Zhduken 42 helikopterë në Turqi, frikë për një grusht shteti të ri

Jul 18, 2016 | 8:54
SHPËRNDAJE

Në Turqi vazhdon arrestimi i gjeneralëve të lartë, madje edhe bashkëpunëtorit më të ngushtë të Presidentit Erdogan në Ushtri, pas dështimit të një grusht shteti të organizuar mbrëmjen e së premtes, i cili rezultoi me 265 të vdekur, mbi 1400 të plagosur dhe mijëra të arrestuar.

18

Agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi tha se autoritetet kanë nxjerrë një urdhër për arrestimin e ndihmësit të lartë ushtarak të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Sipas agjencisë “Anadolu”, të dielën është lëshuar urdhër arresti kundër kolonel Ali Yazici. Nuk është shumë e qartë se çfarë roli mund të ketë luajtur Yazici, nëse është vërtetë i përfshirë në grushtin e shtetit.

Kryeministri Binali Yildirim tha se komplotistët e puçit janë mundur, grushti i shtetit ka dështuar dhe jeta është kthyer në normalitet. Por arrestimet vazhdojnë.

Një zyrtar i qeverisë turke tha se komandanti i një baze ajrore të përdorur nga avionët e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të kundër ISIS në Irak dhe Siri, baza Inçirlik, është arrestuar. Gjenerali Bekir Ercan Van, 10 ushtarë të tjerë dhe një oficer i policisë nga baza Inçirlik janë arrestuar për rolin e tyre në grushtin e shtetit të dështuar.

Agjencia private turke e lajmeve, DHA, tregoi pamjet e Van të prangosur, duke u shtyrë në një furgon jashtë një gjykate. Arrestimi i Van besohet të ketë lidhje me zhdukjen e të paktën 42 helikopterëve nga inventari ushtarak i Turqisë, në prag të përpjekjes së dështuar për grusht shteti të premten në mbrëmje.

Helikopterët, të cilët ende nuk dihet se ku ndodhen, kanë shtuar tensionin se mund të ketë një përpjekje tjetër për grusht shteti në Turqi dhe autoritetet janë në gatishmëri. NATO mban afërsisht edhe 90 armë taktike bërthamore në Bazën Ajrore të Inçirlik, nga ku 42 helikopterët janë zhdukur, duke shkaktuar shqetësim në lidhje me sigurinë e armëve të SHBA-ve në Turqi dhe duke ngritur dyshime mbi aftësinë e terroristëve për të marrë në duart e tyre armatim të avancuar ose potencialisht një bombë bërthamore.

Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëron se situata në Turqi mbetet e paqëndrueshme dhe paralajmëron udhëtarët e huaj të shmangin udhëtimet e panevojshme, duke përmendur një rritje të kërcënimit terrorist, ndërkohë që situata duket kaotike në të gjithë vendin.

Baza Inçirlik u mbyll të shtunën, por të dielën Pentagoni njoftoi se Turqia e ka rihapur hapësirën e saj ajrore për avionët ushtarakë, duke lejuar koalicionin e udhëhequr nga SHBAtë për të rifilluar operacionet ajrore kundër ISIS. Turqia e mbylli hapësirën ajrore pas një grushti shteti në tentativë, i cili dështoi.

Sekretari i shtypit në Pentagon, Peter Cook, tha se “Objektet e SHBA-ve në Inçirlik ende veprojnë në burime të brendshme energjie, por ne shpresojmë për të rivendosur energjinë komerciale shpejt.

Operacionet në bazë nuk janë prekur”. Turqia, anëtare e NATO-s, është një partner i rëndësishëm në përpjekjet e udhëhequra të SHBA-ve për të mposhtur ISIS dhe ka lejuar avionë amerikanë të përdorin bazën ajrore Inçirlik për misionet kundër ekstremistëve në Siri dhe Irak. PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura