Zhgënjimi i një biçiklisti

Dec 17, 2017 | 12:21
SHPËRNDAJE

tupjaEDMOND TUPJA

Para disa vitesh, kur po ripërtërihej qendra e Tiranës, e pata përgëzuar zotin Erion Veliaj, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, për kujdesin  që tregonte ndaj këmbësorëve dhe biçiklistëve, sidomos kur shpalli faqe botës se pikërisht në qendrën në fjalë donte ta ndalonte qarku-llimin e makinave në të mirë të shëndetit publik. U gëzua gjithashtu edhe biçikleta ime e vjetër, të paktën çerekshekullore, e cila vazhdon pra, t’u jetë shumë mirënjohëse autoriteteve bashkiake të kryeqytetit.

Mirëpo, prej disa muajsh dhe deri më sot, në prag të festave të fundvitit, as unë e as biçikleta ime nuk e kuptojmë përse në vend që të shtohen korsitë e qarkullimit të biçiklistëve duke u shtrirë edhe jashtë qendrës së Tiranës, harxhohen dhjetëra miliona lekë për “krijimin” apo “rinovimin”e dy korsive kryesore të kësaj qendre, asaj të Rrugës së Kavajës dhe asaj të bulevardit “Zogu Irë”. Sigurisht që lexueset dhe lexuesit e mi të vëmendshëm, jo vetëm ndaj skandaleve të kohëve të fundit të përmasave kombëtare me jehonë edhe ndërkombëtare, mund të pyesin përse fjalët “krijim” e “rinovim” që sapo kanë lexuar, e kam vënë dukshëm midis thonjëzash, kështu që po nxitoj t’u përgjigjem duke shpresuar se në mos do t’i bind, do t’i bëj të paktën të mendohen më thellë lidhur me fatin e djersës e të mundit të taksapaguesve në kryeqytetin tonë, që ndryshon nga dita në ditë, qoftë nganjëherë edhe sa për sy e faqe. Së pari, dy korsitë në fjalë kanë ekzistuar prej vitesh dhe ato përdoreshin jo vetëm nga biçiklistët, por edhe nga këmbësorët, vijon nga faqja 1 sepse një vijë e bardhë e ndante pjesën që u rezervohej të parëve nga ajo që u rezervohej të dytëve, kështu që asnjëherë nuk ka pasur ndonjë përplasje midis dy palëve, ndonëse në të rrallë kishte edhe ndonjë motoçiklist, i cili e përdorte hapësirën që ndanin dy palët e sapopërmendura. Pra, nuk kemi krijim, madje as rinovim, sepse u hoqën pllakat ekzistuese prej betoni, në gjendje fort të mirë, madje edhe me njëfarë paraqitjeje dekorative, për t’u zëvendësuar thjesht me serë! Kurse dje vura re se te kreu i korsisë së bulevardit “Zogu Irë” kishin filluar ta ngjyrosnin serën e shëmtuar me disa ngjyra të ndezura e, rrjedhimisht, agresive për syrin dhe shijet qytetare jo vetëm të miat, por edhe të biçikletës sime të skandalizuar.

Përpara kësaj situate, mendja më vajti në çast te shëtitorja e quajtur “Pedonale” (pra, më shqip, këmbësore) e Tiranës në krah të Galerisë Kombëtare të Arteve: Mos vallë Bashkia e Tiranës, përmes ndonjë tjetër projekti “krijues” apo “rinovues” do ta shtrojë edhe atë me serë pasi t’i ketë hequr çdo element dekorativ prej guri të latuar, metali apo qelqi, pavarësisht se biçiklistët e këmbësorët, kur kalojnë atje, merren fort mirë vesh midis tyre?

Në qoftë kështu, sa miliona të tjerë do t’u duhet taksapaguesve kryeqytetas të nxjerrin nga xhepat e tyre tashmë goxha të lehtësuar për shkak të shtrenjtësimit të pandërprerë të jetës “në drejtimin e (pa)duhur”?

Nga ana tjetër, druaj shumë se mos i njëjti fat i pret edhe korsitë e tjera për biçikleta rreth e rrotull sheshit “Skënderbe”, ato me tulla të kuqe: kush më bëhet dorëzanë se një ditë të bukur (ose, më saktë të shëmtuar) ato nuk do të bien viktima të “rinovimit” me serë të bojatisur? Edhe biçikleta ime e moçme është shqetësuar në këtë drejtim dhe më kërkon me ngulm që t’i rregulloj një takim me “lali Erin” (siç m’u shpreh ajo mbrëmë, ndonëse, aty për aty, e qortova duke i shpjeguar se edukata qytetare e kërkon të thotë “me zotin kryetar të Bashkisë”), por unë i premtova që mund t’i rregulloj një takim vetëm me biçikletën e zotit kryetar, në pastë edhe ai një të tillë.

Biçikleta ime, biçikletë meshkujsh, e pranoi propozimin tim të ndershëm, veçse me një kusht: që biçikleta e zotit Kryetar të jetë detyrimisht biçikletë femrash! Së fundi, kur e vura pardje në dijeni ishkolegun dhe mikun tim Françesk Armadhi për temën e këtij shkrimi, ai më propozoi t’i bëja një ftesë zotit Erion Veliaj për një xhiro me biçikletë në korsitë e lartpërmendura për të parë se, kushedi, sera është më e rehatshme se pllakat, tullat e gurët dekorativë për vithet e biçiklistëve, sidomos, kryesisht e në veçanti për ata që vuajnë nga hemorroidet!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura