Zvicra, zbulimi i një kombi

Nov 24, 2019 | 9:18
SHPËRNDAJE

ALFRED PAPUÇIU

Alfred Papuçiu

Gazetari André Crettenand boton një libër të bukur për vendin e tij të vogël. Së shpejti, ai do dalë në shqip për lexuesin tonë. “Përsosmëria është e pranishme në këtë vend”. Në librin e tij të vogël nga numri i faqeve, me titull “Zvicra, shpikja e një kombi”, André Crettenand shkruan me plot elozhe për origjinën e tij.

Ky ish-gazetar i “L’Hebdo” dhe “TSR”, ish-drejtor i informacionit në “TV5 Monde” në Paris, aktualisht drejtor i marrëdhënieve ndërkombëtare në televizionin zviceran, është autori i një “deshifrimi” të konfederatës në koleksionin “Shpirti i popujve”, në Botimet “Nevicata”, drejtuar nga Richard Werly, korrespondent i përhershëm në Paris për “Le Temps”.

Çdo vëllim në këtë mënyrë kërkon të gjurmojë rrënjët kulturore dhe fetare të vendeve, që nganjëherë humben në mjegullat e globalizimit. Në një numër të vogël faqesh, André Crettenand tregon më tepër se 500 vite të historisë të Zvicrës. Kam lexuar shumë libra për arritjet e këtij vendi të vogël, gjatë tri dekadave të jetës sime në Zvicër, që e kam përshkruar disa herë, me sipërfaqe afro dyfishi i vendit tonë që Rilindësit tanë e kanë menduar edhe për Shqipërinë tonë, por edhe për Kosovën martire.

Por ju them të drejtën, se ky libër më ka bërë të mendoj edhe për kombin tonë, që ka vlera dhe pasuri natyrore shumë më tepër sesa Zvicra, një bregdet të virgjër, në një pjesë të territorit të saj, dhe njerëz punëtorë dhe paqedashës. Prandaj, u nisa për udhë dhe vendosa ta përkthej në shqip këtë libër të përkryer, të një gazetari të njohur zviceran.

Biseduam para dy ditësh, pranë ndërtesës së televizionit zviceran, më shumë se një orë së bashku me gazetarin e njohur André Crettenand, tepër komunikues dhe i thjeshtë. Ai më theksoi se mendimi për hartimin e librit i kishte ardhur kur punonte në Paris, te “TV 5”, pasi po të ishte në Gjenevë në atë kohë, nuk do ta kishte ndërtuar ashtu siç e ka paraqitur. Atij i pëlqen vendi i tij dhe njerëzit punëtorë që e përbëjnë, një vend ku edhe shumë nacionalitete të tjerë, si edhe shqiptarë, e kanë gjetur si strehë të tyre. Ai preferon t’i flasë thjesht me emër, André, dhe më thekson se ka përmendur disa herë në libër dhe shkrimtarin e madh, Viktor Hugo, që e ka përshkruar Zvicrën anembanë dhe ka shkruar me nota të bukura për të. Ai thotë se shembulli i Zvicrës është unik dhe kur i them se Rilindësit tanë donin që Shqipëria të bëhej si Zvicra, buzëqesh dhe thekson se çdo vend ka karakteristikat e veta, duke përfshirë edhe Shqipërinë, për të cilën ka lexuar dhe e njeh edhe nëpërmjet shkrimtarit të shquar, Ismail Kadaré apo bisedave që kemi shkëmbyer bashkë.

Falënderon dhe gazetën “Panorama”, që ka botuar një shkrim dinjitoz për librin e tij. E sheh gazetën “Panorama” me shkrimin e tij në shqip që unë ia përktheva edhe në frëngjisht dhe më thotë se do ta ruajë me kujdes në bibliotekën e tij. Shpreh kënaqësinë e veçantë që libri do botohet edhe në shqip, krahas gjuhës gjermane dhe angleze që po përgatitet. Libri fillon me historinë e Vilhelm Telit, mitit themelues të Zvicrës, dhe përfundon me homo alpinus, një popull i begatë, shumëgjuhësh dhe i përbërë nga shumë kultura, duke përfshirë edhe rreth 200 mijë shqiptarë, që ndjek në 2016 rrugën e tij drejt përsosjes.

Gjatë përshkrimit të tij, André Crettenand lëkundet mes lavdërimit dhe kritikave rreth këtij shteti pothuajse tepër të begatshëm, për të qenë i sinqertë, shumë pak i njohur për të qenë i vlefshëm dhe tepër i qetë dhe i lumtur për të ekzistuar. Ai druhet pak kur flet për vendin e tij kaq bukur, sidomos, për një ndjenjë krenarie që si një zviceran i mirë na mëson të përmbahemi. Por modestia e lexuesit zhduket nga ndjenja e saktësisë së një Zvicre, të treguar nga një prej bijve të saj. Një libër për ta kuptuar zviceranët, duke u kujtuar atyre që jetojnë atje, përse ndihen aq mirë dhe ata që kanë ikur pse duan të kthehen. Ashtu si autori i librit, tek i cili ne ndiejmë një nostalgji të ëmbël për këtë vend të privilegjuar që “nuk është zvarritur në fatkeqësitë e botës”.

Këtu më poshtë po japim disa pjesë të librit për lexuesit tanë. ANDRÉ CRETTENAND, “ZVICËR. SHPIKJA E NJË KOMBI”, ED. NEVICATA, PARATHËNIE Pse Zvicra? Gjithçka fillon nga një lojë mizore. Një gjykatës, përfaqësues i Habsburgëve, dënon një malësor rebel. Ky është i detyruar të qëllojë një shigjetë mbi një mollë të vendosur në kokën e të birit. Ushtrim i rrezikshëm. Ndërkaq, burri e pranon sfidën. Dhe ia del mbanë. Por ai ka fshehur një shigjetë tjetër. I detyruar të japë shpjegim mbi shigjetën e fshehur, ai pranon se ajo ishte ruajtur për gjykatësin, në rast fatkeqësie.

Më vonë, malësori e vret gjykatësin e mbrapshtë. Lind legjenda e Vilhelm Telit. Ajo do të kalojë shekuj, do të frymëzojë poetët, do të mahnitë zviceranët. Kurajë, zotësi, dëshirë për pavarësi, revoltë kundër fuqive, personazhi Tel u pajis me të gjitha cilësitë, duke i dhënë Zvicrës legjendën e praruar, për të cilën ajo u bë krenare. Një legjendë që kapërceu larminë e gjuhëve, territoreve dhe feve. Sot, historianët thonë se Vilhelm Teli nuk ka ekzistuar kurrë. Pa dyshim. Të paktën, legjenda ka pasur efektet e saj:”Si koka e prerë e Orfeut, mitologjia vazhdon të flasë, edhe pas vdekjes së tij, edhe me kalimin e kohës”.

“Ne jemi të të njëjtit brum si dhe ëndrrat”, thotë Shekspiri. Përsosmëria ndodhet në këtë vend. Peizazhet janë të përkryera. Qytetet kanë një pastërti të habitshme, fshatrat të zbukuruara me lule, rrugët të rregullta. Dëbora çdo vit është e pranishme dhe ndriçon vendin. Banorët e saj flasin të gjitha gjuhët, ata u përkasin kulturave të ndryshme, jetojnë në një harmoni të përkryer. Një mekanizëm politik i gjetur u jep mundësi minoriteteve që të nxjerrin në pah të drejtat e tyre. Qeveria ka një stabilitet të dalluar. Populli vendos për gjithçka, në sajë të demokracisë së drejtpërdrejtë. Cilësi që hasen në fushën ekonomike. Zvicra zë vendet e para në botë për shpikjet.

Me të vërtetë nuk ka papunësi. Ka pak konflikte sociale. Me përjashtim të disa grindavecëve kritikues, Zvicra është e njëzëshme. Gjendja është idilike. Ose më mirë, këtë duan të mbajnë mend për atë, sikur përsosmëria mbizotëron ndaj çdo kritike. Gjetiu, gjithmonë është më keq. Përsosmëria dhe e veçanta. Zviceranët e zonës gjermane kanë shpikur një fjalë për ta shprehur këtë: Sonderfall. Ai përmbledh si neutralitetin, sistemin politik dhe mbarëvajtjen ekonomike. Pa dyshim, asnjë vend nuk ka trumbetuar aq shumë se ai është “i veçantë”, ndryshe nga të tjerët dhe për këtë arsye duhet lënë i qetë.

Një rast i veçantë në botë, një model përsosmërie, por që asnjeri nuk e bën të vetin. Ndoshta është frika e një lumturie që do të dilte shqetësuese. Kështu, Orson Welles flet për Zvicrën në filmin e tij “Njeriu i Tretë”: “Gjatë 30 viteve në Itali, nën Borgia, ata patën luftë, terror, vrasje dhe masakra, por gjithashtu është Mikelanxhelo, Leonadro da Vinci dhe Rilindja. Në Zvicër, ata kanë pasur 500 vite të një dashurie vëllazërore, demokracie e paqeje, dhe çfarë solli kjo? Ja ku është. Nuk bëhet historia me gjykime të mira. Nuk ka stacione metrosh me emra të bujshëm betejash. Nuk ka kremtime të madhërishme, parakalime në bulevardet e mëdha. Zvicra ka shpikur orën tingëlluese në shtëpi. Ajo e mbylli orën në një kuti prej druri, e zotëroi siç ndoqi fatin e vet, në mënyrë të pandalshme. Kështu që zviceranët ditën të tregojnë historinë e tyre të praruar. Atë të një populli të vogël të guximshëm, që arrin të mbijetojë në një natyrë të vështirë, shpesh vetëm në një mjedis perandorish, dukatesh dhe mbretërimesh ziliqare. Të një vendi punëdashës, të shkathët, të shpejtë, shpikës.

Atje ku të tjerët mbështeten te një e kaluar e lavdishme, pallatesh me afreske, katedralesh gotike, gërmadhash antike, monumentesh përrallore, Zvicra ka investuar te peizazhi dhe mirëqenia. Zviceranët janë të ndërgjegjshëm se jetojnë në një vend të dashur nga perënditë. Por ata janë modestë, disi të mjaftueshëm, nga ata që e njohin sekretin. Zvicra nuk ka qenë prirur nga prozelitizmi i Francës revolucionare, e vendosur për të përhapur dritën tek i gjithë planeti. Ajo e di që është një model, ajo e di që të tjerët e dinë, pra, ajo nuk ka nevojë të mburret shumë. Ndoshta, kjo histori e mjaftueshmërisë së të ardhurave ka lindur në Marignan.

Disfatë e paharruar e zviceranëve, që deri atëherë terrorizonin ushtritë e të gjithë dinastive europiane. “Ndëshkuesit e mbretërve” u ndëshkuan edhe vetë. Historianët hahen mbi rëndësinë e ngjarjes dhe rolin që ka luajtur kjo disfatë në përfytyrimin zviceran. Kremtimi i 500 viteve të betejës, në 2015, solli një polemikë të madhe. Njëra palë gjykonte se neutraliteti zviceran ishte frymëzuar nga ngjarjet italiane, të tjerët mendonin se kjo disfatë nuk e kishte dobësuar shpirtin luftarak të zviceranëve dhe as nuk kishte kontribuar në tërheqjen e përgjithshme të vendit. Megjithatë, unë mendoj se ngjarja ndikon në psikikën kolektive dhe nëse atëherë nuk pati pasojat e shpresuara të një disfate absolute, ajo shërbeu më vonë si simbol.

Një popull i mbyllur në vetvete, i gatshëm të eksportojë aftësinë e tij- do të jenë mercenarët- por duke zgjedhur për çdo rast- Kongresi i Vjenës i 1815- statukuonë se sa çdo zgjerim të territorit. Një popull, siç thotë Regis Debray në librin e tij “Urimi i kufijve”, “është një çështje mitesh dhe formash. Kërkohet një legjendë dhe një hartë”. Legjenda ishte Teli, harta qe ky ‘vend i vogël’. Midis Veriut të zotë dhe Jugut që kërkon të shijojë kënaqësi materiale, Zvicra mori pak nga të gjithë. Mund të thuhet se ajo ka “zemrën franceze dhe kokën gjermane”, siç thoshte filozofi Feuerbach, që kërkonte një përkufizim të një mendimtari ideal. Por këtu mendimtari është punëtori me përvojë të madhe. Për Zvicrën nuk është dëgjuar të flitet shumë që nga fillimi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Ajo tërhiqej në kohën e duhur nga një gjendje e vështirë, por nuk përcaktonte rregullat.

Ajo nuk ishte një mbretëri, ajo nuk ushqente të ishte një përfituese e famshme dhe e pangopur, ajo nuk ndërtonte një perandori. Tek “Zotërit e Greqisë”, helenisti nga Lozana, Andre Bonnard thotë: “Mjerë njeriu shumë i lumtur. Lumturia e plotë dhe pa fund është një grackë apo një vegim. Asnjë njeri nuk ka të drejtë për lumturinë absolute, privilegjin hyjnor”. Zvicra është një vend i qetë dhe gjithmonë i mundshëm për mërgatë, që nuk ka mjerim, por megjithatë e ndërlikuar, e shqetësuar. Sypatrembur, por egoiste nga kujdesi i tepruar, të aftë për më të mirën, por dhe më të keqen, për arritje të shkëlqyera. Zviceranët nuk kanë pasur fatkeqësitë e botës. Dhe megjithatë kanë shpikur frika bashkëkohore: një sulm i papritur atomik, pushtim i njoftuar nga Lindja, luftë kimike. Jo se këto rreziqe nuk kanë ekzistuar, por zviceranët janë të përgatitur me kujdes të tepruar. Vlerësohet më mirë qetësia kur shmang katastrofën.

Të vjetërit e përcaktonin në këtë mënyrë epikurizmin –arritjen e lumturisë: Të gëzosh lumturinë e të ekzistuarit në siguri në breg, kur furtuna fillon në det të hapur. Pra, fillimisht Zvicra është ky vend i qetësisë. Ajo ka frymëzuar më tepër poema sesa tragjedi. Në brigjet e Lemanit janë vendosur kompozitori Paderevski, në Morzhe, shkrimtari Vladimir Nabokov në Montrë. Atje, Stravinsky kompozoi “Ardhja e pranverës”. Çarli Shaplini u vendos në Vevei. “Në buzë të Lemanit, Stendali, Michelet, Ruskin dhe Tolstoi e ndjenë më të butë ardhjen e Lumturisë, të Poezisë dhe të Bukurisë…”. Dhe në kohë të tjera ishin Huhuenotët të përzënë nga Franca, Germaine de Stael që iku nga Napoleoni, Lenini që përgatiti kthimin në Rusi. Pak kohë më parë, David Bowie. Kjo i ka magjepsur romantikët. Viktor Hugo e përshkoi Zvicrën në 1839. Ai hartoi një raport të plotë lidhur me udhëtimet e tij helvetike që e çuan nga Bazeli në Vevei. Ai përfshin në tekstin e tij vizatime, skica. Ai shënon, komenton.

Në fillim e frymëzon Rini i madhërishëm, pastaj Alpet, më në fund liqeni. “Liqeni më guduliste këmbët. Ishte një qetësi e madhe në këtë natyrë të madhe. Ishte diçka madhështore dhe e butë. Një çerek ore më vonë, varka ishte zhdukur, afshi i liqenit ishte qetësuar, qyteti ishte në gjumë. “Helvétia është një mit, Zvicra është një markë. Por si u krijua si vend, i populluar nga tetë milionë banorë, krenarë, me gjithë ndryshimet e tyre, me flamurin e tyre me Kryqin e Bardhë që njihet kudo? Dhe si arrin ajo të mbetet aq e begatë, duke qëndruar me vetëmohim, jashtë Bashkimit Europian që e rrethon? Që nga brigjet e liqenit Leman deri te fusha e Grütlit, në lartësitë e Zvicrës Qendrore, deri te luginat e Valesë, të rrëpira deri në kufijtë italofone të Tessin. Identiteti i Zvicrës kudo është ngritur në virtyt. Por, kujdes! Kjo lumturi e të qenit zviceran, shpesh e karikaturizuar nga ata që e vëzhgojnë nga jashtë me zili, gjithashtu meriton një diagnozë kërkuese”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura