Berisha:Komentet për FMN,trillime.Borxhi s’rritet

Jun 29, 2011 | 12:15

TIRANË- Shkurtim të shpenzimeve pas rishikimit të detajuar të buxhetit, vazhdim me përparësi të rritjes së rrogave e pensioneve dhe indeksim të rrogave të larta. Kjo ka qenë kryefjala e kreut të qeverisë, Sali Berisha në mbledhjen e sotme të kabinetit, ndersa ka sqaruar se nhuk ka asnje konflikt apo shkelje marreveshjeje me FMN-ne.

Berisha është ndalur gjatë në komentet që janë bërë së fundi për marrëdhënien e qeverisë me FMN, duke i cilesuar jo vetëm dashakeqe, por edhe trillime.

“Komentet që bëhen se qeveria nuk po dëgjon këshillat e FMN janë trillime. FMN e ka bërë të qartë cdo vit, ka theksuar me të madhe në gjithë dokumentet e saj suksesin e Shqipërisë, të reformave ekonomike tek ne dhe dua të informoj qytetarët se në kuadrin makro ekonomik si janë borxhi, inflacioni dhe deficiti buxhetor, luajaliteti dhe vendosmëria e qeverisë është absolute për t’iu përmbajtur me rigorozitetin më të madh treguesve te shpallur”- tha ai.

Sipas kryeministrit, qeveria ka një marrëveshje me FMN dhe ajo është mosrritja e borxhit, por nuk është firmosur asnjë marrëveshje për mosrritje rrogash, apo për rritje taksash.

“Nuk po shkelim asnjë lloj premtimi, nuk kemi marrëveshje për rritje taksash me FMN, ne jemi shprehur qartë e kemi në ligjin tonë, do rrisim rrogat dhe nuk do rriten taksat, pra marëdhëniet janë shumë të mira dhe do vazhdojnë të jetë të tilla”- tha Berisha, duke garantuar seriozitet në përmbushjen e treguesve të caktuar.

Sipas tij, ka këshilla nga FMN për ngrirje rrogash dhe shtimin e taksës së sheshtë në 15%, por këto janë thjesht në kuadrin e këshillave dashamirëse.

 

© Panorama.al

Te lidhura