Zhdukën kartelat e pronësisë, Kryeregjistruesi ndjek penalisht dy specialistë të Hipotekës

Jan 12, 2018 | 11:10
SHPËRNDAJE

Dy specialistë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Korçë, E.G. dhe A.P. janë shkarkuar nga detyra dhe ndaj tyre është depozituar kallëzimi penal pranë organit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, shkruan “Panorama”.

Elion Semanaj, kryeregjistruesi i ZQRPP5

Kryeregjistruesi Elion Semanaj ka firmosur ndërprerjen e marrëdhënies së punës për dy specialistët, pasi është verifikuar se në bashkëpunim kanë zhdukur dy kartela pronësie.

Menjëherë është ngritur një grup pune dhe është kërkuar një hetim i brendshëm i institucionit. Në këto kushte, janë kontrolluar kamerat e sigurisë së institucionit dhe është evidentuar se dy punonjësit e zyrës, kanë bashkëpunuar me njeri-tjetrin në këtë vepër penale.

Në këto kushte flagrance, kryeregjistruesi firmosi shkarkimin e tyre dhe nisjen e procedurave për depozitimin e kallëzimit penal ndaj dy punonjësve të ZVRPP në Korçë.

Zyra Qëndrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të vijojë të verifikojë çdo ankesë të qytetarëve për shërbimet që ofrohen pranë sporteleve të saj dhe do të godasë çdo rast abuzimi me detyrën apo më keq korruptiv nga punonjës të papërgjegjshëm të saj.

Dy ditë më parë, Semanaj ka firmosur urdhërin e shkarkimit për punonjësin Patriot Deraj, me detyrë specialist IT pranë zyrës së hipotekës Vlorë, i cili u kap në flagrancë nga kamerat e emisionit investigativ “Stop” duke marrë 500 mijë lekë të vjetra për të nxjerrë një certifikatë pronësie.

“Inkurajojmë qytetarët që të mos hezitojnë të denoncojnë të gjitha veprimet korruptive apo në shkelje të detyrës nga punonjës të ZVRPP-ve apo të institucioneve të tjera në varësi të Ministrisë së Drejtësisë”, thuhej në njoftimin që ministria e Drejtësisë shpërndau për rastin korruptiv të Vlorës.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura