Zhbllokohet procesi i kompensimit të pronave, ja sa do të përfitojnë pronarët me ndryshimet e bëra

May 25, 2023 | 19:16
SHPËRNDAJE

Pas më shumë se një viti i bllokuar për shkak të ndryshimeve ligjore, rihapet procesi i kompensimit të pronave. Me anë të një njoftimi, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka bërë me dije, se do të nisë rivlerësimi financiar për dosjet e patrajtuara deri më tani.

1533620665_pronat1

Me ndryshimet e bëra, pronarët e shpronësuar në diktaturë do të përfitojnë jo më pak se 10 për qind të vlerës që ka prona e tyre sot në treg.

Kjo vlen për të gjithë ato familje që preken nga ndryshimi i zërit kadastral, çka do të thotë që kanë një pasuri, e cila në kohën e shpronësimit ka qenë tokë bujqësore ndërsa aktualisht ka statusin e tokës truall.

Njoftimi i plotë nga Agjencia e Trajtimit të Pronave

Me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 77/2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me datë 30.12.2022 dhe me miratimin sot të ndryshimeve në dy vendimet e Këshillit të Ministrave, përkatësisht VKM nr. 222/2016 dhe VKM nr. 223/2016, Agjencia e Trajtimit të Pronave nuk ka më asnjë pengesë ligjore për vijueshmërin e procesit të njohjes dhe kthimit të pronës si dhe të kompensimit të saj.

Me ndryshimet ligjore dhe nënligjore, të cilat erdhën në kuadër të rekomandimeve të dhëna nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimin “Beshiri kundër Shqipërisë”, si dhe Vendimit nr. 4/2021 të Gjykatës Kushtetuese, Agjencia e Trajtimit të Pronave do të filloj procedimin administrativ për ato dosje të patrajtuara më parë me vendim si dhe nuk do të ketë më kufizim në kthimin fizik të pronës.

Të gjithë ato subjekte të cilët i janë drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë për kërkesat e patrajtuara për njohjen e pronës, kanë të drejtë të heqin dorë nga gjykimi i çështjes dhe të paraqesin kërkesë pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave për shqyrtimin e dosjes së tyre.

Gjithashtu do të rihapet afati për të vlerësuar financiarisht, të gjitha ato vendime me të drejtë kompensimi të pavlerësuara më parë, nuk do të ketë më vlerësim financiar më pak se 10 për qind sipas zërit kadastral aktual si dhe do të indeksohet shuma e kompensimit deri në pagesën përfundimtare.

Subjektet që i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për të kërkuar vlerësimin financiar, kanë të drejtë të heqin dorë nga gjykimi i çështjes dhe të paraqesin kërkesë pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura