“Zjarret e vjeshtës”, në shqip romani i shkrimtares së vdekur në Aushvic

Jul 29, 2016 | 14:53
SHPËRNDAJE

Ashtu si edhe shkrimtarët më përfaqësues të brezit të saj, atyre që u identifikuan si “brezi i humbur”, Heminguej dhe Remark, Irene Nemirovsky, e cila nuk pati kohë as të jetojë mjaftueshëm, do të zbulonte për brezat e mëvonshme deformimin dhe shkatërrimin e qenies njerëzore për shkak të luftës.

Irene NomirovskyPas “Suitë franceze”, i konsideruar si një nga librat më të mirë shkruar për Luftën e Dytë Botërore, vjen në shqip “Zjarret e vjeshtës”, romani i shkrimtares hebreje, të zhdukur në kampin e vdekjes në Aushvic. Romanin vjen nga shtëpia botuese “IDK”, nën përkthimin e Diana Çulit.

Sipas shkrimtares Diana Çuli, “Zjarret e vjeshtës” është “një roman tjetër magjepsës, rrëqethës dhe i mrekullueshëm i Irène Némirovsky-t… Subjekti i romanit fillon me Luftën e Parë Botërore dhe mbaron me të Dytën, pak përpara se vetë autorja të rrëmbehet nga kthetrat e çmendurisë njerë- zore.

‘Zjarret e vjeshtës’ është një roman për luftën, për dashurinë, për pasionin, për rininë e humbur, për pabesinë e tradhtinë, për kotësinë, zhgënjimin, po edhe për lumturinë, që gjendet, si shkëndija të vogla, por gjithnjë të pranishme, mes kaosit, hidhërimeve e dëshpërimeve të jetës.

‘Zjarret e vjeshtës’ është përsëri një shpalosje e talentit të veçantë të Nèmirovsky-t, e aftësisë së saj për të zbërthyer shpirtin e njeriut, marrëdhëniet e ndërlikuara mes shoqërisë dhe individit, varësisë së tij prej rrethanave, po edhe aftësisë së tij për të gjetur shtigje shpëtimi. Një vepër, e shkruar me mjeshtëri të rrallë, që të shtyn të mendosh gjatë mbi atë që njeriu i bën botës dhe vetes”.

Irène Némirovsky lindi më 1903 në Kiev, në një familje të pasur bankierësh hebrenj, që emigroi në Francë pas Revolucionit. Pasi kreu studimet, ajo shkroi një sërë veprash, të cilat e afirmuan në skenën letrare franceze.

Në vitin 1942, arrestohet nga gjermanët, të cilët e dërguan në kampin e përqendrimit të Aushvicit, ku dhe vdiq në moshën 39- vjeçare. Për disa dekada u duk sikur emri i saj qe harruar, por rreth 60 vjet pas vdekjes së saj, në vitin 2006, u botua romani i saj “Suita franceze”, të cilin ajo e kishte lënë në dorëshkrim, që e bëri sakaq Irène Némirovsky-n të famshme në mbarë botën si një ndër shkrimtaret madhore të letërsisë europiane. Romani “Zjarret e vjeshtës” konsiderohet një prej kryeveprave të saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura