“Zgjidhja kurrë nuk mund të jetë ndryshimi i kufijve”- Presidenti Meta: Në zemër të një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë, duhet të jetë njohja e ndërsjellë

Feb 13, 2020 | 19:19
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta, mbajti një fjalë përshëndetëse në ceremoninë e organizuar nga ambasada e Kosovës në Tiranë, me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa u ndal tek marrëdhënia mes Serbisë e Kosovës, Presidenti Meta u shpreh se është koha që të zgjidhte problemi mes tyre, duke shtuar se në zemër të një marrëveshje, duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes dy vendeve.

meta

Nuk ka popull të keq dhe popull të mirë, por ka politikë të mençur, vizionare, dhe politikë vrastare e shkatërruese. Kjo është e vlefshme për të gjithë vendet e të gjithë popujt. Në Ballkan, çdo popull e çdo komb është shumicë në një shtet dhe është pakicë në një shtet tjetër dhe zgjidhja kurrë nuk mund të jetë ndryshimi i kufijve, por e vetmja zgjidhje është respektimi i njëjtë i standardeve evropiane të çdo pakice në çdo vend. kjo është arsyeja që Shqipëria po bën përpjekjet maksimale për të respektuar çdo pakicë në vendin tonë.

Mbas pak minutash kemi festën e Serbisë, ku duhet të marrim pjesë. Pavarësisht nga historia dhe paragjykimet, unë kam patur fatin të njoh një udhëheqës të madh të Serbisë që ishte Zoran Gjingjiç, pavarësisht se ai nuk jeton më. Unë jam i bindur që ëndrra e qytetarëve të Serbisë, për një Serbi Europiane është ende e gjallë dhe ne nuk duhet të udhëhiqemi nga paragjykimet në raportet me Serbinë për të ardhmen.

Na mbetet ta bëjmë rajonin tonë më të fortë, më të besueshëm, e mbi të gjitha më atraktiv, në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Mal të Zi. Është koha të zgjidhet problemi mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç u zgjidh mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Në zemër të një marrëveshjeje dhe normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes dy vendeve. Kjo do bënte një çlirim të jashtëzakonshëm të energjive pozitive në gjithë rajonin tonë”, tha Presidenti Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura