‘Digat, nivelet më të ulëta. Import energjie me çdo çmim’

Feb 6, 2012 | 14:15

TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha, duke pranuar se situata hidrike nuk është në favor të prodhimit të energjisë ka garantuar se qeveria do të mbështesë KESH për import energjie, pavarësisht çmimit tejet të kripur.

Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit të PD-së, Berisha ka theksuar se pavarësisht se ky është një dimër që ka rikthyer në memorien e shqiptarëve dimrat e dikurshëm sa i përket dëborës, situata në kaskadën e Drinit nuk është optimiste.

“Ne do të bëjmë gjithçka që ajo të mos mungojë për shkak të furnizimit. Ne do ta blejmë ata sa kohë do ta gjemë në mënyrë që vendi të mos vuajë mungesën e saj. Në cdo rrethanë do të përballohet me ndërhyrjen e buxhetit sepse mundësitë e tjera janë ezauruar tërësisht. E vërteta është që pavarësisht nga reshjet e shiut apo borës në zonën verilindore të vendit, digat janë në nivelet më të ulëta historike të tyre”- tha ai.

Sipas Berishës, kjo është situatë jo pak problematike për prodhimin e energjisë, por qeveria vazhdon t’i mbetet principit, se çmimi më i lartë është mungesa e saj.

© Panorama.al

Te lidhura