Zonjat ministre në Panairin e Librit

Nov 19, 2022 | 9:00
SHPËRNDAJE

Frano-Kulli

FRANO KULLI

I shin në ceremoninë e hapjes së Panairit të Librit, në ditën e parë, më 16, ora 11:00, Ministrja e Kulturës, zonja Margariti, e ministrja e Arsimit, zonja Kushi. Ishte edhe kryetari i bashkisë, Zoti Veliaj.

Zotëria e tij na paska pasë dhënë një mbështetje financiare për panairin… Faleminderit për mbështetjen, zotni kryetar! Se më bie rendi edhe mua ta falënderoj si pjesëmarrës në panair me “Botimet Fishta”, po edhe si anëtar i Shoqatës së Botuesve (organizator i Panairit).

Po, përtej kësaj, sekush ka mendjen edhe arsyetimin e tij për aktet e ndodhitë dhe është i lirë, gjithashtu t’i shprehë ato. Sipas vëmendjes e vlerësimit të tij, po dhe sipas interesit të tij. Unë, për vete e mendova dhe e mendoj jo vetëm të panevojshme prezencën e zonjave ministre në ceremoninë e hapjes së panairit, po në një plan moral, gjithmonë ashtu si i konceptoj unë qëndrimet morale, sidomos ato në rrafshin publik të personazheve të rëndësishëm. Bile edhe krejt të pavend, për të mos thënë të turpshme. Po, po, të turpshme.

Si mund të dalë përpara lexuesit shqiptar anëtarja e qeverisë shqiptare për kulturën në një ceremonial për librin, veprimtarinë më të rëndësishme librore në Shqipëri, kur nuk ka as më të voglin kontribut për këtë?!

Një tjetër dalje, po do të ishte e mirëpritur, një dalje llogaridhënëse e një “mea culpa” për punë të pakryera e detyra të pabëra. Në Bibliotekat Publike të qyteteve të Shqipërisë ka shumë e shumë vite që s’hyjnë libra të rinj. Është e ditur se bibliotekat publike të qyteteve janë në varësi të qeverisjes vendore. Por është po kaq e ditur se politikat librore thuren atje, në tryezën e rëndësishme të vendimmarrjes, si për gjithçka në këtë vend edhe për librin. E përreth asaj tryeze edhe zonja ministre e kulturës ka një karrige të rëndë e të rëndësishme. Dhe është e vetëmjaftueshme kjo pozitë e epërme detyre qeverisëse përballë djerrinës ku qeveria e saj po edhe qeverisjet pararendëse e kanë lënë qarkullimin e librit.

Zonja ministre e dimirë (se kush nuk e di xhanëm) në që në Tiranë nuk ka një librari për të qenë. E lë më në qytetet e tjera të Shqipërisë. Zonja ministre e di mirë se taksa që ka vënë për librin qeveria e saj, në masën 6%, është më e larta në Europë!!! Dhe ajo vijon të jetë e tillë, edhe këtë vit krize kur çmimet e lëndëve të para të industrisë shtypshkruese të librit janë rritur 70-80 për qind. Mjafton edhe vetëm kaq (se ka edhe më e më) që do të duhej ta bënte të ndihej ngushtë, duke u gjendur në karshillëkun ceremonial të hapjes së veprimtarisë më të rëndësishme librore që bëhet në këtë vend.

Si mund të dalë përpara lexuesit shqiptar zonja ministre e Arsimit të Shqipërisë, e cila është përgjegjëse për politikat librore në shkollat e Shqipërisë, në bibliotekat (publike), të të cilave nuk ka hyrë asnjë libër i ri prej një dekade, gjithashtu. Dëmi që shkakton kjo mungesë e shpërfillje është i madh e afatgjatë. Sidomos ai dëm që i është bërë e po i bëhet gjuhës shqipe nga mungesa e leximit të letërsisë veçanërisht. Për brezin e sotëm, sidomos, por më shumë për ata vijnë.

Është e ditur se në të gjitha vendet e Europës (edhe në ato të Europës postkomuniste) ka trajtime të veçanta me përparësi për librin, si një element i rëndësishëm i antropologjisë kulturore të një populli. Për prosperitetin, por edhe për të ardhmen.

Për këto këtë arsye, po edhe për të tjera që janë shumë, më e pakta që mund të bëhej ishte të abandonohej prezenca e të treve në këtë ceremoni. Unë për vete këtë bëra, edhe pse ceremonia zhvillohej 7 m larg pavijonit të “Botimeve Fishta”; në momentin që ato erdhën, unë dola. E pashë më të arsyeshme që ato minuta t’i konsumoja në kafe me dy miq të mi studiues, pensionistë. Sigurisht, kafet i pagova unë se ato nuk e kanë krejt të thjeshtë të paguajnë edhe kafet, me pensionet që kanë… Po kjo është tjetër temë e tjetër hall në Shqipërinë tonë, që nuk po i hiqen hallet. Hallet prej keqqeverisjes e prej politikave shtetrrënuese.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura