TIRANË- Gjykata e Lartë ka vendosur të shtyjë gjyqin ndaj kreut të LSI-së, Ilir Meta. Pas seancës së sotme dhe tërheqjes së trupit gjykues për rreth një orë për vendimarrjen, është caktuar mbajtja e seancës së radhës në datën 11 korrik.
Gjykata ka deklaruar se duke qenë se në proces janë përfshirë një kompleksitet kërkesash duhet një kohë e nevojshme në dispozicion për të bërë shqyrtimin e tyre.
Kreu i LSI-së, Ilir Meta nuk ka qenë i pranishëm në seancën e sotme, teksa është përfaqësuar nga mbrojtësit ligjor. Prokuroria ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes për hetim të paligjshëm dhe tejkalim të afateve.
Vetë Meta gjatë një proncimi për mediat disa ditë më parë e ka cilësuar procesin nul për dy arsye kryesore. “Kjo sepse nuk ekziston asnjë provë origjinale që mund të merret si një provë e ligjshme. Nuk flasim thjesht për aspektin procedural, që është bërë një përgjim pa leje apo i paautorizuar etj. Por nuk ekziston asnjë provë origjinale. Nuk ekziston një filmin origjinal ndaj person tim. Ka materiale origjinale, por ato janë për persona të tjerë, jo për mua. Pra këtu kemi të bëjmë me mashtrimin që i është bërë Prokurorisë dhe institucioneve të drejtësisë, që është një vepër penale. Së dyti, provat e tjera, të cilat janë kopje të hedhura nga një kompjuter në një tjetër, janë të manipuluara, dhe këto janë lehtësisht të verifikueshme. Së treti, transkriptimi i bërë këtyre provave të manipuluara rrëzon totalisht përmbajtjen e kësaj kasete”, ka thënë ai, duke akuzuar prokurorinë për pjesëmarrje në një proces politik.
© Panorama.al











