‘Presidenti’, Rama: Proces politik, kyç për statusin

May 2, 2012 | 12:41

TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama ka deklaruar sot se nga cështja e zgjedhjes së presidentit të ri varet statusi kandidat i vendin në BE. Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama garantoi se forca që drejton do të derdhë energjitë pozitive për një proces gjithëpërfshirës për t’i dhënë vendit një president në frymën e Kushtetutës dhe jo një noter partiak.

“Kam kërkuar publikisht takime direkte me përfaqësuesit e palëve parlamentare, që fillimi i procesit zgjedhor në Kuvend të përkojë me arritjen e një konsensusi sa më të gjerë për mënyrën se si palët duhet ta trajtojnë këtë cështje. Eshtë herët të flitet për emra dhe kundër produktive në këtë fazë, që duhet të jetë përgatitore për një proces”- tha ai.

 

Sipas Ramës, është koha për të folur për identikitin që duhet të ketë kandidati, në kushtet kur nga njëra anë prej mënyrës së zgjedhjes do varet në masë kritike statusi i kandidatit në BE dhe nga ana tjetër do të përcaktohet edhe vlerësimi real që cdo palë do t’i bëjë momentit historik të 100 vjetorit të Pavarësisë.

“Vendit i duhet një president që të plotësojë tre kërkesa në interes të vendit. T’i japë shtysë procesit të marrjes së statusit duke u zgjedhur mes një procesi politik dhe jo procedure mekanike të bazuar tek numrat. E dyta, të jetë garant i Kushtetutës dhe i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë nga shumica e sotme dhe ajo e nesërme qeverisëse. Dhe së streti të bëhet faktor paanësie në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”- tha Rama.

Ai ka theksuar se tashmë është e udhës që hapja e procesit për zgjedhjen të përkojë me mbylljen e angazhimeve të PS për këtë sesion parlamentar për t’i siguruar vendit statusin e kandidatit. “Të votojmë draftin për gjykatën administrative, asnjë shtyrje të reformës zgjedhore e të mbyllim në gjysmën e parë të këtij muaji, të diskutojmë për reformën me të gjitha palët”- tha më tej ai.

© Panorama.al

Te lidhura