“21 janari”, 40 gardistë japin dëshmi në Prokurori

Jun 17, 2011 | 9:07

Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje këtë javë një numër prej rreth 40 efektivash të Gardës së Republikës në lidhje me ngjarjet e 21 janarit.Të grupuar nga 4-5 efektiva, gardistët janë paraqitur në Prokurori gjatë katër ditëve për të dhënë deklarime para grupit të hetimit. Prokuroria mësohet se i ka pyetur efektivat e Gardës në lidhje me të shtënat me armë, që dyshohet se kanë shkaktuar vdekjen e katër demonstruesve. Sipas burimeve nga organi i akuzës, 40 efektivat e Gardës që janë marrë në pyetje këtë javë, bënin pjesë në repartet që kanë shërbyer në pjesën ballore të Kryeministrisë më 21 janar. Ata kanë pasur armatim Kallashnikov dhe plumba manovre. Rrjedhimisht, që pas ngjarjes, Prokuroria gjeti në oborrin e Kryeministrisë një sasi gëzhojash që i përkasin fishekëve të Kallashnikovit, por, duke qenë se vrasjet kanë ndodhur me plumba 9-milimetërsh, 40 gardistët janë përjashtuar nga përgjegjësia. Gjatë dëshmisë së tyre në Prokurori, efektivat e Gardës kanë dhënë pohime të ngjashme me njëri-tjetrin. Ata kanë thënë se janë sulmuar me mjete të forta dhe me gurë nga turma. Gardistët kanë pohuar se kanë qëlluar me plumba manovër (pasi vetëm ata kishin për kallashnikovët) pa urdhër, por sipas rregullores. “Në disa minuta kemi qëlluar me projeksion horizontal për të trembur turmën që tentoi të afrohej, por gjithnjë kemi pasur plumba manovër”, mësohet të kenë thënë gardistët në Prokurori. Pasi janë pyetur për veprimet e tyre, 40 gardistët janë pyetur me radhë në lidhje me veprimet e kolegëve të tyre, konkretisht nëse kanë parë oficerë që qëllonin në drejtim të turmës. Dyshimet kryesore të Prokurorisë janë shprehur te gardistët që kanë qenë të vendosur në pjesën mes Kryeministrisë dhe Piramidës. Grupi i gardistëve të marrë në pyetje së fundi në Prokurorinë e Tiranës kanë pohuar se nuk kanë parë ndonjë koleg të qëllonte drejt turmës dhe se nuk ka pasur një urdhër të shpërndarë apo të komunikuar për të bërë një veprim të tillë. Prokuroria e Tiranës po kryen hetime për vrasjen e tre shtetasve, Aleks Nika, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda, pasi vrasja e protestuesit Ziver Veizi është zbardhur me ekspertizë se është kryer nga gardisti Agim Llupo. Tri vrasjet tjera janë ende të pa zbardhura, pasi ekspertizat kanë dështuar ndërsa Prokuroria nuk ka arritur të gjejë autorët prej më se 5 muajsh.

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura