Zjarrvënia në spital, zbardhet dëshmia e pacientit që iu vu flaka

Jul 27, 2016 | 12:55
SHPËRNDAJE

Pas vdekjes së autorit të zjarrvenies në spital, i ciili akuzohej per “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “shkatërrim të pronës me zjarr”, hetimet do vijojnë për shkakun e ngjarjes.

Dhe, me sa duket, dëshmitari i vetëm që mund të hedhë dritë në lidhje me këtë fakt është shtetasi Dashamir Saraçi, i cili u spërkat me benzinë dhe mbeti i plagosur si pasojë e shpërthimit të zjarrit pranë shtratit ku po merrte shërbimin e hemodializës.

“Panorama” shkruan se Dashamir Saraçi ka qenë në gjendje tepër të rëndë që pas rënies së zjarrit në spital, duke mos arritur të japë shpjegime të hollësishme. Megjithatë, në komunikimin e vetëm dhe të shkurtër që ai ka pasur me hetuesit, mësohet se ka hedhur poshtë konfliktet me autorin e ngjarjes Lefter Canaj.

I plagosuri u ka thënë hetuesve se 57-vjeçari Canaj “ndoshta e ka sulmuar me benzinë për shkak të radhës, për ato rastet kur ai e ka marrë shërbimin para tij”.

Edhe në këtë rast, i plagosuri mësohet t’u ketë thënë hetuesve që nuk ka pasur ndonjë përplasje apo konflikt të rëndë me personin që e sulmoi me shishe benzine brenda ambienteve të repartit të Hemodializës.

HETIMI

Pavarësisht pohimit të bërë nga i plagosuri në kontaktin e tij me hetuesit e Policisë, Prokuroria theksoi dje se ka nevojë për hetime shtesë në lidhje me motivin e ngjarjes tragjike në spital.

Për të zbardhur shkakun e zjarrvënies, grupi i hetimit pritet të marrë në pyetje edhe njëherë të plagosurin Dashamir Saraçi, si dhe familjarët e tij. Në pyetje do të merren edhe familjarët e autorit të krimit, Lefter Canaj.

Grupi i hetimit ka dyshime se ngjarja mund të jetë edhe pasojë e ndonjë momenti kritik emocional apo psikologjik nga ana e 57- vjeçarit Lefter Canaj.

Dyshimet kryesore, ndonëse ende pa prova, janë se ai mund ta ketë përjetuar keq kohët e fundit faktin se shërbimi i hemodializës mund t’i jetë dhënë Dashamir Saraçit para tij.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura