Zoopolitika

Aug 2, 2015 | 14:51
SHPËRNDAJE

Edmond-TupjaEDMOND TUPJA

Këtu e shumë vjet më parë, kam sajuar e përdorur, në mos gabofsha, një a dy herë termin “zoopolitikë”, për të karakterizuar në mënyrë shpotitëse mënyrën se si qeverisej asokohe Republika e Shqipërisë tmerrësisht demokratike. Isha frymëzuar me sa duket  nga fabulat e frëngut La Fonten, ku kafshët sillen e flasin si njerëzit, fabula ku, midis rreshtave, lexuesi i informuar gjen tipare të politikanëve francezë të shekullit XVII, por edhe të shekullit tonë.

E siguroj lexuesin e vëmendshëm e të paanshëm të kësaj rubrike të përjavshme se sot nuk jam frymëzuar nga kjo apo fabul e frëngut La Fontenit, jo, le të më besojë ai pa më të voglën rezervë. Sot jam nisur nga dy fjalë, me të cilat, deri para disa javësh, i nderuari zoti kryetar i Kuvendit të Shqipërisë tmerrësisht demokratike bënte gargarë duke ironizuar, mjerisht, pa ndonjë finesë të veçantë.

E kam fjalën për togfjalëshin “qetësi e dashuri”. Po, po, e kam fjalën për këtë togfjalësh, sepse në secilin prej përbërësve të tij (përjashto lidhëzën “e”), kemi praninë e dy termave të fjalorit blegtoral: qetë te fjala “qetësi” (ata që dikur tërhiqnin parmendën në arë, të shquar pikërisht për qetësinë e tyre, të qetë sepse të tredhur paraprakisht, dhe që, për pasojë, pranojnë të rrinë e të punojnë nën zgjedhë) dhe dash te fjala “dashuri”. Me shumë gjasë, ky konstatim duket si fryt i rastësisë, por, gjithsesi, unë kam të drejtë të pretendoj se ai sjell ujë në mullirin tim duke nënvizuar, dashur pa dashur, ngjyrimin zoologjik të politikës së sotme shqiptare.

Me këtë nuk dua të them aspak se Kuvendi ynë i nderuar është thjesht një kopsht zoologjik, por ata që kanë lexuar fabulat e frëngut La Fonten, mund, herë pas here dhe aty-këtu, të gjejnë diçka të përbashkët midis ndonjë deputeti shqiptar dhe ndonjë personazhi antropoid, pra me tipare njerëzore, të krijuar nga fabulisti në fjalë. Sigurisht, alegorik apo metaforik qoftë, arsyetimi im mbështetet dhe te disa të vërteta: kryetari i Kuvendit mund të krahasohet, për mirë apo për keq (kjo varet nga këndvështrimi i lexuesit), me Luanin, mbretin e pyllit, ndonjë deputet lajkatar, por dinak, mund të krahasohet me dhelprën, ndonjë tjetër me ujkun, gomarin, mushkën, qenin, majmunin, cjapin apo qengjin (qengjin ?), dhe kështu me radhë deri te shqiponja, gjeli, korbi, macja, bretkosa apo miu.

Nga ana tjetër, unë jam plotësisht i vetëdijshëm se çdo krahasim vlen deri në njëfarë mase: për shembull, po të marrim fabulën e La Fontenit “Luani i sëmurë dhe Dhelpra”, rezulton se Luani, që ishte në prag të vdekjes, ftoi gjithë kafshët e pyllit t’i dërgonin nga një përfaqësues të llojit të tyre, mundësisht deputet (thekson La Fonteni dhe jo unë, Tupja), duke u premtuar me firmë e vulë se nuk do t’u prekte asnjë qime të ftuarve të tij. Mirëpo Dhelpra vuri re se kishte shumë gjurmë kafshësh që të shpinin te hyrja e Kuvendit, më falni, te hyrja e strofkës së Luanit, por nuk kishte asnjë gjurmë kafshe që të kishte dalë e gjallë së andejmi, kështu që soji i Dhelprës nuk e dërgoi përfaqësuesin e vet.

Lexuesi im i vëmendshëm e i paanshëm e kupton fare mirë që Kuvendi i Shqipërisë tmerrësisht demokratike nuk ka thuajse asgjë të përbashkët me strofkën e Luanit te kjo fabul e frëngut La Fonten. Por le t’i kthehemi binomit “qetësi e dashuri”. Ta nisim me “qetë” e gjymtyrës “qetësi”. Frëngu La Fonten ka shkruar vetëm një fabul ku përmend qetë ose më saktë, kaun, atë me titull “Bretkosa që do të trashet sa një ka”, shqipëruar mjeshtërisht nga Çajupi. E shkreta bretkosë, që të kujton babëzinë e ndonjërit apo ndoshta edhe të disa zoodeputetëve tanë, hëngri e hëngri që të bëhej sa një ka, por kur shoqet i thanë se ende s’ishte bërë as sa një vezë, atëherë, shqipëron Çajupi, “Bretkosa, nga marasi, / U fry, u fry gjersa plasi”.

Gjithsesi, sot një La Fonten shqiptar do ta ndryshonte sadopak fundin e kësaj fabule, duke theksuar se bretkosat shqiptare të shekullit XXI, sigurisht më të zgjuara se ato franceze të shekullit XVII, parapëlqejnë të bëjnë kura dobësimi në kuptimin “tul & dhjamë” të fjalës, por jo në kuptimin “pasuri & para” të saj. Tani, lidhur me fjalën “dash” që përmban gjymtyra “dashuri”, fatkeqësisht frëngu La Fonten nuk përmend ndonjë “dash” te fabulat e tij, por, gjithsesi, kjo kafshë me brirë njihet për karakterin e saj të rrëmbyer e luftarak, tipar ky që të kujton disa incidente të dhunshme në gjirin e Kuvendit të Shqipërisë tmerrësisht demokratike (ha, ha, ha, ja ku na doli një “dem” te demokracia jonë parlamentare!).

Nga ana tjetër, të mos harrojmë se gjuha shqipe përmban një mori shprehjesh popullore fort të goditura, që dëshmojnë se zoopolitika shqiptare do ta ketë jetën të gjatë. Kështu, në Fjalorin e Gjuhës Shqipe (Tiranë, 2006), te fjala “dash” gjejmë shprehjen “dash me këmborë” në kuptimin “prijës, udhëheqës”, pra edhe kryetar shteti, kuvendi, qeverie, partie etj.; këta desh me këmborë i shohim çdo ditë në televizor, në internet, në gazeta e revista dhe mund të themi e të shkruajmë se “X kryeministër apo Y president i huaj u prit me nderimet e duhura nga deshtë tanë me këmborë, Filani dhe Fisteku”; “si dashi me rrurëzën” në kuptimin “që shkojnë në pajtim të plotë”, kështu që sot për sot (sepse, sidoqoftë, nesër nuk i dihet) mund të thuhet se zotërinjtë Meta e Rama shkojnë si dashi me rrurëzën; shprehja “dashi i kurbanit”, d.m.th. personi të cilit i ngarkohet faji i të tjerëve, ka gjetur, gjen e do të gjejë përdorim edhe ajo herë pas here në sektorë të caktuar të zoopolitikës shqiptare, etj.

Së fundi, në fjalorin e sapopërmendur, te fjala “ka” vërejmë se figurojnë shumë shprehje popullore që i shkojnë për shtat zoopolitikës shqiptare, të tilla si “njihet si kau balash”, “e bën kaun me viç”, “polli kau, të të rrojë viçi”, “i pjell edhe kau” etj., por ama mungon një shprehje që u përshtatet më së miri, në lartësi, gjerësi, gjatësi e thellësi, shumë e shumë zoopolitikanëve shqiptarë, sidomos kur vijnë në pushtet, e kam fjalën për shprehjen e pavdekshme popullore “po ia fut si kau pelës”!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura