitetet e të pandehurit Kasaj, gjyqtari Gerd Hoxha pyeti palët nëse kishin kërkesa paraprake. “Kërkojmë vënien në dispozicion të të gjitha akteve të dosjes”, u shpreh para gjykatës avokati i Kasajt. Nga ana e tij, përfaqësuesi i Prokurorisë në proces tha se avokati ishte njohur me aktet gjatë hetimit, por se ai nuk kishte bërë kërkesë për tërheqjen e plotë të tyre. Në përfundim, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e Kasajt dhe të ndërpriste seancën. “Për të krijuar barazi mes palëve në proces, pranohet kërkesa e avokatit për t’i dhënë atij mundësinë të njihet me të gjitha aktet”, u shpreh Gjykata. Seanca e radhës e këtij procesi do të zhvillohet më 22 qershor. Armando Kasaj do të gjykohet për akuzën e “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Sipas Prokurorisë, Kasaj ka fshirë pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së Kryeministrisë gjatë orëve të demonstratës së dhunshme të 21 janarit 2011. Në seancat e caktimit të masës së sigurisë Kasaj ka mohuar akuzën. Ndërkohë, sot në Gjykatën e Tiranës pritet seanca e radhës në ngarkim të tre të pandehurve të tjerë të dosjes “21 janari”. Procesi ndaj Prendit, Llupos e Kumes është në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të Prokurorisë. Dje pritej fillimi i shqyrtimit gjyqësor për çështjen e Armando Kasajt, i cili sipas Prokurorisë ka kopjuar dhe ka fshirë imazhet e kamerave që besohet se kanë filmuar një nga vrasjet e ndodhura më 21 janar. Sipas organit të akuzës, provat kryesore ndaj Armando Kasajt janë raportet e ekspertimit nga Policia Shkencore në Tiranë, por edhe nga laboratorët e FBI-së që tregojnë se në serverin e Kryeministrisë, i cili arkivonte pamjet e kamerave të vëzhgimit, ka pasur tri ndërhyrje para mesnatës së 21 janarit dhe pas kohës kur kishin ndodhur vrasjet.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura