Stilistja ka treguar për revistën Vanity Fair amerikane se aksidentalisht ka harruar të birin, Brooklyn, në shtëpinë e saj në Los Angelos, ndërkohë që duhet ta çonte në shkollë.
“I dashur, humba Brooklyn-in”. Mund të ketë qenë pak a shumë kjo shprehja që Victoria Beckam i ka thënë të shoqit, David, ndërsa i tregonte se si kishte harruar të çonte të birin në shkollë. Dhe të mendosh që znj.Beckam ishte kujdesur për të gjitha detajet e veshjes së saj, kishte sistemuar mbajtësen e së bijës, Harper, në makinë, për të përmbushur kështu detyrën e nënës. Po duket se detyrat e shumta të saj, sidomos ajo e të pasurit sytë përherë katër për bukuroshin e saj “të madh”, e kanë shpërqendruar mjaftueshëm. Kështu, mes 100 gjërash, ka hipur në makinë duke e lënë djalin e madh në kuzhinë tek po hante ende mëngjes. I është dashur të kthehet mbrapsht për ta marrë, menjëherë pasi ka vënë re se i vetmi që duhet të ishte në makinë, mungonte. “Hipa në “Range Rover”-in tim dhe pasi sistemova Harperin dhe vendosa iPodin, u nisa drejt shkollës, ka treguar për “Vanity Fair” – por vetëm pasi bëra ca rrugë, kur pashë sediljet, kuptova që Brooklyn ishte në kuzhinë, atje ku e kisha lënë. Jam ndjerë vërtet idiote, sepse unë dhe Harper i ishim drejtuar shkollës, por ai që duhet vërtet të shkonte atje, mungonte. U ktheva mbrapa me nxitim”. Por, nëse kjo harresë ishte e rastësishme, mbrëmjen e kaluar, David dhe Vic dolën duke i lënë me qëllim fëmijët në shtëpi, për të kaluar një mbrëmje romantike.











