Zyrtarët e përfshirë në afera, Departamenti i Shtetit paralajmëron sanksione të reja në Ballkanin Perëndimor: Mjet i rëndësishëm kundër korrupsionit

Sep 28, 2022 | 9:10
SHPËRNDAJE

Departamenti i Shtetit synon të çrrënjosë korrupsionin në Ballkanin Perëndimor ndaj sanksionet i konsideron si një mjet i rëndësishëm kundër korrupsionit.

thumbs_b_c_507fcde828d33a5451eda10e5a70dcf8

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, Ned Price, në një konferencë për media bëri të qartë dje se metoda më e mirë për ta bërë këtë është pikërisht sanksionimi. Nisur nga përfshirja e disa pushtetarëve të rajonit në afera të ndryshme korruptive, Departamenti Amerikan i Shtetit, paralajmëron sanksione të tjera dhe të tjera emra “non grata”, në mesin e zyrtarëve të lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor, të akuzuar për korrupsion.

I pyetur në lidhje me shpalljen “non grata” të Diana Kajmakoviç, një ishprokurore në Prokurorinë e Bosnjë-Hercegovinës, zëdhënësi i DASH-it u shpreh se ajo ishte përfshirë në akte korrupsioni. “Pra, një nga qëllimet tona kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor është të punojmë me qeveritë dhe të punojmë me njerëzit e rajonit për të synuar, për të hequr dhe çrrënjosur korrupsionin. Dhe sanksionet janë një mjet i rëndësishëm për ta bërë këtë. Ne e shpallëm dhe Thesari njoftoi sanksionet këtë mëngjes ndaj një prokuror të përgjithshëm të shtetit, i cili ishte përfshirë në akte korrupsioni. Ne kemi dhënë informacion në atë deklaratë.

Thesari mund të ketë informacion shtesë në lidhje me bazën për atë përcaktim. Dhe sanksionet do të mbeten një mjet i rëndësishëm, kur bëhet fjalë për rajonin dhe bëhet fjalë për qëllimin tonë, qëllimin që ne ndajmë me qeveritë dhe njerëzit në rajon, pra për çrrënjosjen e korrupsionit”, tha Price. Administrata Biden që në fillim i kushtoi vëmendje të veçantë Ballkanit Perëndimor. Një armë e rëndësishme e së cilës mbetet sanksionimi. Price theksoi se përveçse tërheqës për botën perëndimore si një rajon mjaft dinamik, Ballkani Perëndimor mbetet joshës edhe për Rusinë dhe Kinën.

“Interesat tona të përbashkëta dhe vlerat që ndajmë përbëjnë bazën e një marrëdhënieje që në shumë mënyra është unike dhe e dallueshme nga vizioni që Pekini e Moska do të kishin për rajonin”, deklaroi Price. Ai përmendi se Ballkani Perëndimor përveç se është tërheqës për botën perëndimore si një rajon dinamik, është atraktiv edhe për Rusinë dhe Kinën. SHBA-ja, sipas Price është e interesuar për të qenë partnerja kryesore e Ballkanit Perëndimor.

“Epo, nuk ka dyshim që Ballkani Perëndimor është një rajon dinamik që është tërheqës për vendet në mbarë botën. Sigurisht, është tërheqëse për arsye të ndryshme si për Kinën ashtu edhe për Rusinë. Ne besojmë – dhe kjo është pika që kemi bërë publikisht dhe në angazhimet tona private me vendet e Ballkanit Perëndimor – se interesat tona të përbashkëta dhe vlerat tona të përbashkëta përbëjnë predikatin për një marrëdhënie që në shumë mënyra është unike dhe e dallueshme nga vizionet e një marrëdhënieje që Rusia ose Kina do të kishin për rajonin. Pra, pavarësisht nëse është zhvillim, qoftë sigurie, qoftë ekonomik, qoftë ndihma humanitare, ne e kemi bërë shumë të qartë dëshirën tonë për të qenë partnerë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për t’i pasur të dyja në mënyrë implicite – dhe në disa raste, në mënyrë eksplicite – gjithashtu kam qenë shumë i qartë se çfarë – partneriteti që ne sjellim është i ndryshëm nga marrëdhëniet që vende si të dy ju përmendët do të kërkonin të kishin në rajon”, u shpreh Price.

Dy ditë më parë Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë ndërmarrë sanksione ndaj prokurores boshnjake, e cila u vlerësua se është e përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në korrupsion në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe në politika që minojnë proceset ose institucionet demokratike në rajon. Më herët i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka bërë të qartë se “Korrupsioni është problemi më i madh në Ballkanin Perëndimor”. Ai vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion, përfshirë sanksionet, për të ndëshkuar aktorët destabilizues.

“Korrupsioni është një kancer që gërryen besimin e qytetarëve në demokraci, zvogëlon instinktin për inovacion dhe kreativitet dhe shpenzon në buxhete tashmë të pakta, gjë që shkurton investimet. Talenti i brezave të tërë po shpërdorohet”, tha Escobar. Sipas tij, kjo i frikëson investitorët, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të promovuar llogaridhënien si dhe për të mbrojtur ata që janë të përfshirë në korrupsion në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë botën. “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet e disponueshme, përfshirë sanksionet, për të ndëshkuar aktorët keqdashës dhe destabilizues, si dhe organizatat dhe kompanitë që i mbështesin ato”, deklaroi Escobar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura