Zgjim dhe shpresë

Jun 23, 2022 | 7:39
SHPËRNDAJE

leonidhamertiri1LEONIDHA MËRTIRI

Gjermania, ky shtet i fuqishëm i Bashkimit Europian, sikurse vërehet edhe gjatë kësaj periudhe, kërkon të jetë dhe më e vendosur për ta çuar më tej Procesin e Berlinit. Çfarë solli ky, tashmë është i njohur! Por Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, shikon mundësi të tjera edhe më të mëdha në impaktin e këtij procesi: Për një mjedis më të shëndetshëm midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, edhe më të fuqishëm në fushën e bashkëpunimit, jo vetëm ekonomik, por edhe politik.

Ky impakt, edhe pse me vështirësi, diçka solli në lehtësimin e këtij bashkëpunimi. Probleme të rajonit hynë më shumë në axhendën e liderëve të gjashtë vendeve. Kjo nismë që mori udhë me Konferencën e nivelit të lartë në vitin 2014, në Berlin, udhëhequr nga ish-Kancelarja gjermane, Angela Merkel, synonte që gjashtë vendet e rajonit tonë të punonin për plotësimin e kritereve që kërkonte procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo vërtet rriti deri diku komunikimin e krerëve të gjashtë vendeve, si dhe të disa iniciativave të bashkëpunimit ekonomik, por nuk pati progresin që pritej, sidomos në disa çështje, moszgjidhja e të cilave vazhdon të jetë prezente mes tyre dhe që bëhen shkak për zgjimin e tensioneve, të mërive të vjetra ballkanase. Pa një ngrohje të këtyre marrëdhënieve, vetë Procesi i Berlinit mbetet i tulatur.

Sigurisht, kjo në radhë të parë kërkon angazhim më serioz të liderëve të këtyre vendeve, një mentalitet të ri, larg nacionalizmave që ndrydhin çdo nismë të dobishme rajonale. Nga ana tjetër, përsërisim këmbënguljen më të madhe të BE-së për të ndihmuar konkretisht në forcimin e marrëdhënieve bilaterale e multilaterale të tyre. Dhe kjo, jo thjesht me emisarë, por me nisma konkrete me diapazon më të gjerë dhe mbështetje të gjithanshme.

Me turin e fundit të Kancelarit gjerman Scholz, në disa kryeqytete të rajonit tonë, sipas edhe një interviste më të fundit të tij për DPA-në, agjencinë gjermane të lajmeve, pohohet impulsi që duhet t’u jepet vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE dhe për t’u treguar se ky ishte një objektiv real dhe i qartë. Për këtë flet dhe samiti i këtyre ditëve i BE-së, më 23 qershor, i cili do të ndiqet po gjatë kësaj jave nga Samiti i G7- ës dhe ai i NATO-s.

Duket një përkushtim më nga afër. Sikurse flitet dhe shihet aktualisht për t’i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Do të jetë kështu për të fillimi i bisedimeve me BEnë, që nuk do të thotë anëtarësim i saj. Ky i fundit vjen me plotësimin e të gjitha kushteve të njohura. Pra, një rrugë jo e lehtë, e vështirë, për të ardhur në këtë stad të rëndësishëm. Pa folur për vendet e tjera, Shqipëria e ka marrë statusin e vendit kandidat tetë vjet më parë, por ende nuk kanë nisur negociatat e anëtarësimit në BE. Sikurse kanë mbetur me shpresa të varura dhe vende të tjera, që vetëm vazhdojnë të aspirojnë të njëjtën gjë prej 19 vjetësh, qysh nga Samiti i Selanikut i vitit 2003.

Ky rol i Gjermanisë, ndërkohë, larg rivalitetit gjeopolitik, nuk duket i rastësishëm. Një risi që u vu re qysh me draftin e dokumentit të koalicionit qeverisës që do të formonte socialdemokrati Scholz me partitë e tjera, fituese në zgjedhjet e fundit të muajit shtator të vitit të kaluar. Nuk mund të anashkalohet gjithashtu fakti që gjatë turit të Kancelarit gjerman në Serbi, dhjetë ditë më parë, ku palës vendase iu përsërit më zëshëm kushti i njohjes së Kosovës, pa plotësimin e të cilit Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE. Me këtë ajo është njohur dhe më parë, por më tepër në plan të përgjithshëm, në krahasim me këmbënguljen e fundit të zotit Scholz. Dhe tani kjo – në unison të plotë dhe me kërkesën e bërë më parë nga Presidenti amerikan, Joe Biden. Ishte kjo arsyeja që te Moska ajo zgjoi anatemimin e Gjermanisë, që, sipas saj, “pranoi si bazë doktrinën antiserbe të SHBA-së”.

E rëndësishme është që ky rol aktiv të tejkalojë dhe atë njëanshmëri që është vënë re, mbetur vetëm në fushën e bashkëpunimit ekonomik, aq shumë e rëndësishme kjo, por dhe në ato probleme konkrete politike të njohura dhe që shqetësojnë realisht rajonin. Kështu, edhe qytetarët e këtij të fundit nuk do të zhgënjehen nga premtimet e zbrazëta dhe tepër lodhëse apo të qëndrimeve ambige. Zgjimi i Procesit të Berlinit e forcon më tej besimin në përafrimin më të shpejtë të vendeve të tyre me Bashkimin Europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura