Zjarri djeg vendin, Policia e Prokuroria “harrojnë” të gjejnë “piromanët”. Ja vatrat më të rrezikshme

Aug 9, 2022 | 13:13
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ 38 shtëpi janë djegur nga zjarri që ka përfshirë dje Njësinë Administrative të Bërdicës në Shkodër, ndërsa janë aktive tetë vatra zjarri në të gjithë vendin.

zjarri

Këto janë të dhënat që vijnë nga Ministria e Mbrojtjes, e cila pretendon se situata është nën kontroll. Sipas të dhënave, flakët janë përhapur me shpejtësi të madhe për shkak të erës, ndërkohë që përveç Shkodrës një rrezik të madh ka paraqitur një vatër në Selenicë të Vlorë.

Ajo është aktivizuar që të dielën në mbrëmje dhe ka vijuar përgjatë gjithë së djeshmes, ku në fakt u bë me dije se rrezikoheshin një mori banesash. U kërkua të evakuoheshin banorët e zonës për të mos rrezikuar jetën për shkak disa shpërthimeve që janë dëgjuar. Por përveç Shkodrës dhe Selenicës vazhdojnë të digjen zona në Tiranë, Krujë, Durrës, Elbasan e Kurbin, përfshirë edhe Bukmirën e Mirditës.

Ministria e Mbrojtjes raporton shifrat e efektivëve që gjenden në terren duke bërë luftë me flakët, ndërkohë që në çdo vatër zjarri forcave të ushtrisë u janë bashkuar edhe banorët, të cilët betejën e tyre e bëjnë me shkurre e mjete rrethanore. Mësohet se në Kurbin është tentuar të hyhet me helikopter, po ashtu edhe në Selenicë, ndërsa në vendet e tjera beteja me zjarret vijon të jetë tokësore dhe thuajse sfiduese, kur në fakt është edhe moti kundër njerëzve dhe forcave që po luftojnë me zjarret në të gjithë vendin.

Por ajo që bën përshtypje në këtë valë përvëluese vendesh, zonash, pemtarish dhe banesash është fakti se në asnjë prej zonave të prekura nga zjarret nuk ka asnjë person të ndaluar e aq më pak të hetuar, ku në të shumtën e rasteve dyshimet bien mbi banorë të zonave përkatëse të cilët mund të jenë përgjegjës o nga pakujdesie, ose nga vënia e zjarrit në mënyrë të qëllimshme dhe për shkaqe të ndryshme.

Ndonëse zjarret në vendin tonë kanë më shumë se dy javë që kanë nisur, asnjë prokurori rrethi nuk ka bërë me dije nisjen e ndonjë hetimi, qoftë të referuar as qoftë kryesisht për këtë masakër që në të shumtën e rasteve dyshohet se është e shkaktuar nga njerëzit.

MINISTRIA E MBROJTJES

Sipas të dhënave, që prej mbrëmjes të së dielës një vatër zjarri është aktive në fshatin Dushkarak të Bashkisë Selenicë dhe përgjatë gjithë ditës së djeshme është tentuar të ndërhyhet nga ajri. Deri orëve të vona të së djeshmes u bë me dije se janë djegur rreth 30 hektarë me shkurre, pemëtari e ullinj. E njëjta situatë është edhe në fshatin Zezë të Bashkisë Krujë ku një natë më parë flakët që po përhapeshin rrezikuan edhe banesat. Ndërsa në Bashkinë Kurbin për vënien nën kontroll të flakëve në vatrat e ndezur është ndërhyrë edhe me helikopter. Në shuarjen zjarreve në vend janë angazhuar rreth 600 forca operacionale, nga Policia, forcat e armatosura, bashkitë dhe banorë të zonës.

Dje, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në të gjithë territorin e vendit ishin aktive 8 vatra zjarri: Në fshatin Gjysulkanë të Tiranës, ka rënë një zjarr, i cili rrezikoi edhe banesat. Po ashtu, në Malin e Tolës në fshatin Lam i Madh, Bashkia Mat, vijon puna për izolimin dhe shuarjen e zjarrit. Në Durrës, problematike është paraqitur situata në fshatin Shetaj pasi vatra e zjarrit vijon të jetë aktive. Kaotike prej ditësh është situata në fshatin Zezë, ku janë rrezikuar dhe banesat dhe ku u bë me dije se operacioni këtu ka filluar në orët e para të mëngjesit.

Në fshatin Shpërdhezë, Bashkia Mirditë, në harkun kohor prej një ore janë aktivizuar mbi 10 vatra zjarri, po ashtu siç edhe në fshatin Kusarth, Bashkia Elbasan, ku ka rënë zjarr i madh në një sipërfaqe kodre me ullishte. Ndërkohë, mësohet se janë 49 mjete zjarrfikëse në terren duke punuar për shuarjen e zjarreve nëpër pyje, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura