Zvarritja e seancave/ Pse gjyqi ndaj Shullazit do jetë pa avokat, SPAK heq dorë nga ankimi për kërcënimin e rektorëve

Nov 25, 2021 | 10:14
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Kur pothuajse kanë kaluar 3 vite nga vendimi në Shkallë të Parë që shpalli fajtorë Emiljano Shullazin, Gilmando Danin, Endrit Qyqen Endrit Zelën dhe Blerim Shullazin, është zhvilluar dje seanca në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.

shullazi

Duke qenë se avokatët e 3 prej të pandehurve nuk ishin paraqitur në seancë, Gjykata vendosi që procesi ndaj Shullazit dhe 4 të tjerëve të vijojë edhe pa praninë e mbrojtësve, në mënyrë që gjykimi të mos zvarritej më tej.

Seanca nisi në orën 09:30 dhe u zhvillua mes debatesh për zgjidhjen e ngërçit, që sipas Gjykatës, është krijuar nga vetë të pandehurit.

Por sipas avokatëve që ishin të pranishëm, të cilët më pas braktisën seancën, përgjegjësia për mbarëvajtjen e procesit i mbetet Gjykatës.

Avokatët kërkuan përjashtimin e treshes gjykuese dhe u shprehën se gjykimi pa avokat shkel një nga parimet kryesore të një procesi të rregullt.

Gjykata vijoi procesin pa praninë e avokatëve dhe të pandehurve që braktisën seancën, ndërsa SPAK hoqi dorë nga ankimi për pafajësinë që mori grupi për kërcënimin e dy rektorëve dhe vendosjen e një sasie tritoli në një biznes.

Treshja gjykuese e Apelit u tërhoq për të shqyrtuar ankimin e bërë nga avokatët, të cilët kërkuan pafajësi për të gjitha akuzat dhe për të marrë një vendim që në fakt pritej të shpallej po dje. Por rreth orës 19:45 u vendos që vendimi të shpallej më 3 dhjetor.

AVOKATET

Avokatët e tre të pandehurve që ishin të pranishëm, por braktisën seancën pas vendimit të treshes gjykuese që procesi të vijonte pa mbrojtës ligjorë, kërkuan përjashtimin e tyre.

“E drejta e mbrojtjes prevalon mbi të gjitha të drejtat e tjera. Sikundër është kërkesë e domosdoshme që gjykimi të zhvillohet nga një gjykatë e paanshme dhe në rastin në fjalë dy gjyqtaret kanë pasur konflikt në zhvillimin e këtij gjykimi”, u shpreh Vladimir Meçi, avokat i Emiljano Shullazit.

“Është Gjykata, e cila duhet të sigurojë të gjitha mjetet e nevojshme për të garantuar mbrojtjen në rastin konkret. Gjykata nuk është munduar ta bëjë këtë gjë sot edhe pse nga ana jonë iu kërkua që të ezauronte listën e avokatëve kryesisht”, u shpreh avokati i Endrit Zelës, Bledar Meminaj.

Nga ana tjetër, Gjykata e Apelit thotë se ky vendim është marrë në bazë të refuzimit të të pandehurve për mbrojtje, duke e cilësuar si shtyrje të qëllimshme të procesit edhe pse kanë mundësi të përballojnë avokatët financiarisht.

Për Emiljano Shullazin dhe 4 të pandehurit e tjerë, Apeli e ka nisur gjykimin prej dy vitesh. Ata janë të dënuar me 54 vite burg në total për akuzat e gjobëvënies dhe grupit kriminal, pas arrestimit të tyre në vitin 2016.

Gjykata: Para disa ditësh i paralajmëruam për avokatët

“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, më datë 24.11.2021, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u zhvillua seanca gjyqësore për çështjen me nr. 1/4/5/24/138 akti, datë regjistrimi 13.12.2018, mbi ankimin e prokurorit dhe mbi ankimet e të pandehurve E. Sh., E. Z., G. D., E. Q., dhe B. Sh. Gjykata pasi shqyrtoi çështjen, shtyu shpalljen e vendimit për në datë 03.12.2021, ora 13:00.

Gjykata e Posaçme e Apelit paralajmëroi para disa ditësh të pandehurit Emiljano Shullazi dhe Glimando Dani, se nëse në seancën e ardhshme avokatët mbrojtës nuk paraqiten për vazhdimin e procesit, do të marrë vendim që gjykimi të vazhdojë pa mbrojtje.

Apeli prej të paktën dy vitesh nuk ka arritur të nisë gjykimin e 5 të pandehurve të dënuar në shkallë të parë me 54 vite burg në total për akuzat e gjobëvënies dhe grupit kriminal, kjo për shkak të mungesës së avokatëve, por edhe përjashtimit të një numri të lartë gjyqtarësh për shkaqe të konfliktit të interesit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura