Zhdukja e mjekut hebre në Degën e Brendshme, dëshmia makabre e gruas: Si e gjeta trupin pa kokë, me të në Morgun e Tiranës…

Nov 7, 2019 | 8:56
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur të Natan Schachner, mjekut me origjinë hebraike i cili gjatë periudhës së pushtimit ishte në rradhët partizane të Brigadës së Mehmet Shehut dhe pas Luftës shërbeu si mjek në disa rrethe të vëndit si: Kukës, Burrel, Shkodër, Krujë Durrësetj. Rrëfimi i bashkëshortes së tij Mila Çorati Schachner rreth misterit të zhdukjes së tij në qelitë e Degës së Brendëshme të Durrësit në vitin 1973 pas dy letrave që sapo i kishin ardhur nga Londra, ku i njoftohej gjetja e pasurisë tij në Bankën e Tel-Avivit dhe alibia e Sigurimit të Shtetit….

20191105_225442-1

Më datën 11 janar të vitit 1973, që përkonte dhe me festën e Republikës, në shtëpinë tonë në qytetin e Durrësit, erdhën rreth 12 civilë të Sigurimit me në krye Kryetarin e Degës së Brendëshme të asaj kohe K.E. Në atë moment që ata hynë në mënyrë demostrative në shtëpi, Natani që po luante tavëll me dy shokë të tij, ngriu në vënd dhe nuk foli asnjë fjalë, kur ata i komunikuan se “në emër të popullit ishte i arrestuar”. Unë u tremba dhe menjëherë zura të bërtisja duke u thënë se ai nuk kishte bërë asgjë, por njëri nga ata, një djal i ri i quajtur Vladimir Çuçi, me shumë dashamirësi gjeti momenetin dhe më tha në italisht se unë nuk duhej të flisja. Pas arrestimit të Natanit, ata i bënë një kontroll të imët të gjithë shtëpisë dhe morën me vete të gjitha dokumentat e tij, si dhe dy libra të vëllait tim Agron Çoratit, të cilat i kishte shkruar gjatë kohës që ishte në internim në Zvërnec. Që në fillim të kontrollit të banesës, ata u drejtuan për tek komedina dhe morën dy letra me zarfe të cilat i kishin ardhur Natanit ato ditë nga Londra, ku njoftohej gjetja e pasurisë së nënës së tij Bertës, në Bankën e Tel-Avivit. Më bëri përshtypje se kur bënë proçes-verbalin e sekuestrimit të dokumentave, ato dy letra nuk i shënuan fare”. Njeriu që flet është Mila Schachner (Çorati), ish-komuniste e orëve të para dhe Përgjegjëse e Rinisë në Brigadën e Dytë të Beqir Ballukut, e cila tregon gjithë historinë e bashkëshortit të saj me origjinë izraelite, Natan Schachner, që u zhduk në mënyrë misterioze nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1973 në qelitë e Degës së Brendëshme të Durrësit. Po kush është Mila Çorati dhe cila është e kaluara e saj? Si u njoh dhe u martua ajo me mjekun e famshëm me origjinë ebraike Natan Schancner dhe si kishte përfunduar ai në Shqipëri, pasi i kishte shpëtuar pushkatimit të gjermanëve në kampin e internimit në Jugosllavi? Përse Natani u largua si i padëshirueshëm nga rradhët e Ushtrisë, ku ai kishte shërbyer si mjek që në Brigadën e Parë të Mehmet Shehut në vitin 1943? Cili ishte qëndrimi i tij lidhur me konfliktin arabo-izraelit në vitin 1966 dhe çfarë tha ai publikisht në dasmën ku ishte thirrur tek komshijtë e tij në qytetin e Durrësit?! Përse pas asaj dite ai u vu nën survejimin e rreptë të Sigurimit të Shtetit dhe çfarë thuhej në dy letrat e fundit që atij i erdhën nga Londra? Përse në momentin e arrestimit, oficerët e Sigurimit u drejtuan përnjëherë tek ato dy letra dhe përse nuk i shënuan ato në proçes-verbalin e sekuestrimit të dokumenteve që iu gjetën atij?! Cila është e vërteta e misterit të zhdukjes së tij nga qelitë e Degës së Brendëshme të Durrësit ku ai u mbajt për gjashtë muaj nën tortura dhe kush është njeriu që ka dëshmuar se trupin e Natanit me kokë të prerë, e ka parë deri në fundin e viteve 1980-të në morgun e Tiranës ku mësonin studentët e Mjeksisë?

Zhdukja misterioze e Natanit

Por çfarë ndodhi gjatë hetuesisë me mjekun Natan Schachner dhe si u trajtua ai nga Sigurimi i Shtetit? Lidhur me këtë Mila dëshmonte: “Nga disa njerëz, ne mundëm të mësonim se Natanin e torturonin vazhdimisht gjatë hetuesisë. Unë javë për javë i dërgoja ushqime dhe ndërresa, por isha e sigurt se jo vetëm ushqimet, por as ndërresat nuk ia jepnin atij. Njëherë në ndërresat e tij gjeta një copë letër ku shkruhej: ‘Mila, unë nuk kam treguar asgjë, prandaj as ti mos trego’. Duke qenë e sigurtë se ai nuk ishte shkrimi i tij dhe se ajo gjë ishte një truk i Sigurimit, shkova vetë në Degë dhe i thashë kryehetuesit se ajo letër nuk ishte e tim shoqi. Ata ngrinë dhe nuk folën asnjë fjalë. Mbas gjashtë muajsh një i afërmi ynë na tha se Natani kishte vdekur në hetuesi dhe ishte në morg. Unë vajta menjëherë në hetuesi dhe kryehetuesi më tha: ‘Natani ka varur veten në qeli. Ai ishte agjent sionist ndërkombëtar dhe ishte i vendosur deri në fund’. Unë i pyeta se sa lekë iu detyrohesha për shpenzimet e varrimit, por ai më tha se për atë gjë kishte menduar vetë shteti. Më pas ata më sollën në shtëpi rrobat e tij ku mungonte qemeri dhe njëra këmbë e pantallonave. Me atë gjë ata donin të tregonin se Natani kishte varur veten. Pas kësaj mua më hoqën nga puna dhe më dërguan mësuese në fshat, duke më lënë të banoja vetëm në një dhomë. Aty nga viti 1991, një person që kishte punuar si fotograf në Ministrinë e Brendshme, erdhi dhe më tregoi se në korrikun e vitit 1973 atë e kishin thirrur urgjent në Durrës, për të fotografur një të burgosur që kishte vdekur në qeli. Ai kishte mësuar se i burgosuri quhej Natan Schachner dhe se ai kishte vdekur gjatë torturave. Më pas ata e kishin varur duke thënë se kishte bërë vetëvarje”, tregonte në rrëfimin e saj Mila Çorati, duke shtuar se në atë kohë një ndihmës-mjek, shkoi në shtëpinë e saj dhe i tregoi se trupi i Natanit, me kokë të prerë, deri në vitin 1991 kishte qëndrua në morgun e Tiranës, ku mësonin studentët e Mjeksisë. Bashëkëshorti i saj, mjeku me origjinë izraelite që punoi për 33 vjet në Shqipëri, u kishte shërbyer shqiptarëve edhe përsëvdekuri.

Natan Schachner, mjeku me origjinë hebraike që punoi 33 vjet në Shqipëri

Natan Schachner u lind më 6 prill të vitit 1913 në Sadagura të Rumanisë, (krahinë e Moldavisë që më pas kaloi nën Bashkimin Sovjetik) në një familje me origjinë ebraike nga Izraeli dhe i jati i tij quhej Leon, kurse nëna Berta. Që nga fillimi i shekullit të kaluar, familja e Leon Schachner ka banuar në krahinën e Moldavisë, e cila në atë kohë ishte nën administrimin e Rumanisë dhe më pas, gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, ata u shpërngulën prej andej dhe jetuan disa kohë në Austri. Nuk dihet me saktësi dhe nuk ka asnjë të dhënë qoftë dhe të përafërt se në ç’periudhë kohe ajo familje është larguar nga atdheu i tyre Izraeli, për t’u vendosur në krahinën e Moldavisë, ku asokohe jetonte një komunitet i madh me origjinë ebraike. E jëma e Natanit, Berta kishte lindur në Poloni në një familje të pasur latifondiste (me origjinë ebraike) dhe familja e saj kishte banuar për disa kohë edhe në Gjermani. Natani i cili ishte djal i vetëm i Leon dhe Berta Schachner, pasi u shkollua në Sadagura të Rumanisë ku mbaroi dhe gjimnazin klasik, në vitin 1933 u dërgua për të ndjekur studimet e larta për Mjeksi, në Universitetin e Bolonjas në Itali. Në atë Universitet, Natan Schachner studjoi për gjashtë vjet në degën e Kirurgjisë patollogjike dhe në vitin 1939, ai u diplomua me rezultate të larta duke marrë Medalje Ari. Pas marrjes së diplomës, Natani së bashku me shumë shokë të tij studentë me origjinë ebraike, u nis për t’u kthyer në Rumani, ku asokohe vazhdonte të banonte familja e tij. Por gjatë atij udhëtimi, ai së bashku me të gjithë shokët e tij studentë të sapodiplomuar, u ndaluan nga forcat gjermane në kufirin Jugosllav dhe përfunduan në një kamp përqëndrimi. Siç ka dëshmuar dhe vetë Natani, ndalimi i tyre u bë për arsye se gjermanët nuk kishin dëshirë që vëndet e Lindjes komuniste të cilat ishin nën influencën sovjetike, (siç ishte në atë kohë Moldavia) të furnizoheshin me kuadro të diplomuar në Perëndim. Pas disa muajsh qëndrimi në atë kamp përqëndrimi që kishin hapur gjermanët në Jugosllavi, (ku Natani nuk e tregoi kombësinë e tij ebraike) ai mundi që të shpëtonte nga pushkatimi duke u arratisur që andej, vetëm në sajë të gjuhës gjermanishte që e zotëronte në mënyrën më të përkryer. Pas arratisjes nga kampi i përqëndrimit gjerman, Natani kishte si synim për t’u vendosur në Prishtinë, ku asokohe jetonin dhe një numër i madh ebrejsh, të cilët kishin gjetur aty një strehë të sigurtë duke u marrë nën mbrojtje nga autoritetet vendore të Kosovës. Pasi udhëtoi disa ditë nëpër male, Natani mbërriti në Prishtinë diku aty nga pranvera e vitit 1940 dhe menjëherë filloi punë si kamarier në një nga lokalet e atij qyteti me pronar shqiptar. Në atë kohë që mbërriti në Prishtinë, Natani mësoi se babanë e tij Leonin e kishin pushkatuar gjermanët në Austri, kurse nënën e tij Bertën, e kishin internuar në një kamp përqëndrimi në Siberi. Nisur nga këto rrethana dhe duke mos pasur më asnjëeri të afërt të familjes në Sadagura të Moldavisë, Natani vendosi që të vinte në Shqipëri ku asokohe kishin ardhur dhe një numër jo i vogël ebrejsh, të cilët kishin gjetur mbrojtjen e popullsisë vendase. Pasi qëndroi për afro një vit e gjysëm në Prishtinë, aty nga janari i vitit 1942, Natan Schachner plotësoi disa dokumente fallse (ku e fshehu kombësinë e tij ebraike) dhe u nis për në Shqipëri, duke udhëtuar me një nga kamionët e linjës Prishtinë-Tiranë. Duke mos pasur asnjë lloj mbështetje dhe nga që nuk e dinte mirë gjuhën shqipe, Natani u vendos tek Pazari i Vjetër (aty ku sot është Pallati i madh i Kulturës) ku punoi si hamall, duke ngarkuar dhe zhgarkuar mallrat e tregtarëve të ndryshëm tiranas. Nga që nuk kishte asnjë lloj banese për të futur kokën, Natani flinte në dyqanet e tregtarëve të ndryshëm tiranas, të cilëve iu ruante dhe mallrat e dyqanet e tyre, duke u paguar dhe si roje nate. Pasi punoi disa kohë si hamall pranë atij pazari dhe duke mos i treguar asnjë njeriu për kombësinë e tij ebraike, aty nga vera e vitit 1942, Natani filloi punë si hamall në magazinat e dy tregtarëve të njohur, të quajtur Gaqo Papadhopulli dhe Petro Roçi. Këta dy tregtarë të cilët asokohe bënin tregti të madhe me mallra farmaceutike, e morën Natanin në punë si hamall në magazinat e tyre, vetëm pasi e vunë në provë dhe panë që ai ishte njohës i shkëlqyer i medikamenteve mjeksore që ata tregtonin. Pasi punoi për afro dy vjet pranë atyre magazinave (ku në njërën prej tyre kishte adaptuar dhe një vënd për banesë) aty nga shtatori i vitit 1943, kur kapitulloi Italia dhe gjermanët po i afroheshin Tiranës, për t’i shpëtuar ndjekjes së tyre, Natani u largua që andej dhe u fsheh në periferi të Tiranës afër fshatit Zall-Herr. Po në atë kohë me ndihmën e dy tregtarëve Gaqo Papadhopulli dhe Petro Roçi, Natani u bashkua me çetën e forcave të Legalitetit që vepronte në atë zonë, e cila komandohej nga kapiten Xhemal Herri. Pasi qëndroi disa kohë pranë asaj çete duke shërbyer si mjek, Natani me mirkuptim u largua që andej dhe në gushtin e vitit 1944 u bashkua me partizanët e Brigadës së Parë të porsaformuar në Vidhkuq të Korçës të komanduar nga Mehmet Shehu. Edhe në këtë formacion të madh partizan, Natan Schachner u caktua me detyrën e mjekut të Brigadës, ashtu siç kishte shërbyer edhe pranë forcave të Xhemal Herrit. Aty nga vera e vitit 1944, Natani u transferua nga ajo brigadë dhe kaloi po me detyrën e mjekut pranë Brigadës së XXIII, e cila asokohe vepronte në periferitë e Krujës dhe Tiranës. Edhe pas mbarimit të Luftës, Natani shërbeu si mjek pranë asaj Brigade deri në janarin e vitit 1946 dhe në atë kohë u transferua si mjek pranë një regjimenti të Divizionit të Korçës, ku punoi deri në 1 shtator të vitit 1949. Në të gjitha ato njësi ushtarake ku punoi, ndonëse e ushtronte me mjaft korrektesë e humanizëm detyrën e mjekut, Natani shihej me sy të keq nga organet e Sigurimit të Ushtrisë, me që ishte shtetas i huaj. Si rezulat i kësaj, pas transferimit nga Korça, ai u transferua përsëri edhe disa herë të tjera në shumë reparte si në Kukës e Shkodër, deri sa e nxorrën në lirim në 30 dhjetor të vitit 1951, me motivacionin: “I padëshirueshëm në Ushtri”. Pas lirimit nga ushtria, Natanin e emëruan si mjek civil në qytetin e Burrelit ku punoi nga viti 1951 deri në 1954-ën, kur e transferuan dhe e sollën në Fush-Krujë. Në atë kohë ai u njoh me një vajzë tiranase të quajtur Erugina (Mila) Çorati e cila kishte qenë partizane dhe punonte në sektorin e Propagandës të Ministrisë së Shëndetësisë. Pas martesës atyre iu dhanë një banesë në fshatin Arrameras, pasi deri në atë kohë Natani banonte në Teqen Bektashiane të Fush-Krujës. Në vitin 1956, me ndihmën e Kryqit të Kuq të Shqipërisë, Natanit i erdhi në Shqipëri nëna e tij Berta, e cila banonte në Moskë, ku ishte vendosur pasi ishte liruar nga kampi i përqëndrimit i Siberisë. Me ardhjen në Shqipëri, nëna e Natanit, Berta, jetoi me djalin e saj dhe gruan e tij Milën, për afro dy vjet në shtëpinë e tyre në fshatin Arrameras të Fush-Krujës, deri sa vdiq në vitin 1957. Pas shumë kërkesash, në vitin 1960, Natani së bashku me gruan e tij Milën, u transferuan nga Fush-Kruja për në Durrës. Në atë qytet, Natani punoi si mjek në spital dhe Poliklinikë, (bashkëshortja e tij Mila punoi si mësuese) duke u vlersuar si një nga mjekët më të mirë dhe tepër humanë që i ndiqte pacientët e tij duke u kujdesur për ta deri në Tiranë. Edhe pse Natani, gëzonte një emër të mirë si mjek në qytetin e Durrësit, nga viti 1967 ai u survejua rregullisht nga Sigurimi i Shtetit, pasi në atë kohë ai ishte shprehur hapur në mbrojtje të izraelitëve në konfliktin e tyre me vëndet Arabe. Në qytetin e Durrësit, Natani punoi për afro 14-vjet, deri në 11 janar të vitit 1973, kur u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, me akuzën: “Agjent ndërkombëtar i vendosur i sionizmit”. Pas gjashtë muaj hetuesie, në korrikun e atij viti, bashkëshortja e tij Mila Çorati u njoftua nga Dega e Brendëshme e Durrësit se i shoqi i saj Natan Schachner, kishte varur veten në qelinë ku mbahej i izoluar. Që nga ajo kohë e deri në sot, Mila Çorati nuk ka asnjë të dhënë se ku prehen eshtrat e bashëshortit të saj, ndonëse disa të afërm i kanë treguar se trupi i tij me kokë të prerë, deri nga fundi i viteve 80-të, ka qëndruar në morgun e Tiranës ku mësonin studentët e Mjeksisë./Memorie.al

20191105_225019 20191105_225357 20191105_225136-1 20191105_225019 20191105_224856 20191105_225101

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura