Zhvillimi si metanarrativë e opozitëbërjes së Lulzim Bashës

Jul 2, 2020 | 9:55
SHPËRNDAJE

VEHAP KOLA VEHAP KOLA

Urgjenca e largimit të regjimit Rama-Veliaj nga pushteti – përveçse një prioritet kombëtar – është shndërruar edhe në një kurth që na pengon të mendojmë edhe për mënyrën e administrimit të vendit sapo ky objektiv të përmbushet. Të nesërmen e rrotacionit politik, shqiptarët nuk do të kenë shpëtuar si me magji nga çarku politik, ekonomik dhe shoqëror i regjimit që ka mbërthyer fort çdo qelizë të jetës në vend. Hemorragjia demografike e shkaktuar nga varfëria ekstreme, mungesa e perspektivës së të jetuarit në mënyrë normale në Shqipëri dhe shthurja pandalshme e shtetit nuk do të ndalojë sa hap e mbyll sytë.

Rrëzimi i Ramës nga pushteti nuk është dhe nuk duhet të jetë objektivi ombrellë i projektit opozitar për restaurimin e demokracisë. Regjimi oligarkik i përsosur gjatë shtatë viteve të fundit ka shkaktuar mutacione shumë të rënda në legjislacion, në institucione, në ekonomi dhe në sferën publike. Kurimi i këtyre shformimeve nuk do të jetë një operacion i shpejtë, e as pa pasoja.

Shkurtimisht, shpërbërja e institucioneve të drejtësisë dhe paralizimi i çdo përpjekjeje për t’i rikthyer ato në punë, militantizmi dhe skllavërimi i paprovuar më parë në administratën publike, rrënimi i konkurrencës në të gjithë sektorët e ekonomisë, dorëzimi i buxhetit në prehrin e skemave korruptive PPP dhe gojën e borxhit më të lartë në historinë e financave publike, rrudhja e lirive dhe e të drejtave njerëzore, falimentimi i sistemit shëndetësor dhe atij arsimor, si dhe shpopullimi i shpejtë i vendit, janë zërat më akutë në kartelën e Shqipërisë që opozita kërkon të marrë në dorë.

Por, ndërsa regjimi na furnizon përditë me problematikë urgjente, siç është debati mbi sistemin zgjedhor, pakkush është duke menduar për periudhën post-Rama. Natyrisht, skenarët e Ramës për të pamundësuar zgjedhjet apo turravrapi i tij për ta zhytur vendin në qerthullin e borxheve dhe PPP-ve pa logjikë ekonomike, nuk janë çështje të dorës së dytë, por shqiptarët, dhe sidomos opozita, janë të dënuar të bëjnë të gjithë.

Duket se i vetmi që e ka kuptuar se të gjitha shformimet e përmendura dhe plot të tjera mund të kurohen vetëm përmes zhvillimit të Shqipërisë është Lulzim Basha. Me një ngulmim të guximshëm, projekti që po u prezanton ai shqiptarëve është fund e krye një projekt zhvillimor. Përmirësimi i ekonomisë familjare nxjerr familjet nga cikli i varfërisë dhe i shpëton qytetarët nga gracka e shitjes së votës. Rikthimi i konkurrencës në ekonomi rrit peshën e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe dobëson oligarkinë dhe kontrollin e saj të plotë mbi sistemin politik. Të gjitha këto objektiva kanë në themel të tyre rikthimin e taksimit të ulët dhe të sheshtë, që i dha Shqipërisë normat më të larta të rritjes në këto 30 vite tranzicion kur u zbatua për herë të parë në vitin 2007.

Lulzim Basha ka zgjedhur, pra, t’i bëjë pa shumë bujë betejat e mëdha: deoligarkizimi i ekonomisë dhe shpërndarja më e drejtë e pasurisë, dekriminalizimi i sistemit politik duke nxjerrë nga varfëria ekstreme qindra mijëra shqiptarë të shtrënguar të shesin votën dhe çlirimi i administratës nga presioni i militantëve për punësim, duke rritur mundësitë për fitim dhe punësim në sektorin privat.

Natyrisht, yryshi ynë ballkanik kërkon të dëgjojë nga sfiduesi i regjimit një ligjërim të fortë, të mbushur me metafora apokaliptike, që ndan si me shpatë të mirën nga e keqja, premton të presë në rrënjë të keqen dhe të ndëshkojë në mënyrë shembullore padrejtësitë. Por, përvoja botërore ka treguar se një ofertë e tillë populiste është e prirur të shkërmoqet dhe të lihet në harresë sapo “Mesia” të ngjitet në fron. Ndërkaq, vendimet e vështira dhe me ndikim janë pikërisht ato që u heqin të fuqishmëve avantazhin e padrejtë që gëzojnë për të fituar para.

Nga ana tjetër, zhvillimi i ekonomisë është kushti i parë që Shqipëria të ndërmarrë dhe zbatojë politika serioze për të nxjerrë nga bataku sistemin arsimor dhe, sidomos, sistemin shëndetësor. Infrastruktura arsimore dhe shëndetësore ka shtatë vite pa u prekur me dorë. Të gjitha fondet e buxhetit i janë dhuruar enturazhit të biznesmenëve të oborrit me koncesionet më të çuditshme të planetit.

Vetëm ditët e fundit, Rama dhe Balluku po mbyllin letrat e një skeme korruptive të madhe: ndërtimin me koncesion të segmentit Milot–Fier me një kosto prej 1.15 miliardë eurosh, të barabartë me koston e Rrugën e Kombit, të ndërtuar në terren malor dhe me tunelin më të gjatë të Ballkanit. Sikur të mos mjaftonte tarifa prej rreth 18 eurosh që duhet të paguajë çdo shqiptar që do ta përdorë këtë rrugë, qeveria angazhohet t’i japë edhe 120 milionë euro të tjera koncesionarit për ta mbajtur ngrohtë financiarisht derisa ai të nisë të kënaqet me të ardhurat nga tarifa.

Këto skema plaçkitëse e kanë lënë sot sistemin shëndetësor në një gjendje mesjetare dhe kanë kapitulluar sistemin e edukimit. Buxheti i shëndoshur nga rritja ekonomike do të duhet të marrë përsipër edhe shërimin e këtyre dy gjymtyrëve jetike të vendit.

Një tjetër element zhvillimor i narrativës së Lulzim Bashës është mbështetja e drejtpërdrejtë e konkurrencës duke rritur pragun e xhiros së biznesit të vogël. Të bërit biznes në Shqipëri është vështirësuar aq shumë sa, sipas raportit Doing Business të Bankës Botërore, vetëm vitin e fundit vendi humbi 20 vende në klasifikim, ndërsa Indeksi i Biznesit i Dhomës Amerikane të Tregtisë është në nivelin më të keq në 7 vitet e fundit. Rritja e pragut të xhiros së biznesit të vogël e shpëton sipërmarrjen e vogël dhe të mesme nga barrat fiskale dhe burokracitë penguese.

Për të mbrojtur çdo reformë restauratore të demokracisë dhe zhvillimit, Lulzim Bashës i duhet një plan i qartë i luftës ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve. Ndonëse vullneti i opozitës për ta luftuar mafien dhe ndikimin e saj në ekonomi dhe politikë garantohet edhe nga pozicionimi i qartë i botës së krimit në krah të regjimit të Rama-Veliajt, shqiptarët kanë nevojë të dëgjojnë se si do ta mbrojë Basha nesër në qeveri çdo sukses ekonomik e shoqëror. Narrativa e zhvillimit si strategji për kurimin e problemeve të mëdha të vendit është, në fakt, e dënuar të pranohet ngadalë për shkak të zemëratës së madhe që ka shkaktuar kolapsi ekonomik dhe shpopullimi i vendit. Por, edhe shqiptarët janë të dënuar të pranojnë se rrugë të shkurtër për trajtimin e problemeve të thella nuk ka. Shtegu i populizmit dhe retorikës luftarake është në fakt aq i shkurtër sa mbaron pikërisht atëherë kur ai duhet të fillojë: në momentin kur nis puna në qeverisje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura