Zhdukja e 100 mijë eurove pas aksidentit, xhaxhai i 32-vjeçares: Ma grabitën mbesën

Aug 3, 2015 | 8:04
SHPËRNDAJE

Familjarët e 32- vjeçares Bujana Bushi, gruas që humbi jetën në aksidentin e Kavajës, më 30 korrik, akuzojnë për vjedhjen e parave të viktimës edhe pas sqarimit publik që bëri dje Policia e Tiranës.

PAMJE NGA AKSIDENTI (DJATHTAS) VIKTIMA BUJANA BUSHI
PAMJE NGA AKSIDENTI (DJATHTAS) VIKTIMA BUJANA BUSHI
Xhaxhai i Bujanës, Selim Bushi, këmbëngul që ajo ka pasur mbi 100 mijë euro me vete në çantë, por ato janë zhdukur pasi polici i qarkullimit ia ka dorëzuar çantën vëllait të shoferit.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai thotë se mbesa i kishte ato para për të blerë shtëpi në Vlorë dhe një makinë. Por nuk i janë kthyer as paratë, as bizhuteritë dhe asgjë personale që ajo kishte me vete. Selim Bushi hedh dyshime edhe për vrasjen e Bujanës dhe më pas grabitjen e saj, ndërsa shprehet se nuk i njeh dy vëllezërit që janë përfshirë në këtë histori, por di që ata janë biznesmenë të njohur që jetojnë mes Tiranës dhe Vlorës.

Ai i kërkon Policisë, Prokurorisë dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, që të zbardhin ngjarjen, pasi nuk duan që të kenë konflikte personale me askënd.

Policia e Tiranës, në një sqarim për aksidentin ku humbi jetën mbesa juaj, thotë se çantën me sendet e saj personale ia ka dorëzuar vëllait të personit që drejtonte mjetin. Ju keni dijeni për këtë?
Po, nga të dhënat e policit të Qarkullimit të Kavajës, thuhet se ai ia ka dhënë çantën vëllait të shoferit. Se si i jepet çanta me sendet personale një personi tjetër, unë këtë nuk e di.

Keni arritur të kontaktoni me këtë person, vëllain e shoferit?
Jo, jo. Unë dua që gjërat t’i zgjidhë shteti, nuk kam punë unë të gjej e të flas me njerëz që nuk i njoh. Nuk e dimë fare se kush është ky person. Ta sqarojë Policia këtë çështje

Intervisten e plote marre nga Etleva Delia e lexoni sot ne “Panorama” print 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura