Zija Çela, në Panair me “Lavjerrësi i qytetit”: Këtu më solli mirënjohja

Nov 16, 2019 | 20:07
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Në Panairin e Librit “Tirana 2019”, në stendën e “Toenës”, ndërsa promovohet vepra më e fundit e Zija Çelës, një grumbull i madh njerëzish presin me padurim të firmosin librin e të shkëmbejnë dy fjalë me autorin.

78216977_465327310760013_5289790663599063040_n

Shkrimtari dhe politikani Nakim Dokle, i cili së bashku me Grida Dumën do të tregojnë për lexuesit përshtypjet e tyre rreth veprës, por edhe mirënjohjen ndaj një prej autorëve më të dashur shqiptar, për ta përshkruar këtë moment sjell në vëmendje takimin e famshëm të Gabriel Garsia Markez me Ernest Heminguejn(1957), kur Markez ishte vetëm 28 vjeç e sapo kishte botuar novelën e parë. Për të do ishte e vetmja herë që do ta takonte shkrimtarin, të cilin e adhuronte.

“Ndërsa ne jemi mbledhur për të promovuar romanin e kësaj stine letrare të mjeshtrit të prozës shqipe, Zija Çela. E theksoj, roman i kësaj stine, por jo i fundit, sepse e di se kur Zija nënshkruan autografe për librin e sapobotuar, mendon ose ka filluar romanin e ri. Nuk mund të ndodhë ndryshe, sepse Zija Çelës letërsia i rrjedh në gjak”, thotë Dokle.

Të tillë vlerësim për letërsinë e Çelës ka edhe kolegu i tij, akademiku Mehmet Kraja, i cili ka shkruar gjithashtu edhe parathënien e librit. “‘Lavjerrësi i qytetit’ sjell një dramë me konotacion universal, e krijuar nga ligësitë dhe vanitetet njerëzore, kur e mira dhe e keqja ndërrojnë vendet, kur vesi ia zë vendin virtytit, kur e pandershmja ngrihet mbi të ndershmen, në një shoqëri ku vlerat morale këmbehen me pasionet e ulëta, duke humbur çdo masë për të identifikuar të drejtën dhe të vërtetën”, shkruan akademiku.

Vlerësimin që paraprin romanin e ri të Zija Çelës, shkrimtari Mehmet Kraja nuk mundi t’ia rrëfejë vetë publikut gjatë promovimit në këtë Panair, për shkak të ndarjes së parakohshme nga jeta të vajzës së tij, Arzanës. Kjo ngjarje e hidhur thërret në kujtesë largimin fizik të djalit të shkrimtarit shkodran, 13 vite më parë. “Unë e di që ju menjëherë bëni analogji me fatin tim, por duhet ditur se jeta e tillë është: Me gjasë, dhimbja mbetet gjithmonë e re, edhe pse vdekja është shumë e vjetër”, u shpreh Çela, duke i shprehur ngushëllimet mikut të tij…

75587540_465386637742259_5588108650913726464_n

E ndonëse vuajtja ngre kokë në vështrimin e mjegulluar e zëri i dridhet kur flet për Arzanën 38-vjeçare, Zija Çela përcjell në fjalët e tij, ashtu si edhe në vepër, fisnikërinë, e mban si qëllim parësor humanitetin. “Në fakt, ky është romani im i dytë, është një botim postum… Unë reshta së qeni e megjithatë, ja ku jam! Kadareja e ka sanksionuar ringjalljen, që është edhe në kulturën tonë popullore, përmes motivit të besës (“Kush e solli Doruntinën?”) si forcë nxitëse. Sot, në kuptimin metaforik “Kush e solli Zija Çelën këtu”, ka një motiv më tepër…, është mirënjohja”, u shpreh letrari mes emocionesh. Të tilla vlera njerëzore, vërshime dhimbjesh të shndërruara në forcë e letërsi elitare ia njeh Zija Çelës edhe politikania e autorja Grida Duma.

“Unë besoj se ka një pakicë njerëzish, të cilëve u jepen sprova e vuajtje njerëzore, që nuk i meritojnë personalisht. Unë besoj se arsyeja se pse kjo ndodh fshihet te një mision më i madh sesa vetë ata. Është biblike, por edhe më shumë se aq, unë besoj se Zija Çela ka vuajtur në vetvete për të na treguar neve, për të lënë një trashëgimi të fisnikërisë së lartë të ndjenjës humane përmes të shkruarit.

Të humbësh për të dhënë, me siguri ky mision nuk është zgjedhje, por pa dyshim është zgjedhje të vazhdosh, të dish të vazhdosh të shkruash. Shumë njerëz humbin në jetë, shumë njerëz gjenden përballë vendimit të fortë: Nëse mund të jenë të ndriçuar për të ardhmen, apo të errësuar nga dhimbja. Mirënjohja që unë kam për veprën e Zija Çelës, është se ai është i ndriçuar nga dhimbja, na jep neve ndriçim pas dhimbjes së vetë. Dhe kjo ndodh shumë rrallë në Shqipërinë tonë”, thotë Duma.

“‘LAVJERRËSI’ S’KA NJË PROGNOZË MBARIMI

Për Grida Dumën, romanet e Zija Çelës nuk janë romane që tregojnë ngjarje, pasi e tejkalojnë këtë kufi letrar e shndërrohen në romane-ide. Ndërkaq, Duma u sjell dashamirësve në vëmendje një frazë të romanit “Lavjerrësi i qytetit”, që e shtjellon më shumë arsyetimin e saj: “Dhe ishte shumë shpejt t’i thosha vetes: Prit o kalorës, je vetëm në fillimin e fillimeve, vetja s’ta rrok diagnozën dhe prognozën e mbarimeve”.

“Unë mbeta aty në një moment, por mandej kuptova se i gjithë romani nuk ka një prognozë mbarimi dhe kjo është e vetmja frymëmarrje. Edhe pse e gjithë vepra përçohet nga një diagnozë e momentit të errët të vlerave të shoqërisë shqiptare. Jemi në një moment të errët dhe Zija ka arritur ta përshkruajë në mënyrë të përsosur se si është kjo errësirë”, shton më tej Duma.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura