‘Integrimi varet nga ajo që do të bëjë çdo shqiptar’

Jul 13, 2012 | 21:16
Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu

GJIROKASTER- Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu ka zhvilluar një tur takimesh dhe vizitash në qytetin e Gjirokastrës, të cilat kanë patur në qendër promovimin e trashëgimisë kulturore.

Ai ka qenë i ftuar nga Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës, një OJQ lokale që merret me trashëgiminë kulturore.  Në vizitën e zhvilluar në Kalanë e Gjirokastrës, Arvizu ka vizituar një vendstrehim të Luftës së Ftohtë si dhe mjediset e Kalasë së qytetit, ku do të çelet së shpejti Muzeu i ri i Gjirokastrës, me ndihmen edhe te Shteteve te Bashkuara te Amerikes.

“Nëse njerëzit do të fokusoheshin me shumë, do të përqëndroheshin më shumë në traditën e pasur dhe trashëgiminë që e bënë këtë vend dhe këtë popull kaq të veçantë, atëherë do të ishte tejet e qartë që në fakt nuk ka një përputhje të duhur mes madhështisë së njerëzve dhe cilësisë së politikës që ata po marrin përkundër”- ka pohuar ambasadori Arvizu gjatë fjalës së tij.

Në këtë drejtim ai ka përmenduar kontributin e dhënë nga ambasada amerikane në Tiranë për mbështjen e trashëgimisë kulturore duke financuar nëpërmjet fondit të ambasadorit 8 projekte në këtë drejtim.

Ruajtja e trashëgimisë kulturore, ka vijuar ambasadori, jo vetëm që siguron vazhdimësinë për brezat e ardhshëm, por gjithashtu mund të sjellë përfitime të menjëhershme pasi tërheq investime për turizmin dhe zhvillimin e biznesit.

“Është kjo trashëgimi kulturore e pasur, ndjesia e krenarisë dhe ndjesia e arritjeve që do t’ia mundësojë Shqipërisë të përmbushë potencialin e saj. Nuk janë në fakt diskutimet që zhvillohen në Parlament, në Komisionin e Ligjeve dhe nuk janë këto takime të vazhdueshme, të pafundme në Bruksel, por do të jetë ajo që çdo shqiptar do të bëjë në vetvete në mënyrë që kjo shoqëri të jetë më kohezive, më e fortë”-përfundoi Arvizu.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura