Zyrtarët që abuzojnë me pushtetin në operën “Rigoletto”

Jan 19, 2016 | 21:50
SHPËRNDAJE

Nuk ka rëndësi nëse ai quhet dukë, mund të jetë edhe një zyrtar i ditëve tona, që abuzon me pushtetin që i jep kolltuku.

Pasi e ka ngjitur dy herë më parë në skenë operën “Rigoletto”, regjisori Nikolin Gurakuqi ka vendosur të sjellë një version tërësisht të ri nga ai i viteve 1964 apo 2005. Historia e palaços së oborrit vjen tanimë si një ngjarje bashkëkohore në datat 21, 23, 24 dhe 25 janar, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën interpretimin e këngëtarëve lirikë Linda Kazani, Vikena Kamenica, Gocha Abduladze, Ylber Gjini, Jenish Ysmanov, Enrico Marchesini, Ramona Tullumani, Zana Abazi, Ivana Hoxha, Ogert Islami etj.

sopranoja linda kazani

“‘Rigoletto’ është një vepër që më shkakton shumë dhimbje për fazën e jetës ku ndodhem. Është një vepër që vë në plan të parë marrëdhëniet babafëmijë”, thotë regjisori, teksa premton një shfaqje ndryshe për publikun.

“Vepra është sjellë në kohë, në mënyrë që t’i flasë publikut, jo në mënyrë historike. Është një vepër që u flet ditëve tona, pa e përcaktuar vendin se ku ndodh ngjarja. Nuk ka rëndë- si nëse quhet dukë, ai mund të jetë një pushtetar që për asnjë ditë ai dhe oborrtarët e tij nuk bëjnë punën e shtetit”, thotë Gurakuqi.

Sipas tij, vepra vjen me një skenografi të re, e cila dikton edhe mizanskenat, karakterin e personazheve dhe temporitmin e shfaqjes. Përveç ndonjë detaji, gjithçka tjetër vjen e re nga dy herët e mëparshme. Sipas Gurakuqit, “Rigoletto” është ngjitur në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në vitin 1964, nën interpretimin e artistëve të mëdhenj Ramiz Kovaçi, Avni e Nina Mula dhe me regji të Luigj Gurakuqit, të atit të regjisorit. Në vitin 2005, është rivënë varianti i vitit ’64, edhe pse materialet që e dëshmonin atë ishin të pakta. Nuk kishte regjistrim dhe kishin mbetur vetëm disa fotografi, si dhe dëshmia e artistëve që kishin interpretuar aso kohe. Megjithatë, varianti i vitit 2005, falë edhe kastit të këngëtarëve, ka qenë një nga shfaqjet më të suksesshme të TKOB-it.

ARTISTËT Kasti i artistëve që do të interpretojnë “Rigoletto”-n është një ndërthurje mes solistëve të TKOB-it, artistëve shqiptarë që interpretojnë në skena të huaja apo këngëtarë të huaj, që e kanë prekur edhe më parë skenën shqiptare. Një ndër artistët shqiptarë që këndon në skenat e huaja është edhe sopranoja Linda Kazani. Drejtori i përgjithshëm i TKOBAP-it e ka quajtur një nder praninë e saj në këtë shfaqje dhe në njëfarë mënyre kërkon ndjesë që është njohur shumë vonë me përmasat e saj artistike. Ndërsa regjisori Nikolin Gurakuqi e ka quajtur një “star”, jo vetëm shqiptar, por të skenave botërore.

“Të ngjitesha në skenën shqiptare ishte një ëndërr fëmijërie për mua, që tashmë po bëhet realitet. Qysh kur studioja në Lice e më pas në Akademinë e Arteve kam ardhur si spektatore dhe kam adhuruar artistët e mëdhenj të skenës. Tashmë që po ngjitem në këtë skenë, është një kënaqësi shumë e madhe për mua. Kam interpretuar shumë Xhilda, por Xhilda shqiptare është më e dashura dhe më dhimbset. Xhilda është vajza shqiptare që bie viktimë e një shoqërie maskiliste. Ajo është viktimë e babait të saj, i cili e mban të mbyllur, duke mos i lënë asnjë mundësi zgjedhjeje, pasi është ai që vendos për të; është viktimë e dados që e tradhton; është viktimë e dukës, që abuzon me të”, rrëfen sopranoja për rolin e saj në operën “Rigoletto”.

Rikthehet në skenën e TKOBit baritoni Gocha Abulatze, i cili debuton në rolin e Rigoletos. Gati një vit më parë, ai interpretoi në operën “Pagliaçi”, me regji të Inva Mulës, rolin e Tonios, njërit prej klounëve të trupës ku bënte pjesë edhe Nedda e Canio. Këtë herë ai rikthehet po me një rol palaçoje, një njeri me dy fytyra, që karakterizohet nga një dashuri shumë e madhe për subjektin femër (në rastin e parë Nedda, në të dytin, e bija Xhilda) dhe prodhojnë fundin tragjik të të dyjave.

“Dy drama e karaktere, sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme”, thotë Abulatze, i kënaqur që kthehet në Shqipëri, me një rol që gjithkush do ta ëndërronte ta luante. Ylber Gjini, një nga spalat më të fuqishme të trupës së solistëve të TKOB-it, do të interpretojë po ashtu Rigoleton. Mexosopranoja Vikena Kamenica interpreton rolin e Madalenës. Një rikthim edhe për tenorin Jenish Ysmanov, që do të interpretojë rolin e dukës së Mantovës.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura