‘’Arbri larg skandaleve, por është aventurier’’

May 6, 2012 | 13:31

Flet këngëtarja Rina Abdyli, mikesha e konkurrentit nga Kosova.

Ajo është një nga mikeshat më të mira të Arbrit të BB5, ndërsa këtë radhë vjen në një rrëfim shumë të bukur mbi jetën e tij në Kosovë. Kjo është Rina Abdyli, këngëtare e re dhe mjaft e talentuar e cila bëri boom me trion së bashku me këngëtarët Mc Kresha dhe Flaka Krelani. Ajo vazhdon shkollimin, ndërsa mendon të vazhdojë edhe studimet pasi është ende e re, por duke mos lënë mënjanë edhe muzikën.
Ju jeni mikeshë e mirë e Arbrit, ju ka rrëfyer para se të futet në BB ndonjë arsye të fortë pse është bërë pjesë e kësaj gare?
Është një arsye e vetme pse është futur dhe atë e ka deklaruar. Arsyeja e vetme pse Arbri i është futur kësaj gare, është që të shpërblejë prindërit e tij për të gjithë sakrificën që ata kanë bërë për të dhe vëllain e tij, që ata të kenë një shkollim sa më të mirë.
E ndjek në ekran, si të duket, ka ndonjë ndryshim nga Arbri në jetën e përditshme?
Me mundësitë që kam, normale është që e ndjek, si të mos e ndjek mikun tim më të mirë?! Arbri është ky, me të gjitha këto cilësi që ka dhe që po i shfaq: sinqeritetin, drejtësinë, miqësinë, intelektin. Për asnjë sekondë që është futur brenda, nuk ka ndërruar.
Si është raporti juaj, sa miq jeni, sa rrëfeheni me njëri-tjetrin?
Kemi raport shumë të mirë shoqëror. E kam si vëlla të madh. Gjithmonë është i sinqertë me mua dhe i sinqertë me raportin që ne kemi. Vdes për batutat dhe humorin e tij shumë të hollë. Arbri di të jetë shok dhe vëlla i mirë.
Pse miqtë gjithmonë mundohen të ruajnë sekretet e njëri-tjetrit dhe nuk deklarojnë apo publikojnë diçka me interes për publikun?
Secili prej nesh ka nevojë që të rrëfehet ndonjëherë për diçka që e mundon. Prandaj mundohemi t’i gjejmë personat më adekuatë tek të cilët mund të mbështetemi dhe të rrëfehemi. Arbri gjithmonë më ka vërtetuar sinqeritetin e tij në shoqërinë që ne dy kemi.
Është tip skandaloz?
Nëse thuhet tip skandaloz në kuptim të keq të fjalës, nuk mund ta them, ai është aventurier.
Shihet si një patriot i madh, si i gjykoni reagimet e tij në shtëpi?
Është patriot i madh. Është rritur në atë frymë ku Shqipëria ka qenë ëndërr e pa realizuar. Edhe sot ky ideal si për Arbrin, edhe për të gjithë shqiptarët, besoj që është motiv për të punuar dhe kontribuuar për dy shtetet shqiptare.
E ndjek me shoqëri, po familjen e tij e njeh mirë?
Varet se sa jemi të zënë. Ka pasur raste kur e kemi ndjekur bashkë me shoqërinë. Nga familja njoh mirë vëllain e tij. Në përgjithësi në Prishtinë ata të dy i njohin të gjithë se kanë shoqëri shumë të gjerë dhe e ruajnë me fanatizëm çdo shoqëri që kanë.
E shikon Arbrin si fitues të këtij edicioni, dhe cilat mendon se janë vlerat e tij që tregon brenda lojës?
Duhet të jetë fitues vetëm për vlerat që ka dhe po i shfaq aty brenda, si dhe për lojën që po bën. Energjia e tij e pashtershme, sinqeriteti, drejtësia dhe burrëria që ka, janë cilësi dhe principe të cilat e dallojnë nga të gjithë banorët e tjerë. Është spektakolar.
Po romancën e tij me Gertën si e gjykon, mendon se do të funksionojë lidhja mes tyre edhe pasi të përfundojë spektakli?
Fillimisht nuk ka një lidhje brenda. Arbri vetëm ka shfaqur simpatinë e tij ndaj Gertës. Nuk e di ç’mund të ndodhë në vazhdim apo jashtë BB5.
Po jashtë ka lënë ndonjë lidhje apo romancë, pasi deri më tani nuk është zbuluar ndonjë e dashur e tij?
Jo, para se të hynte nuk ka lënë ndonjë të dashur jashtë dhe Arbri nuk ka ndonjë lidhje apo romancë jashtë.

BLERAND REXHEPI

© Panorama.al

Te lidhura