Zinxhirë floriri dhe dy femra në krevat, ç’tha në gjyq i arrestuari për prostitucion

Nov 24, 2017 | 9:27
SHPËRNDAJE

Gjykata e Shkodrës la dje në burg tutorin që shfrytëzonte për prostitucion disa vajza. Rinard Tota, pavarësisht se mohoi akuzën e drejtimit të një rrjeti për shfrytëzimin e prostitutave, u la me “arrest me burg”, shkruan sot “Panorama”.

50-vjeçari u arrestua bashkë me pesë vajza të moshës 25-33 vjeçe gjatë operacionit “Balerinat”. Përveç Totës dhe vajzave, gjyqtarja Izabala Radovani la në burg edhe Kastriot M., i arrestuar si klient i vajzave që prostituonin.

Në gjykatë u paraqiten edhe shtetaset e arrestuara që dyshohet se punonin si balerina në lokalin “Tota”, por gjithashtu shfrytëzoheshin si prostituta. Anita Ll., 33 vjeçe, banuese në Burrel, Sonila M., 32 vjeçe, e dënuar më parë për prostitucion, Ardita M., 33 vjeçe, Albana M., 33 vjeçe, të tria banuese në Shkodër dhe Angje N., 25 vjeçe, banuese në Lezhë, nuk e pranuan një fakt të tillë para gjykatës.

tota

Pavarësisht kësaj, të pesë vajzat gjithashtu u lanë në masën arrest me burg. Seanca u mbajt nën masa të rrepta sigurie, ku ndërkohë që po zhvillohej gjyqi, mjedisi jashtë gjykatës ishte në mbikëqyrjen e forcave të shumta të policisë.

Në sallën e gjyqit nuk ishte asnjë i pranishëm, pasi u mbajt me dyer të mbyllura, duke mos lejuar as familjarët e të akuzuarve.

Nga burimet mësohet se Tota ka mohuar akuzën duke thënë se në lokalin e tij kishte vetëm aktivitet të ligjshëm dhe nuk ka të bëjë aspak me prostitucionin.

“Unë kam pasur një aktivitet të ligjshëm dhe kam pasur disa persona të punësuar. Nuk kam lidhje me prostitucionin. Lokali ka qenë normal, ndërsa shtetaset e arrestuara kanë qenë thjesht punonjëse dhe një pjesë grup shoqëror”, mësohet të ketë thënë 50-vjeçari para gjykatës.

Nga ana tjetër, avokati i tij, Ilir Golemi, u shpreh se provat janë të pamjaftueshme dhe kërkoi një masë lehtësuese për klientin e tij. Ndërsa Kastriot M., i akuzuar si klient dhe se kishte shkuar aty për të kryer marrëdhënie seksuale me njërën prej vajzave të arrestuara, e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke pretenduar se ndodhej thjesht për të pirë kafe në lokalin e 50-vjeçarit Tota.

Në të njëjtën linjë kanë qenë dhe pesë vajzat e arrestuara, duke mos pranuar të jenë shfrytëzuar për prostitucion. Ato janë shprehur se ishin punësuar në role të ndryshme te lokali i Totës, duke punuar si kameriere, pastruese apo balerina dhe ishin grup shoqëror.

“Ne kemi qenë një grup shoqëror që nuk kemi asnjë lidhje me prostitucionin. Kemi qenë në lokal duke punuar, siç punon çdokush dhe duke ushtruar një veprimtari të ligjshme dhe asgjë tjetër. Kemi punuar te lokali kameriere apo edhe sanitare, ndërsa një pjesë janë edhe shoqet tona që vijnë për qejf”, mësohet të ketë thënë njëra nga të arrestuarat.

Por, pavarësisht këtyre pretendimeve, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë Shkodër pretendon se ka siguruar prova të mjaftueshme me anë të përgjimeve dhe metodave speciale të hetimit. Shkatërrimi i grupit ishte pjesë e operacionit mbarëkombëtar “Forca e Ligjit” që synon asgjësimin e grupeve kriminale në vend.

Finalizimin e këtij operacioni e përshëndeti dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili deklaroi se grupi i Totës është një nga tri grupet kriminale të identifikuara në qarkun e Shkodrës. Përveç arrestimit të shtatë personave, policia gjithashtu sekuestroi lokalin 3-katësh ku kryhej veprimtaria e prostitucionit, si dhe dy automjete, një pistoletë, shtatë ora dore, bizhuteri floriri, një laptop dhe 8 telefona celularë, si dhe një sasi parash në prerje të ndryshme që dyshohet se janë siguruar nga prostitucioni.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “prostitucion”, “shfrytëzim prostitucioni”, “mbajtje e ambienteve për prostitucion” dhe “pastrim produktesh të veprave penale”.

ARRESTIMI

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Forcat e Drejtorisë Operacionale dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, kanë goditur në orët e fundit Grupin kriminal “Balerina”, të evidentuar në kuadër të operacionit të gjerë policor “Forca e Ligjit”.

Në këtë kuadër janë arrestuar, 7 shtetas të dyshuar si anëtarë të këtij Grupi kriminal, e konkretisht:

– Rinard (Frederik) Tota, 50 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale.

– Kastriot Musa, 41 vjeç, banues në fshatin Barbullush Shkodër.

-S.M, 32 vjeçe, banuese në qytetin e Shkodrës, e denuar më parë për veprën penale ushtrim prostitucioni.

– A.M, 33 vjeçe, banuese në Shkodër.

– A.Ll, 33 vjeçe banuese në Burrel.

– A.N, 25 vjeçe, banuese në Lezhe.

– A.M, 33 vjeçe, banuese në Shkodër.

Si dhe është proceduar në gjendje të lirë shtetasi K.N, banues në qytetin e Shkodrës.

Ky operacion u finalizua me sukses pas një hetimi disa mujor me aplikimin e metodave speciale të hetimit.

Shtetasi Rinard Tota dyshohet se ishte organizator i kësaj veprimtarie kriminale ku prej kohësh shfrytëzonte për ushtrim prostitucioni shtetaset e sipërpërmendura, në lokalin e tij “TATA”, në qytetin e Shkodrës.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:

• Ambjenti tre katësh në pronësi të shtetasit Rinard (Frederik) Tota, në të cilin realizohej veprimtaria kriminale.
• Dy automjete tip Benx dhe Land-Rover në pronësi të Rinard (Frederik) Tota.
• Një armë zjarri pistoletë.
• Shtatë ora dore dhe një sasi e konsiderueshme bizhuterishë floriri të ndryshme.
• Një Laptop dhe 8 telefona celularë të markave të ndryshme.
• Një sasi parash të fituara nga ky aktivitet kriminal në prerje të ndryshme lek, euro, dollarë etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura