Abuzimi me votën, po aq i keq sa mohimi i saj

May 4, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

prec zogajPREÇ ZOGAJ

Në sistemin shumëpartiak, votat janë një kusht për të fituar e qeverisur, kjo është sa elementare, aq edhe madhështore. Zgjedhjet e lira u kanë kursyer popujve lumenj gjaku, zgjedhën dhe shtypjen diktatoriale. Por, nga ana tjetër, abuzimi me pushtetin e votës ka sjellë fatkeqësi po aq të mëdha sa mohimi i saj.

Mjafton të kujtojmë regjimin nazist të Adolf Hitlerit, që u ngrit mbi piedestalin e dyzet e katër për qind të votave të popullit gjerman, për çfarë ky popull e sheh veten të qortuar prej shumë dekadash në arenën e klisheve. Pa u zgjatur në këtë histori komplekse, le të përmendim shpejt e shpejt dy argumente, që dalin jashtë klisheve dhe na ndihmojnë në shtjellimin e temës në rrafshin e aktualitetit shqiptar.

E para është ajo që thotë studiuesi i famshëm franko-gjerman, Alen Finkielkraut: “Nuk është e vërtetë që Hiltlerin ta ketë sjellë në pushtet demokracia”. Dyzet e katër për qind janë shumë, por nuk janë shumicë. E sollëm këto vota, plus konformizmi dhe nënshtrimi i pjesës tjetër të shoqërisë.

E dyta është ajo që pohon historiani bashkëkohor Gotz Aly: “Për shumicën e gjermanëve të rinj, nacional-socializmi nuk ishte sinonim diktature, shtypjeje apo ndalimi të shprehjes, por sinonim lirie dhe aventure. Ata e shihnin veten si pararoja e një populli të ri”. Diktatura, lufta dhe holokausti erdhën pas ngjitjes se tyre në pushtet, kur Hitleti e pa veten të armatosur me fuqinë e besimit të popullit dhe destinit mbinjerëzor.

Këto përvoja tragjike nuk pushojnë se na shushaturi e se na kredhuri në refleksione të vazhdueshme për natyrën njerëzore. “Grimcat” e tyre i shohim të reflektohen sot e gjithë ditën në sjelljen e politikanëve të prerjes shelbuse, që vinë me premtimin e botës së re, ringjalljes apo rilindjes dhe përfundojnë në bunkerë apo kulla të fildishta, në shoqërinë e klakerëve dhe servilëve, krejtësisht të distancuar nga oponenca publike dhe kriticizmi intelektual sy ndër sy.

Është shumë interesante të shihet në këtë kontekst argumenti që përdori Edi Rama për të justifikuar moslejimin e gazetarëve Fatos Lubonja, Yllki Rakipi dhe Andi Bushati në të ashtuquajturën dëgjesë publike për projektin e shumëpërfolur të stadiumit me kullë.

“Të marrin votat, pastaj të vinë”, tha Rama, sentencë që gjeti vazhdimin dhe përmbylljen e saj në komentet e mbështetësve të tij. “Kemi marrë një milion vota! Kundërshtarët do të pyesim?” Në dëgjimin e parë, kjo tingëllon si një replikë që ta mbyll gojën. Kush ka votat, ka përgjegjësinë për të marrë vendime, apo jo! Por sapo ta gërvishtësh paksa, do të ndiesh menjëherë shpërthimin e vrullshëm të “grimcave” të mendësisë totalitare për të cilat folëm më lart.

E para, Rama më të tijtë nuk kanë fituar ndonjëherë një milion vota. Kjo legjendë vazhdon të përsëritet si një spekulim i madh sa herë ka nevojë t’i ikë llogaridhënies apo të justifikojë skandale. Në një milion votat e shumicës llogariten dyqind mijë votat e LSI-së së Ilir Metës dhe mijëra të tjera të partive të koalicionit të majtë që nuk janë përfaqësuar në Kuvend.

Me këto vota Rama është bërë Kryeministër. Nuk kemi dëgjuar ndonjëherë asnjërën prej partive aleate t’ia ketë deleguar Kryeministrit votat e veta për t’i përdorur si shuplaka për opozitën apoapo për t’u mbyllur derën gazetarëve të lirë. Boll e ka që mban postin me ato vota. Spekulimi me to dhe fshehja pas tyre është një shpërdorim i madh.

Së dyti, po sikur t’i kishte të gjitha të vetat këto një milion vota?! Po sikur të kishte më shumë se një milion?! Çfarë do të thotë kjo?! Një qeveri është aty ku është sepse ka marrë votat. Ndryshe, nuk do të ishte. Votat i kujtohen dikujt që të kërkon largimin pa një shkak të dukshëm apo që të konteston legjitimitetin në forma të dhunshme.

Mund t’i kujtohen edhe ndokujt që kërkon të të pengojë me veprime konkrete për të realizuar një premtim publik të bërë në fushatën elektorale. Nxjerrja e votave jashtë këtij kuadri sikur po nxjerr armën nga brezi, sidomos pasi qeveria ka konsumuar me shumë se gjysmën e mandatit, është hile. Është edhe e trashë.

Me argumentin “kam votat” apo “merrni votat njëherë” rrëzohen të gjitha llojet dëgjesave, rrëzohen konsultimet dhe vetë pjesëmarrja qytetare në demokraci nga zgjedhjet në zgjedhje. Shumica dërrmuese e qytetarëve janë zgjedhës. Shumë pak prej tyre kandidojnë. Për çfarë dëgjesë publike mund të flitet kur kriteri i pjesëmarrjes është vota!?

Me këtë argument rrëzohen gjithashtu dy nga shtyllat e qeverisjes së mirë, që janë transparenca dhe llogaridhënia. Pse i paska shpikur Perëndimi kur paske votat? Nuk ka dyshim se Rama i di këto. Në rastin e pseudodëgjesës për stadiumin, ai thjesht ngeci në demagogjinë e tij. E organizoi si një show për t’u thënë nesër në rast nevoje kritikëve të tij: “Ku ishit ju kur bëra dëgjesë të hapur publike?”.

Kur pa se disa prej tyre kishin vendosur të linin çdo punë për ta dëgjuar, u mbylli derën. Midis heqjes së maskës dhe përballjes eventuale me kriticizmin, që mund të ndodhte ose të mos ndodhte, zgjodhi të hiqte maskën. Kjo me sa duket i kushtonte më pak. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kemi arsye të besojmë se pikëpyetjet për stadiumin janë shumë të mëdha, sa kohë që Kryeministri i është shmangur transparencës me çmimin e autodemaskimit.

Këtë hamendje e përforcon impenjimi i tij i mëtejshëm për të delegjitimuar kritikët, duke botuar në faqen e tij në “Facebook” foto të pjesëve të shëmtuara e të rrënuara të stadiumit në gjendjen që është sot, shoqëruar me shënimin “ja çfarë mbrojnë”. Spekulim i padenjë që do t’u shkonte për shtat vetëm mistrecëve të lagjes. Askush nuk është dëgjuar të mbrojë stadiumin në gjendjen që është.

Po kërkohet transparencë dhe ligjshmëri. Ka një artikulim për të mbrojtur fasadën ballore të shpallur monument kulturë, të cilën Kryeministri me qëllim nuk e ka fotografuar e botuar në faqen e tij. Së treti, dikush mund të mendojë se Rama nuk ka pasur hallin e pikëpyetjeve dhe abuzimeve me stadiumin, por ka mëri personale me disa nga gazetarët që u ndaluan të merrnin pjesë në takim.

Dikush tjetër mund të hamendësojë se nuk duron përballjen në një panel apo në një sallë me kundërshtarë, dhe kundërshtime nga bota e medias dhe shoqërisë civile; këtë e dimë prej shumë vjetësh, s’kemi përse t’ia kërkojmë më. Së fundi, një i tretë mund të rimarrë në një formë me të prerë argumentin e mbulimit me votë popullore: “Ka votat, nuk do të japë llogari. Ashtu ia thotë truri, s’keni çfarë t’i bëni! Kur të vinë votimet e radhës, turrjuni!”.

Megjithëse e papranueshme për standardet e një demokracisë normale, kjo sjellje do të mund të pranohej deri diku në realitetin e demokracisë sonë me një kusht: me kushtin që qeveria të qeverisë në bazë të programit të votuar nga zgjedhësit; qeverisja, pra, t’u përmbahet dhe të mbajë premtimet për të cilat është votuar nga shumica e qytetarëve.

Por pikërisht këtu ka ndodhur e ndodh abuzimi më i madh me votën. Premtojnë çfarë nuk do të bëjnë dhe bëjnë çfarë nuk kanë zënë në gojë, ky është zakoni, kjo është rëndom qeverisja e sotme. Është një listë e gjatë me premtime të braktisura apo të realizuara tjetër për tjetër, në të kundërtën e tyre, ku spikasin premtimet për uljen e çmimit të energjisë elektrike, për shëndetësi falas, për uljen e borxhit, për vendosjen e rendit e tjerë.

Ka një listë tjetër me bëma dhe “realizime” që nuk janë dëgjuar në asnjë lloj varianti në fushatën elektorale, por që janë bërë rrugë dhe janë konsoliduar si ëmbëlsira më e dashur e qeverisë, siç janë koncesionet me paratë e buxhetit të shtetit, një fushë e madhe korrupsioni dhe abuzimesh me demek me duar të pastra, që qelbin dynjanë.

Apo një rast tjetër tipik, ai i ndërhyrjes në Parkun e madh të Tiranës, ku po ndërtohet nën masa të rrepta sigurie, si të ishte një impiant bërthamor, një park lodrash për fëmijë. Është rrethuar sepse është kundërshtuar e sulmuar, thonë në Bashki. Por atje, deri para pak ditësh nuk të zinte syri asnjë tabelë ku të jenë afishuar konform ligjit kostoja dhe të dhënat e tjera të projektit. Një si përbindësh betoni po mbin prej dheut përtej rrethimit.

Se çfarë do të dalë, do ta shohim pas disa javësh. Sa para janë hedhur e sa para janë dhënë, këtë po përpiqen ta llogarisin çdo ditë aktivistët e shoqërisë civile që numërojnë betonierët nga distanca dhe kanë dyshimet e tyre për një aferë korruptive. Ajo që dimë, është se një park i tillë lojërash brenda Parkut të madh, nuk është premtuar nga kryebashkiaku Veliaj, përkundrazi, kujtesën e qytetarëve të Tiranës e ka shënuar zotimi i tij solemn për mbrojtjen e këtij parku.

Ajo që dimë, është se parqet e lojërave në Tiranë u janë sakrifikuar e vijojnë t’u sakrifikohen pa mëshirë planeve të Edi Ramës, dje si kryebashkiak dhe sot si kryeministër. Ajo që dimë dhe dëshiroj ta nënvizoj me forcë është se vota të bën drejtues, administrator, menaxher të pushtetit dhe aseteve publike, por asnjëherë, në asnjë rast pronar. Sjellja si pronar me justifikimin se ke marrë votat është abuzimi më i madh me besimin e qytetarëve.

Në kohën tonë, në Shqipërinë tonë, mashtruesit, që ndryshe votohen dhe ndryshe qeverisin, janë sigurisht shëmbëllime të largëta të atyre nacionalsocialistëve, për të cilët flet historiani Gotz Aly. Por kanë të përbashkët një gjë esenciale që duhet ta dimë: Sipas tyre, votat janë për t’u nisur, por pushteti e korrigjon votën.

Pushteti e gjen vetë rrugën sundimit dhe pasurisë për vete. Që përfundon në humnerë, kjo dihet, por falë kundërvënies. Ndaj sot, çdo qytetar që mendon për këto gjëra mund t’i bëjë vetes një pyetje të thjeshtë: kur Kryeministri nuk pyet për njerëz publikë, si mund të pyesë për të panjohur?

* Opinion i shkruar për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi pa lejen e gazetës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura