
SHBA – Një gjykatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënoi me 6 vjet burg Almir Rrapon, ish-punonjësin e Ministrisë së Jashtme në Tiranë, i akuzuar për një sërë veprash penale në kontinentin amerikan. Sipas tyre, Rrapo përfitoi një dënim të lehtë për shkak se ai gëzonte statusin e “bashkëpunëtorit të drejtësisë”. Lajmi u bë i ditur nga mediat amerikane, një prej të cilave citonte Jeffrey Lihtman, avokatin mbrojtës të Rrapos, i cili e citonte klientin e tij si “shembullin e shkëlqyer të bashkëpunëtorit me drejtësinë”. Rrapo zbardhi një sërë ngjarjesh të rënda për autoritetet amerikane, për të cilat akuzohej banda e Krasniqve. Liderët e bandës, Bruno dhe Saimir Krasniqi, u dënuan një vit më parë me burgim të përjetshëm, pas dëshmisë së Rrapos.
Almir Rrapo u arrestua më 2 korrik 2010 në ambientet e Ambasadës Amerikane në Tiranë për llogari të Drejtësisë amerikane. Ai akuzohet për një sërë veprash të rënda penale të kryera në këtë vend. Më 30 shtator 2010, Gjykata e Tiranës vendosi lejimin e ekstradimit të tij, vendim që u la në fuqi nga Gjykata e Apelit më 1 nëntor. Ende pa u shqyrtuar dosja në Gjykatën e Lartë, vendimi për ekstradim u ekzekutua dhe Rrapo iu dorëzua autoriteteve amerikane.
Akuzat ndaj Rrapos
Para arrestimit të Rrapos, autoritetet amerikane kishin lëshuar dy urdhër-arreste me emrin e tij, që u përkisnin datave 27 maj 2004 dhe 19 gusht 2010. Rrapo akuzohej nga Drejtësia amerikane për dhjetë vepra të rënda penale, mes të cilave: “anëtarësim në organizatë kriminale”, “vrasje” në dëm të shtetasit Erion Shehu, ngjarje e ndodhur në vitin gusht 2005, “grabitje”, “bashkëpunim në trafik lëndësh narkotike”, “pengmarrje”, “pengmarrje në ndihmë të shantazhit” e “posedim armësh zjarri”.











