Zyrtari i Kamzës: Duke parë javët e fundit, i druhemi gjykimit ndaj Kukësit

Nov 14, 2017 | 15:03
SHPËRNDAJE

Kamza do të ketë një përballje të vështirë këtë javë, pasi pret në shtëpi skuadrën e Kukësit, skuadra që i ka shkaktuar një nga dy humbjet ekipit të drejtuar nga Ramadan Ndreu gjatë fazës së parë. Gjithsesi, besimi në skuadrën e Kamzës është i madh se mund t’ia dalin të marrin rezultat pozitiv me Kukësin, nisur edhe nga ecuria e deritanishme.

kamza

Në dy takimet e fundit në kampionat, Kamza ka mposhtur Laçin në transfertë dhe Partizanin në shtëpi, ndërkohë që do të luajë sërish në fushën e vet ndaj kampionëve në fuqi. Presidenti Naim Qarri e ka me “merak” ta mundë Kukësin, po ashtu si kryebashkiaku Xhelal Mziu që ka “inate të vjetra” me presidentin e Kukësit, Safet Gjici, që kur këta konkurronin për Bashkinë e Kamzës më 2015-ën.

Ndaj pritet që kryebashkiaku të vendosë edhe një premio për fitoren në këtë takim. Shefi i klubit kamzali, Albert Bana, shprehet për “Panorama Sport” se po merren të gjitha masat e nevojshme organizative për mbarëvajtjen e këtij takimi, që pritet të jetë një duel “i ashpër” nga ana e drejtuesve.

Bana në prononcimin e tij shprehet se i druhet vetëm gjykimit, pasi skuadra është më se e përgatitur për ta fituar këtë ndeshje. “Duke u nisur nga takimet e fundit, gjykimet kanë qenë në shumë raste të ashpëra ndaj nesh dhe kësaj i druhemi edhe në këtë takim. Kemi marrë të gjitha masat organizative për të zhvilluar një ndeshje sa më normale”, u shpreh Bana.

ABDULLA DUSHKU

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura