Zonat e naftës në det, kryenegociatori i 2009: Ja si mund të ndahen

Feb 12, 2018 | 16:36
SHPËRNDAJE

Kundëradmiral në Rezervë, Kristaq Gerveni, anëtar i grupit të punës për marrëveshjen e detit me Greqinë në vitin 2009, hedh poshtë publikimet e portaleve greke mbi marrëveshjen e arritur për shfrytëzimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike. Në një reagim për gazetën “Panorama”, Kundëradmirali në Rezervë shprehet se nuk mund të flitet për shfrytëzim të burimeve natyrore mbi ose nën fundin e detit, pa u miratuar më parë Marrëveshja e ndarjes së Hapësirës Ujore mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë, apo siç quhet ndryshe, të Shelfit Kontinental.

Gerveni Bushati Kotzias

Duke iu referuar disa neneve të Konventës mbi të Drejtën e Detit, Kundëradmiral Gerveni shkruan se marrëveshja hyn në fuqi pasi miratohet nga Parlamentet përkatëse dhe depozitohet në OKB. Sipas tij, ky është një kusht i panegociueshëm. Vetëm pasi të realizohet ky kusht, zbatohen nenet e tjera që flasin për të drejtën e shteteve në hapësirat ujore përkatëse.

Por, ai sjell në vëmendje edhe procedurat ligjore se si bëhet shfrytëzimi burimeve hidrokarbure për vende kaq të afërta në kufirin detar, siç është Greqia dhe Shqipëria. “Në qoftë se nën fundin e detit të hapësirës ujore mes dy vendeve tona do të zbulohet një pellg naftëmbajtës. Fillimisht, do të maten në natyrë sasia e rezervave të naftës në pjesën takuese të të dy vendeve, pastaj do të fillojë nxjerrja e saj.

Të dy vendet janë të detyruara t’i raportojnë njëra – tjetrës në mënyrë periodike. Ato do të marrin aq sasi sa janë matur rezervat në hapësirat ujore respektive, edhe pse mund të kenë teknologji të ndryshme”, shkruan Kundëradmirali në Rezervë. 

K/ADMIRAL NË REZERVË, KRISTAQ GERVENI

Duke marrë shkas nga disa shkrime që i referohen mediave greke, të cilat komentojnë Marrëveshjen e Detit, po jap disa mendime në nivelin teknik, bazuar në Konventën mbi të Drejtën e Detit. Kemi dëgjuar komente si: – “Energypress” zbulon për herë të parë marrëveshjen, të cilën ajo e konsideron “të mbyllur përgjithmonë”… “sipas fakteve që po zbulohen, në thelb ka vetëm burimet e mëdha të naftës dhe të gazit në detin Jon”.

Në Konventën mbi të Drejtën e Detit janë disa nene që e qartësojnë radhën e veprimeve që duhet të ndjekin shtetet me hapësira detare në mes tyre. Neni 83 është më i rëndësishmi në rastin konkret të vendosjes gjeografike të vendit tonë dhe Greqisë. Ai titullohet: “Kufizimi i Shelfit Kontinental ndërmjet shteteve me bregdet ballë për ballë ose shteteve fqinjë”. Ky nen përcakton se “Kufiri i Shelfit Kontinental ndërmjet shteteve me bregdet ballë për ballë ose fqinjë, realizohet me marrëveshje mbi bazat e ligjit ndërkombëtar…..”

Sqaroj për publikun se, Shelfi kontinental i një shteti bregdetar përfshin fundin e detit dhe nënburimet e zonës nënujore, që shtrihet përtej detit të tij territorial, nëpërmjet një zgjatimi natyral të territorit të tij tokësor. Shelfi kontinental i shtetit bregdetar nuk do të kalojë përtej kufirin detar. Nuk mund të flitet për shfrytëzim të burimeve natyrore mbi ose nën fundin e detit, pa miratuar më parë Marrëveshjen e ndarjes së Hapësirës Ujore mes dy vendeve tona, apo siç quhet ndryshe, të Shelfit Kontinental.

Marrëveshja hyn në fuqi pasi miratohet nga Parlamentet përkatëse dhe depozitohet në OKB. Ky është kusht i panegociueshëm. Pasi të realizohet ky kusht, zbatohen nenet e tjera që flasin për të drejtën e shteteve në hapësirat ujore përkatëse. Konkretisht, Neni 77 thekson se:

-”Shteti bregdetar ushtron mbi Shelfin Kontinental të drejtat e sovranitetit për qëllimet e eksplorimit dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore të tij…” Ndërsa neni 133 sqaron termin “Burime”, që nënkupton të gjitha burimet minerare të ngurta, të lëngëta ose të gazta në rajone mbi ose nën fundin e detit…”

Për të ushtruar këto të drejta në rastin konkret, Shqipëria dhe Greqia detyrohen të nënshkruajnë një marrëveshje të veçantë e të detajuar për mënyrën e shfrytëzimit të burimeve në hapësirat respektive. Për shembull, në qoftë se nën fundin e detit të hapësirës ujore mes dy vendeve tona do të zbulohet një pellg naftëmbajtës. Fillimisht, do të maten në natyrë sasia e rezervave të naftës në pjesën takuese të të dy vendeve, pastaj do të fillojë nxjerrja e saj.

Të dy vendet janë të detyruara t’i raportojnë njëra – tjetrës në mënyrë periodike. Ato do të marrin aq sasi sa janë matur rezervat në hapësirat ujore respektive, edhe pse mund të kenë teknologji të ndryshme. Deklarimet e tjera si: “… pala greke ka pranuar se përcaktimi i Zonave Ekskluzive Ekonomike në marrëveshjen e kaluar ka qenë nga ana metodologjike pjesërisht e gabuar”, “gjiret e brendshme duhet të konsideroheshin si “të mbyllura”…etj, etj., mendoj se janë tymnaja që përhapen nga nivele joprofesioniste, për interesa të ngushta për ta çoroditur opinionin publik.

Janë zbatuar rigorozisht të gjitha nenet e Konventës mbi të Drejtën e Detit, si për Zonat Ekskluzive Ekonomike (Zona përtej Ujërave Territoriale), ashtu edhe për respektimin e gjireve të mbyllura. Janë pesë gjire shqiptare dhe tri gjire greke, që janë konsideruar të mbyllura. Duke përfunduar, shpreh edhe njëherë bindjen e plotë se miratimi i Marrëveshjes së Detit do të kalojë procedurën e miratimit në zbatim të plotë të Konventës mbi të Drejtën e Detit.

Titulli origjinal i autorit: Nuk mund të fillojë shfrytëzimi i burimeve pa përcaktuar kufirin detar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura