Zotërinj të BE, mjaft e llastuat Serbinë e Vuçiçit, Brnabiçit dhe Daçiçit si Edi Rama

Sep 26, 2022 | 7:59
SHPËRNDAJE

SPARTAK TOPOLLAJ

Autori-Spartak-Topollaj

E gjithë bota e di mirë, se kush ishte Gëbelsi (Paul Joseph Goebbels 29/10/1897 – 01/05/1945), famëkeqi ministër i Propagandës naziste të Hitlerit, ndoshta trushpëlarësi më i madh që ka njohur historia, i cili fill pas vetëvrasjes së Hitlerit dhe Ewa Braunit, më 30 prill 1945, u emërua Kancelar i Gjermanisë naziste nga Fyhreri, për më pak se 48 orë, saktësisht deri në orën 20:00 të 1 majit 1945, kur edhe zgjodhi të njëjtin fund të shefit të tij çmendarak, vetëvrasjen, me të vetmin ndryshim, se përveç bashkëshortes Magda, me miratimin e të dy prindërve, mjekët SS Helmut Kunz dhe Ludwig Stumpfegger, pasi i vunë në gjumë duke i droguar me morfinë, në një akt makabër super çnjerëzor, i helmuan, duke i iu futur në gojë ampula me cianur potasi, të gjashtë fëmijëve të tyre: Helga Susanne, Heidrun Elisabeth, Holdine Kathrin, Helmut Christian, Hildegard Traudel dhe Hedwig Johanna ?!!!…

Megamashtrues dhe hiperdemagog, i diplomuar për Letërsi dhe që thirrej në intimitet prej vetë Hitlerit Herr Doktor, pa as më të voglin diskutim, së bashku me hierarkët më të lartë nacionalë socialistë, të Rajhut III, do të gjykohej, dënohej dhe ekzekutohej me varje, nga Gjykata e Nurembergut. Por në Europën aktuale, pra, më 2022-shin paradoksalisht, jo vetëm mbretëron i qetë në Beograd, por edhe llastohet nga BE-ja Gëbelsi i Sllobodan Milosheviçit, Kryekasapit të Ballkanit, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Kush është në të vërtetë Vuçiç? I lindur më 5 mars 1970 dhe i diplomuar për drejtësi në Beograd, ai u bë pjesë e Partisë Radikale të Vojislav Shesheljit, ekstremist nacionalist shoven. I martuar së pari me Ksenijan më 1997, u divorcua prej saj më 2011 dhe më 2013 martohet me Tamara Gjukanoviç. Me Ksenian, që ndërroi jetë në këtë janar, patën dy fëmijë, Milicën dhe Danilon (pjesë e ultrasve huliganë, tifozë të Crvena Zvezda-s), ndërsa me Tamarën kanë djalin Vukan.

Ashtu si me bashkëshorten e parë, Vuçiç divorcohet politikisht edhe nga Sheshelji, i deklaruar dhe i dënuar si kriminel lufte nga Haga, si edhe Radovan Karaxhiç e Zllatko Mlladiç, duke iu bashkuar një grupi prej 20 deputetësh, me në krye Tomislav Nikoliçin, që formojnë një parti me emër më të “bukur”, Partia Progresiste Serbe…

Pikërisht në kohën e gjenocidit, krimeve të luftës, masakrave, përdhunimeve në masë, djegieve, shkatërrimeve dhe deportimit me forcë nga trojet e hershme amtare të shqiptarëve në Kosovë, Vuçiçit, në një qeveri koalicioni të kryesuar nga kryesocialisti serb, Sllobodan Milosheviç, i besohet nga ky i fundit, posti delikat, tejet i rëndësishëm, i ministrit të Informacionit dhe Propagandës, post të cilin e mbajti për mbi 2 vite e gjysmë (mars 1998 – tetor 2000), pra në vitet kur Serbia agresoi egërsisht Kosovën, çka detyroi SHBA dhe NATO-n të ndërhyjnë ushtarakisht, madje të bombardojnë dhe ta detyrojnë Milosheviçin të kapitullojë me turp.

Për aftësinë në të gënjyer dhe përkushtimin si ministër i (des)informimit dhe Propagandës, Vuçiç shpërblehet dhe caktohet ministër Mbrojtjeje, zv/kryeministër, Kryeministër dhe që nga marsi i 2017, President i Serbisë. Mali i Zi, qysh më 3 qershor 2006, ishte shkëputur dhe ishte shpallur i pavarur me Filip Vujanoviçin dhe Milo Gjukanoviçin, dy herë President dhe katër herë Kryeministër. Aleksandar Vuçiç ka ndërruar vendet edhe me ish-zëdhënësin e Partisë Socialiste Serbe të Milosheviçit, Ivica Daçiç, më pas mMinistër i Jashtëm, i Brendshëm, Kryeministër e aktualisht Kryetar i Kuvendit (Skupshtina) të Serbisë.

Që të tre, Vuçiç, Nikoliç dhe Daçiç, kanë qenë, janë, e me sa duket do të mbeten kundërshtarë konsekuentë e të palëkundur të pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008), njohur si e ligjshme edhe nga GJND-ja, por edhe nga 116 shtete, përfshi SHBA dhe 22, nga 27 shtete të BE-së. Në Jugosllavinë apo Serbinë e Milosheviçit, Vuçiçit e të tjerëve, u vranë Presidentë si Ivan Stamboliç (25 gusht 2000), Kryeministra si Zoran Xhinxhiç (12 mars 2003), deri dhe kapomafiozë paramilitarë milosheviçianë të krimeve më të përbindshme si Zheljko Razhnatoviç Arkan (15 janar 2000) Tigri i “Tigrave” famëzinj, që kapardisej me Cecën (Svjetlana Veliçkovic -Razhnatoviç) këngëtaren e njohur, bashkëshorte e dytë e tij, se të parën, Natalja Martinoviç, me katër fëmijë, e kish flakur si të plakur, pas 10 viteve martesë…

Natyrisht, zgjedhja në funksionet më të larta të partive politike dhe të shtetit, e njerëzve që duan, është punë e serbëve, por pyetja më e drejtë që mund të bëhet në këtë rast, është kjo: A do ta lejonte Europa demokratike dhe SHBA, zgjedhjen Kancelar apo President në Gjermaninë e Pasluftës së II Botërore të Gëbelsit, nëse ai do të ishte i gjallë?!!!… A nuk ishte Vuçiç një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Milosheviçit, kryekasapit të Ballkanit?!!!

Po ashtu edhe Ivica Daçiç, Kryeparlamentar aktual, që veç Sllobos, ky bir polici xhahil e katil ndaj shqiptarëve, lindur në Prizren, ishte edhe mik i Mira (Mirjana) Markoviç – Milosheviç, bashkëshortes së korruptuar të Stalinit serb, strehuar në gjirin e mëmës Rusi të Putinit, së bashku me djalin e degjeneruar Marko dhe vajzën Marija. Si u harruakan kaq shpejt nga politika, diplomacia, apo teknoburokratët e Brukselit, si edhe nga Edvin Rama, krimet e tmerrshme të Armatës, Milicisë dhe Paramilitarëve serbë, bashkë me mercenarë sarhoshë, burgaxhinj ordinerë, vrasës e aventurierë rusë në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë?!!!

A nuk ishte bash vetë ky Vuçiç, ministri i Milosheviçit, i ngarkuar të dezinformonte opinionin publik ndërkombëtar dhe të mashtronte botën mbarë për çka ndodhte në ish-Jugosllavi, shndërruar nga paranojaku delirant i madhështisë e protagonizmit serb, Milosheviç, në thertore me 250.000 viktima (vetëm në Kosovë rreth 13.000, nga të cilat, gati 2000 prej tyre ende nuk iu “gjenden” dot trupat nga Vuçiçi, ky ujk, e dhelpër e vjetër i shndërruar në qengj)?!!! …

A nuk i kryen serbët masakrat e mëdha në Kroaci me gjithsej 20.000 të vrarë, që kulmuan me Masakrën e Vukovarit të rrethuar deri më nëntor 1991, ku u vranë 5403 persona?! Po masakrat në Bosnje-Hercegovinë, që kulmuan me atë më të llahtarshmen, të Srebrenicës 6-25 korrik 1995, me 8.372 viktima nga myslimanët boshnjakë, kush i bëri?!!! Dhe këtu të mos harrojmë indiferencën e pafalshme të forcave holandeze të UNPROFOR-it, që lejuan “Skorpionsat” e Mlladiçit të bënin gjenocid në këtë zonë nën mbrojtjen dhe garancinë e forcave të OKB-së?!!!

Po masakrat në Kosovë, si ajo në Raçak (15 janar ‘99), me 45 të masakruar, e njohur botërisht nga denoncimi i Ambasadorit Amerikan në OSBE në Kosovë, William Wolker etj. etj., pas së cilës bota demokratike reagoi fuqishëm?!!! Ja disa nga masakrat më të mëdha të kriminelëve serbë të Sllobos, Armatës, Milicisë dhe paramilitarëve të llojit “Tigrat” e Arkanit: Në Poklek, Likoshan, Çirez, dhe e njohura botërisht në Prekaz, ku u vranë 59 shqiptarë dhe vetëm nga Jasharajt e Heroit Adem Jashari, u vranë gjithsej 55 njerëz, 32 meshkuj e 23 femra!!

Në Izbicë 114 viktima dhe më pas u gjetën të tjerë (146 të vrarë në një varr masiv). Masakra në burgun e Dubravës 19 – 22 maj 1999, me 97 të burgosur të ekzekutuar me gjakftohtësi?! Krusha e madhe me masakrën e 26 – 27 marsit ‘99, 243 viktima. Masakra e Mejës, 27 prill ‘99, 376 viktima Masakra e Qyshkës, Zahaq e Pavlan, 14 maj, 77 viktima, Suharekë 48 viktima, pothuaj e gjithë familje e madhe Berisha Abri e Epërme, Drenas, Kotlinë, Bellacerka – Suharekë, Rezallës, Sllovisë-Lipjan Koliq, Makoc, Grashicë, Nakaradë.

Shkritorja e Zveçanit, ku digjeshin të vrarët!! Në Danub, afër Klladovës, 86 të vrarë u gjetën në një autofrigorifer etj., etj. Pas kësaj, a mund të quhet e mjaftueshme dalja para Tribunalit për krime lufte dhe gjenocid në Hagë i disa kriminelëve ekstremistë drejtues e komandantë stalinisto-hitleriane, të pjesës shovene të racës serbe, si Karaxhiç, Mlladiç apo edhe disa të tjerëve si ata?!!! Kjo nuk mund të jetë kurrë ngushëllim për familjet e një çerek milioni viktimave, të një çmendurie të paparë, qysh nga mbarimi i Luftës II Botërore!

Mendja e ndritur e Gjeniut të Kombit tonë, Ismail Kadaré, parashikoi saktësisht se Europa kish të ngjarë të pendohej për bombardimin plotësisht të merituar të NATO-s dhe SHBA për 72 ditë rresht mbi Beograd dhe Armatën e Milosheviçit, pranverën e ‘99! Prognoza e Kadaresë nuk vonoi të vërtetohej, kur në Hagë, para Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte, u dërguan luftëtarët për liri të UÇK, po aq, në mos, edhe më shumë, se nga radhët e xhelatëve serbë?!!! Koha vërtetoi se historia ka edhe ajo paradokset e saj. Por paradoksi nuk qëndron vetëm te llastimi kinse strategjiko – diplomatik i Serbisë dhe Vuçiçit, Daçiçit dhe Brnabiçit, me pretekstin absurd, që të mos hidhen në gjirin, krahët dhe prehrin e mëmës Rusi të Putinit.

Aleanca serbo-ruse është farkëtuar në shekuj nga krerët ekstremistë të klerit ortodoks në Serbi dhe Mal të Zi, të tipit Pavle, Irinej (Miroslav Gavriloviç), Porfirije (Prvoslav Periç), Amfilohije (Risto Radoviç, vdekur nga Covid-19, më 2020), me Patriarkun 75-vjeçar të Moskës dhe të gjithë Rusisë Kirill I (Vladimir Mihajloviç Gundjajev), që zëvendësoi Aleksein II (Aleksej Mihajloviç Ridiger) më 2009. Por kryellastuesi i Vuçiçit paradoksalisht dhe për ironi të historisë është Edi Rama, në një miqësi prej inferiori dhe dashuri servile. Ai e quajti mik Vuçiçin, pasi e kish takuar vetëm dy herë nga pak minuta?!!!

Qysh atëherë, ata, nën kujdesin “atëror” të baba Sorosit (por edhe të birit Aleksandër – kush lind nga macja, gjuan minj) takohen gjithnjë e më shpesh, madje edhe këto ditë në Nju Jork në prag të çeljes së punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Spekulant i madh, pseudobamirës, Sorosi investohet të sjellë në pushtet kryesisht të majtët, sponsorizon forca politike, që kur vijnë në pushtet ia kthejnë “nderin” dhjetëfish, amá në vendin prej nga erdhi në SHBA, Hungaria, këtë hebré miliarder, sa i aftë, aq edhe i djallëzuar, nuk e pranojnë, duke ia mbyllur Fondacionin për Shoqërinë e Hapur?!!!

A nuk është ky Vuçiç që iu bie borive të luftës dhe ngre në këmbë pakicën serbe në Veri të Kosovës, sa herë i duhet?! E pafalshme për Thaçin dhe tejet e dyshimtë mbetet firma e tij në Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, pra sajimi i një “Republika Serbska” aty, e ngjashme me atë në Bosnjë, në krye të së cilës, Vuçiçi (pasi e ekzekutuan Oliver Ivanoviçin) nuk e ka të vështirë të gjejë edhe një Millorad Dodik tjetër. Të pranosh copëtimin e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve, për të cilat Thaçit iu kërkua nga Vuçiçi me zë e figurë para kamerave, në kolltukët ngjitur ku ishin ulur në podium të panelit, kjo ka vetëm një emër: tradhti e hapur!!!

Mbi gjakun e 13.000 të vrarëve, mes tyre dhe qindra dëshmorëve të UÇK-së, të dënon historia dhe populli e Kombi yt, se Haga është një tjetër histori!!! Krejt ndryshe nga Procesi i Berlinit, sorosianët që kanë dobësi për fjalën “i hapur”, shpikën Ballkanin e Hapur, që në të vërtetë është Ballkani i Shqyer, në favor të Serbisë së madhe të Vuçiçit! Dhe çuditërisht, apo aspak çuditërisht, më i zellshmi për këtë projekt antishqiptar paraqitet Edvin Rama, që nuk lë rast pa humbur, të na tregojë se e ka më shumë se mik Vuçiçin, alias Gëbelsin e Milosheviçit.

E po kështu, edhe disa teknoburokratë politiko-diplomatikë të Brukselit, ku shquhen si më të zellshëm, Borrej dhe Lajçak, njëri spanjoll e tjetri sllovak, konkretisht nga dy vende të BE-së, që këmbëngulin të mos e njohin Kosovën e Pavarur (që GJND e quajti të ligjshme), por bëjnë ndërmjetësin mes Kosovës dhe Serbisë, kur ne shqiptarët e dimë mirë se me miell misri nuk pritet të dalë nga furra, bukë gruri. (Lajçak, përveç ministër i Jashtëm sllovak, ka kryer dhe shumë funksione të tjera të larta, përfshi ambasador në Beograd, ku me sa duket ruan nostalgji si filoserb)?!!!

Le të kujtojmë sa për ilustrim, këmbënguljen e tyre që qeveria Haradinaj dhe tani qeveria Kurti të mos zbatojnë reciprocitetin me Serbinë (parimi bazë i marrëdhënieve mes shteteve) dhe u detyruan me gjysmëzëri ta pranojnë në fund, falë qëndrimit dinjitoz dhe atdhetar të Albin Kurtit, i cili njeh Procesin e Berlinit, por jo Ballkanin e Hapur, aq të dëshiruar e fitimprurës për Serbinë, që nga ana tjetër, nuk pranon kategorikisht ta njohë Kosovën e Pavarur. Shqiptarëve nuk ka se si të mos u bjerë në sy pamja prej kalorësi të fytyrës së vrerosur e Ramës, sa herë takohet me Albin Kurtin dhe e kundërta, përzemërsia, madje duke i hedhur edhe dorën në qafë, mikut të tij serb, Aleksandar, që vazhdon të mos ia mësojë saktë as emrin, por e quan Aleksandër?!!!

Është për të gjitha këto që kuotat e Ramës të jenë kaq të ulëta në Kosovë, përjashto nostalgjikët e paktë m-l dhe enveristë, që penetruan në radhët e UÇK-së dhe uzurpuan një pjesë të udhëheqjes së saj. Në delirin frojdian të madhështisë e protagonizmit, Rama, sidomos në intervistat e kushtueshme në mediat e huaja, bën gafa historike, por do t’ia falnim ato para deklaratave që bën, sa herë i duhet ta justifikojë apo më keq akoma ta mbrojë mikun e tij serb, Vuçiç, për raportet e ngushta me kriminelin e luftës, që shpejt e pret Haga, V.V.Putinin, rusomadhin ekstremist sllavo-ortodoks!

Lufta, agresioni, masakrat, krimet e tij në Ukrainë, kanë marrë përmasa të gjenocidit rus, ndaj s’mund të jesh mik i ngushtë, me mikun e madh të Carit Putin?! Krahasimet e pagoditura të Ramës, madje gafat që bën, kinse është njohës i mirë i historisë, e nxjerrin atë lakuriq, ashtu siç parapëlqen ai të dalë plazheve të Côte d’Azur në rivierën franceze. Krahasimet për raportet Kosovë-Serbi dhe gjoja ngjashmëria e tyre me raportet franko-gjermane, apo keqinterpretimi që i bën veprës së personaliteteve të mëdha europiane, si Jean Baptist Nicolas Robert Schuman dhe Charles Joseph André Marie de Gaulle, me Konrad Hermann Joseph Adenauer dhe Herbert Ernst Karl Frahm Willy Brandt, tregon, se ai rreket më kot të bëjë kompetentin dhe njohësin e historisë bashkëkohore?!

Akoma më e habitshme (për ata, që ende s’e kanë kuptuar kush është Rama i vërtetë) ishte intervista, që kësaj here zgjodhi t’ia japë nga Nju Jorku Blendi Fevziut për OPINION-in, ku me arsyetime donkishoteske, sqaroi se me Albin Kurtin kishin rënë dakord të mos binin dakord për ato që s’ishin dakord, madje gati na mallëngjeu, kur tregoi se sa e donte Albinin, me të cilin shpesh bënin edhe qyfyre… Sa për miqësinë me Vuçiçin, u drodh dhe u përdrodh boll, por arsyet e vërteta të kësaj miqësie, si edhe kumbarin e saj, nuk deshi ta thotë.

Ai përmendi Thaçin mbi dhjetë herë, por siç ka bërë gjithmonë, harroi të zërë në gojë dr. Rugovën, Presidentin historik të Kosovës, Ghandin e Ballkanit, këtë politikan dhe burrështetas të madh vizionar, të cilin, pata fatin dh e nderin e veçantë ta takoj disa herë në Tiranë e Prishtinë, qysh gati 32 vite më parë, deri pak muaj para se të ndërronte jetë ?!!!…

Edhe pse hiqet supermodern dhe ekstravagant, duke mos dashur t’ia prishë imazhin “demokratik” Serbisë së çiftit Vuçiç-Brnabiç, nuk tha asnjë fjalë për dhunën barbare të milicisë beogradase, ndaj grupit të përfaqësuesve nga Shqipëria në paradën e LGBTI-së, kur ai e di mirë, se homologia serbe e tij, Anna Brnabiç, është vetë një lesbike e deklaruar, që lejoi të rrihen të ngjashmit me atë, nga policia e saj, sidomos kur janë shqiptarë?!!! Ndaj, tani është imperativ i kohës që Europa të ndalë llastimet ndaj Serbisë dhe Rama t’i thërresë mendjes për miqësinë kundërproduktive me Gëbelsin Vuçiç.

*Historian – diplomat

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura