“Zona ekonomike rajonale”, shinë apo stacion pritjeje?

Jul 17, 2017 | 12:00
SHPËRNDAJE

MalajProf. Dr. ARBEN MALAJ

ERI SULO*

Një nga mesazhet më domethënëse lidhur me të ardhmen e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor ishte vizioni i shprehur nga komisioneri Hahn se me politikat dhe projektet e BE-së synohet krijimi i një varësie pozitive midis vendeve të rajonit tonë. Disa media gjermane aludojnë për një projekt europian të krijimit të një unioni ekonomik të Ballkanit Perëndimor të dominuar nga serbët dhe shqiptarët!? Por delegimi i zgjidhjes së problemeve nga qeveritë te ndjesitë etnike nuk do të rezultojë një zgjidhje e mirë dhe as e qëndrueshme. Kjo mund të mos jetë një zgjidhje e mirë, sepse rajoni i ka të freskëta efektet negative të konflikteve etnike e fetare.

Së pari – projekti mund të zgjojë thëngjitë etnikë apo fetarë të mbuluar nga hiri i paqes, të cilët ndoshta nuk janë plotësisht të fikur.

eri suloSë dyti – disa nga vendet që luftojnë për dominance në rajon janë mbështetur kryesisht te ndasitë etnike dhe fetare. Historia jo e largët dhe përplasjet aktuale gjeopolitike nuk i reduktojnë, por synojnë t’i rizgjojnë rrënjët e krizave etnike apo fetare. Prandaj pa inspirimin dhe anëtarësimin në BE, “varësia pozitive” nuk mund të jetë një opsion që ofron paqe të qëndrueshme dhe mirëqenie në rritje në Ballkanin Perëndimor. Politikat e bashkëpunimit ekonomik midis vendeve ballkanike ka nisur nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale të tregtisë së lirë MTL.

CEFTA-s dhe marrëveshjeve të tjera multi dhe bilaterale kanë lehtësuar aktivitetin tregtar. Këto politika e projekte kanë sjellë efekte pozitive të matshme, duke rritur nga viti 2006 në vitin 2016 partneritetin tregtar midis vendeve të Ballkanit Perëndimor me rreth 200%. Po kështu, sipas INSTAT, vendi ynë n.q.s me gjithë partnerët e saj tregtarë ka një raport tregtar afërsisht 2 me 1, pasi për çdo 100 lekë importe kemi vetëm 47 lekë eksporte, me vendet e rajonit Shqipëria ka një bilanc tregtar të përmirësuar 1.2 me 1, pasi për çdo 100 lekë importe kemi 84 lekë eksporte.

Për të rritur bashkëpunimin dhe përfitimet reciproke, në Trieste u nënshkrua Traktati i Komunitetit të Transportit. Zhvillimi i infrastrukturës së transportit do të përmirësojë ndjeshëm klimën e të bërit biznes në rajon, duke rritur investimet private vendase dhe të huaja. Shqipëria duhet t’i integrojë sa më parë korridoret e saj të infrastrukturës rrugore, portuale dhe hekurudhore në korridoret rajonale dhe europiane të zhvillimit. Ky është thelbi i këndvështrimit europian lidhur me aftësinë e ulët konkurruese të ekonomive tona në tregun unik europian, ndaj sugjerohet fillimisht rritja e aftësisë konkurruese brenda zonës ekonomike të Ballkanit Perëndimor, që sipas studimeve nga rritja ekonomike më e lartë në të gjitha vendet e rajonit tonë, mund të krijohen rreth 80.000 vende të reja pune.

Fokusi i tretë i Triestes ishte rritja e bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës, biznesit dhe shoqërisë civile, me fokus të veçantë të rinjtë. Investimi në kapitalin human dhe social nga secili vend, por edhe nga projektet e BE është jetike për aftësinë konkurruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor. BE është e vonuar në dhënien e të njëjtave mundësive studentëve dhe stafeve akademike nga rajoni ynë (si të vendeve anëtare), në sistemin arsimor dhe kërkimit shkencor të BE-së.

Mesazhi i skeptikëve se Ballkani Perëndimor do të integrohet në BE me 20.000 veta çdo vit, është një apel publik për riskun që nga vendet tona të largohen gjithnjë e më shumë njerëz dhe aq më tepër të largohen njerëzit e mirëarsimuar, për të cilët familjarët e tyre dhe taksapaguesit e vendeve tona kanë investuar qindra milionë euro. Varfërimi i kapitalit human dhe social të vendeve tona e bënë të vështirë çdo strategji europiane për t’i mbajtur vendet e Ballkanit në stacion pritjeje të tejzgjatur, apo për t’i zgjidhur shqetësimet e europianeve nga flukset emigratore brenda vendeve të origjinës, ku përfshihen vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pa inspirimin dhe anëtarësimin në BE, krijimi i një “vartësie pozitive” midis vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk do të jetë një proces linear dhe as i lehtë. Ai do të ballafaqohet herë pas here nga “keqkuptime dhe akuza të ndërsjellta” midis vendeve të Ballkanit të ushqyera edhe nga përplasjet për influencë gjeopolitike në rajonin tonë, që sipas Churchillit prodhon më shumë histori sesa Europa mund të konsumojë.

Një sondazh i Gallup i publikuar një ditë përpara samitit të Triestes (http:// www.gallup.com/poll/213899/western-balkans-benefit-joining.aspx) konstaton: (i) diferenca të mëdha midis vendeve të rajonit lidhur me vlerësimin e përfitimeve dhe kostove nga integrimi në BE; (ii) diferenca të mëdha midis nacionaliteteve në Ballkan për mbështetjen e integrimit europian dhe (iii) diferenca të mëdha në preferencat e ballkanasve lidhur me të ardhmen europiane krahasuar me një bashkëpunim më të ngushtë me Rusinë.

Sipas këtij sondazhi, rezulton se në Kosovë 84% besojnë se do përfitojnë nga BE në raport me vetëm 4% që besojnë se nuk do të përfitojnë. Në Shqipëri 80% vlerësojnë përfitime dhe 10% mendojnë se do të kenë kosto, në Bosnje-Hercegovinë shpresa për përfitimet nga BE zbret në 59%, në Maqedoni në 58%, në Mal të Zi në 49% dhe në Serbi vetëm 40%. Lidhur me mbështetjen që nacionalitete të ndryshme në Ballkan i japin integrimit në BE, niveli më i ulët është ai i serbëve në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë respektivisht 32 dhe 38%.

Niveli më i lartë është ai i shqiptarëve të Maqedonisë me 83%, i cili është ndjeshëm më i lartë se 50% i maqedonasve në Maqedoni. Ky është një fakt domethënës se shqiptarët si komb e shikojnë të ardhmen më të mirë të tyre dhe të rajonit brenda BEsë. Ndërsa nivelet shumë të ulëta të serbëve në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë i bëjnë këto vende fragile, aq më tepër n.q.s vonohen në anëtarësimin e tyre në BE. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO është një hap shumë pozitiv për paqen në rajonin tonë. Lidhur me përfitimet nga BE krahasuar me rritjen e marrëdhënieve me marrëdhëniet me Rusinë, në Shqipëri 87% vlerësojnë pozitive përfitimet nga anëtarësimi në BE. Niveli më i ulët për përfitimet nga BE është në Serbi me 49%.

Niveli më i lartë kundër përfitimeve nga BE është në Serbi me 33% dhe më i ulëti në Shqipëri, ku vetëm 9% vlerë- sojnë shqetësime nga e ardhmja në BE. Aktualisht në asnjë vend ballkanik nuk ka një shumicë mbi 50% të atyre që vlerësojnë shqetësues integrimin në BE plus ata dhe që nuk kanë shprehur preferencat e tyre. Vizioni i kancelares gjermane Merkel se sa herë që ndihmojmë vendet në zhvillim ne (BE-ja) ndihmojmë vetveten, apeli publik i presidentit gjerman dhe austriak se BE duhet ta ndihmojë më shumë Ballkanin dhe mbështetja e përhershme dhe produktive e SHBA-së për të ardhmen e vendeve tona në NATO dhe BE, mund t’i bëjnë projektet e “zonës ekonomike rajonale” dhe “varësinë pozitive” në Ballkan, dy shina të përshpejtimit të integrimit europian dhe jo stacione pritjeje të lodhshme dhe jo produktive të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

*Rektor i Universitetit “Luarasi”

*B.A., student në SHBA, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura